Për më shumë se tetë dekada, “Zëri i Amerikës” (VOA) është konsideruar një nga burimet më besueshme të informacionit, duke mbuluar zhvillimet në Ballkan e më gjerë, përfshirë edhe transmetimet në gjuhën shqipe dhe në shumë gjuhë të tjera për audiencën ndërkombëtare.
Një vit pas transmetimit të “Ditarit” të fundit, më 15 mars të vitit të kaluar, lind pyetja se çfarë roli pati ky medium në pasqyrimin e ngjarjeve, çfarë trashëgimie ka lënë dhe çfarë boshllëku vazhdon të krijojë në hapësirën mediatike shqiptare.
Për të reflektuar mbi ndikimin e “Zërit të Amerikës” në informimin shqip, “Koha javore” bisedoi me gazetarë që për vite me radhë kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me këtë medium, si në redaksinë në SHBA, ashtu edhe si korrespondentë në rajon. Ata ndajnë këndvështrimin e tyre mbi rolin e “Zërit të Amerikës” në informimin e publikut dhe në formimin e standardeve të gazetarisë profesionale në mbrojtje të së vërtetës.
Mes tyre, Keida Kostreci, redaktorja menaxhuese e Shërbimit Shqip të “Zërit të Amerikës” me gati një çerekshekulli përvojë në këtë medium, për “Koha javore” shprehet se është e dhimbshme të flasësh për një temë të tillë, nga aspekti personal dhe ai profesional, dhe se ajo nuk e kishte menduar kurrë që do të drejtonte emisionin e fundit të Zërit të Amerikës në shqip.
“Që nga 15 marsi i vitit të kaluar, Zëri i Amerikës në shqip dhe shumicën e gjuhëve të tjera, ka rënë në heshtje”, thekson ajo.
E pyetur se si e sheh trashëgiminë dhe boshllëkun që lë “Zëri i Amerikës” në informimin shqip, Kostreci shprehet se trashëgimia e “Zërit të Amerikës” në shqip është e pashlyeshme, duke e vlerësuar atë një pasuri për gjithë hapësirën shqiptare kudo në botë.
“Është një trashëgimi e përcjelljes së zërit të lirisë dhe demokracisë, aty ku ato mungonin siç mungon uji në shkretëtirë. ‘Zëri i Amerikës’ ishte oazi i së vërtetës. Pikërisht për vlerat dhe ndikimin që pati, zbrazëtira që ka lënë është e vështirë të mbushet. Relievi i mediave në Ballkan vazhdon të ketë brishtësitë e veta. Keqinformimi dhe dezinformimi janë mjaft të përhapura”, thekson Kostreci.
“Zëri i Amerikës”, shton ajo, me reputacionin e tij, me profesionalizmin dhe ekspertizën e gazetarëve dhe të zërave që sillte pranë audiencës, edhe kryente një shërbim të nevojshëm për shoqëritë në tranzicion, edhe ishte një model gazetarie. “Pasuria që krijoi ndër dekada është ende e pranishme për t’u ndjekur”.
Ndërkohë, në përgjigje të pyetjes se si e vlerëson rolin dhe ndikimin që pati ky medium në informimin e publikut shqiptar ndër dekada, Kostreci tregon se “Zëri i Amerikës” ishte drita në terrin e diktaturës komuniste në Shqipëri.
“Shpresa për ata që vuanin mungesën e lirisë dhe që ëndërronin pavarësinë në Kosovë, zëri më mbizotërues në hapësirën mbarëshqiptare në botë, si edhe përçuesi i vlerave të demokracisë kudo ku transmetonte. Është pothuajse e pamundur të imagjinohen zhvillimet në historinë e shqiptarëve në këta dy shekuj, pa rolin e Zërit të Amerikës”, thotë Kostreci.
E pyetur se cilat parime profesionale e dallonin gazetarinë e “Zërit të Amerikës”, Kostreci shprehet se parimet që e dalluan “Zërin e Amerikës” ndër dekada ishin pavarësia e gazetarisë, paanësia, integriteti, objektiviteti dhe ndjekja pa asnjë kompromis e së vërtetës.
“Në pothuajse një çerek shekulli që kam pasur fatin e jetës të jem pjesë e Zërit të Amerikës, nuk kam ndier as drejtpërdrejt, as tërthorazi, asnjë lloj presioni për të raportuar në një mënyrë apo një tjetër, përveç nxitjes për të rrëfyer çdo histori me vërtetësi, integritet dhe profesionalizëm. Me politikanët kemi qenë të drejtpërdrejtë dhe duke pasur gjithmonë parasysh interesin e publikut për t’u informuar. Askush nga subjektet nuk ishte i privilegjuar apo i favorizuar”, shprehet ajo.
Zonja Kostreci tregon se “Zëri i Amerikës” u krijua në vitin 1942 me përkushtimin për të mbuluar ngjarjet në mënyrë gjithëpërfshirëse e të pavarur dhe për t’u treguar njerëzve të vërtetën.
“Misioni dhe pavarësia e tij garantohej me ligje që mbronin gazetarët e këtij institucioni nga ndikimet, presioni apo përndjekja e zyrtarëve qeveritarë ose politikanëve. Karta e Zërit të Amerikës e nënshkruar në vitin 1976 nga Presidenti Gerald R. Ford e përkufizon këtë institucion si një burim vazhdimisht të besueshëm dhe autoritar lajmesh dhe thekson se lajmet e Zërit të Amerikës janë të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse”, shprehet Kostreci.
Sipas saj, duke përfaqësuar të gjithë Amerikën dhe jo segmente të caktuara të shoqërisë së saj, “Zëri i Amerikës” (VOA) ofroi një pasqyrë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit dhe institucioneve amerikane me peshë, si edhe mbuloi politikat e vendit me qartësi dhe kontekst.
“Unë dhe kolegët e mi u jemi përmbajtur këtyre parimeve me krenari dhe dinjitet në çdo moment”, përfundon Kostreci.
Gazetari i njohur, publicisti dhe analisti Ali Salaj, korrespondenti i vetëm i “Zërit të Amerikës” në Mal të Zi për mbi tri dekada, jep vlerësimet e tij një vit pas ndërprerjes së transmetimeve të këtij mediumi.
Ai thekson se VOA ka qenë një burim unik dhe i besueshëm informacioni.
“Zëri i Amerikës ishte dritarja më e ndritshme dhe më unike informative për shqiptarët në rajon, e cila bëri diferencën me informatat e shpejta dhe të besueshme, me angazhimin e korrespondentëve në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe me lajme të balancuara. Zëri i Amerikës ishte një kanal i heshtur diplomatik me Uashingtonin, ku artikuloheshin kërkesat e shqiptarëve në raport me komunitetin ndërkombëtar e posaçërisht me SHBA-në”, thotë Salaj.
I pyetur se sa ndikim pati “Zëri i Amerikës” në trajtimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjeve dhe në pasqyrimin e realitetit të komunitetit shqiptar në Malin e Zi, Salaj shprehet se “Zëri i Amerikës” pati një ndikim të dukshëm te shqiptarët në Malin e Zi, të cilët si komunitet autokton nuk paraqisnin interes për mediat ndërkombëtare.
“Në përpjekje për të kundërshtuar politikat kërcënuese dhe luftënxitëse në rajonin e Ballkanit, Zëri i Amerikës e zgjeroi fushën e tij të ndikimit edhe në Malin e Zi dhe falë këtij mediumi u ndërkombëtarizua çështja shqiptare dhe arriti deri aty që në Kongresin Amerikan në Uashington u organizua një seancë dëgjimore për pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Malin e Zi”, thekson Salaj.
Duke folur mbi mungesën e një zëri të tillë të besueshëm dhe ndikimin që pati “Zëri i Amerikës” në standardet e gazetarisë profesionale në hapësirën shqiptare, korrespondenti me përvojë të gjatë në këtë medium, Ali Salaj, shprehet se mungesa e një medieje të besueshme me përmbajtje profesionale do të ndikojë negativisht në informimin në gjuhën shqipe.
“Mungesa e Zërit të Amerikës, e cila operoi e pandikuar nga instrumentet politike, ka shkaktuar një vakum duke krijuar hapësirë për mediat sociale, për dezinformatën dhe lajmet e rrejshme. Është e qartë se sot lajmet e rreme në hapësirën shqiptare në rajon dhe mungesa e mediave të mirëfillta po shkaktojnë një kaos informativ me synim të destabilizimit të politikës shqiptare në Ballkan”, thekson Salaj.
Ndërkohë, Armand Mero, njëri prej korrespondentëve të “Zërit të Amerikës” në Tiranë që nga viti 1997 e deri në mbyllje (28 vjet), i pyetur se si e ka parë nga Tirana ndikimin e kësaj medieje në informimin dhe në kulturën e gazetarisë në Shqipëri, jep këtë përgjigje.
“Me mbylljen e Zërit të Amerikës, unë do të flisja më shumë për një pikë referimi të munguar, nga njëra anë për gazetarët, kryesisht të rinjtë, për standardet profesionale nga të cilat duhet të udhëhiqet çdokush që ka vendosur t’i dedikohet medias dhe informimit, dhe nga ana tjetër edhe për publikun, që në morinë e mediave vendase, shpesh mund të gjendet në vështirësi për të kuptuar zhvillime të caktuara politike në vend, për shkak të një objektiviteti edhe të cunguar në raportimin e këtyre zhvillimeve”, shprehet Mero.
Ai shton se “Zëri i Amerikës”, më shumë se sa në një garë me mediat vendase për lajmin e fundit, “ishte në garë me cilësinë dhe objektivitetin e lajmeve që transmetonte”.
Mero thekson se roli i “Zërit të Amerikës” ka ndryshuar ndër vite, duke e konsideruar atë në vitet e para ’90-s, një dritare të hapur për të kuptuar një botë të re lirie, në të cilën Shqipëria sapo ishte bërë pjesë.
“Mediat në atë kohë ishin të pakta, dhe kryesisht pa eksperiencë. Gjatë krizës së piramidave, dhe sidomos gjatë luftës në Kosovë, roli i saj, si dhe stacioneve të tjera të huaja me bazë në Shqipëri, rezultoi i një rëndësie të veçantë. Më pas, ndërsa organet mediatike jo vetëm u shtuan në numër por dhe u fuqizuan, VOA ruajti ndikimin e vet, për shkak të besueshmërisë së padiskutueshme, dhe profesionalitetit”, shprehet Mero.
Se sa i rëndësishëm ishte një medium si VOA për ruajtjen e standardeve të gazetarisë profesionale në një kohë kur informacioni shpërndahet gjerësisht përmes mediave digjitale dhe rrjeteve sociale, ai thotë se rrjetet sociale, edhe si një mjet i shpejtë i shpërndarjes së informacionit, përbëjnë një sfidë më vete për të gjithë botën mediatike. Sipas Meros, portalet e lajmeve, radiot dhe televizionet sot janë në një garë të ethshme për të ofruar lajme brenda një kohe sa më të shkurtër, duke lënë shpesh pas dore verifikimin e tyre.
“Një qasje e diktuar edhe nga konkurrenca në një treg të vështirë, ku financimet janë të pakta”, pohon Mero.
Si një transmetues publik, shton ai, VOA kishte “komoditetin” që, “siç vura në dukje dhe më lart, të ishte në garë, në radhë të parë, për vërtetësinë e informacionit, besueshmërinë dhe integritetin e informacionit që përcillte për publikun”.
Toni Ujkaj
