Tufë poezish

Ali Gjeçbritaj

UDHËT E MIA
Unë sot do eci vetëm
nuk kam frikë nga asnjeri
nuk dua të jam bashkudhëtar
i turmës në rrugë të gabuar.

Nuk jam i vetëm
nuk kam frikë as nga ankthi
po dua që edhe ju
të jeni në udhët e mia.

Nuk dua të fus hundën
në maskën e injorantit
dua ta shtie botën
nën çadrën e horizontit.

Unë jam edhe grindavec
gabova, jo nuk jam ai që thashë
zihem me të gjithë ata
që paqen e duan më vonë
e jo tash në kohën tonë.

VARGU
Ky nuk është vargu im i fundit
rrëfimet e mia vazhdojnë
e kam vënë re
se nuk jam i tepërt.

U duhem ende
nuk më është ndryshkur gjilpëra
që m’i qepi plagët
as lapsi të shkruaj poezi
e as grepi në gjergjef
të qëndisë livadhe.

NJË GRUSHT DHE
Jemi rritë me zana mali
me këngë kanarinash
me tinguj bilbilash
në djepin e stolisur me lule
harku si ylberi me ngjyra
na ka qëndruar mbi kokë.

Më sillni një valë deti të shuaj etjen
një këngë si dikur për shpirtin tim
një varg poezie të ushqej shpirtin
një grusht dhe t’i marr erë
e pastaj të vdes i heshtur
që të ma hidhni mbi trupin tim.
OMBRELLA E KUJTIMEVE
Udhëtarë të molisur përshkojnë
rrugët zigzage
në hapësirë koha iu vjen pas
buzë liqenit me fener në dorë
lundron heshtja.

Udhëtarët e vonuar shpejtojnë
me vrap kali
në brendi të robërisë
kërkojnë udhët e humbura.

Mosha e gurëve në kalldrëmet
e leqeve të bjeshkës
na shpie në Mullinjtë e Millës.
gjithçka të humbur
një ditë toka
do e nxjerrë në pah.

OMBRELLA IME
S’ka të ndalur sot ky shi
na mbushi mërzi
sa rëndë e barti kujtimin
unë sot për ty.
Ndalu shi, ndalu njëherë
kujtimet e mia të dalin në erë
zbresin yjet, ujë pijnë në liqen
unë ombrellën time
mbaj hapur si përherë.

DHOMA IME
Ne ishim tre
unë, ti dhe nata me shi.

Nëntori i ftohtë
përreth na rri.

Ne ishim tre
unë, ti dhe heshtja në sy.

Gotë e ujit qelibar
pikë shprese natë e bardhë.

Ne ishim tre
unë, ti dhe qetësia e natës.

Shikimet gërshetohen
buzët e terura plasën.

Dhoma ime
me mua dhe me ty
ndrinë në heshtjen tonë.
ËNDËRR ME SY ÇELË
Sonte gjumë nuk kam në sy
hëna paska zbritur në tokë
gjysma e saj ka rënë në shtrat
gjysma tjetër në qiell u kthye prapë.

Nata rrugëton në sytë e mi
qepallat assesi të mblidhen tok
ëndrrat kanë ikur me ty
diku në kohë pa ngjyrë.

Ma falni sonte një ëndërr
sonte të miat qenkan bërë hi
pa ngjyrë si pluhuri gri
i paska djegur flaka shkrumb i zi.

O sa do doja sonte një gjoks
ku pullat të më shikonin në heshtje
do i këputja si dikur nga bluza mbi gjinj
e të pi shirup për gjumë.

Ma dërgo sonte të lutem
vetëm gjysmën e hënës
gjysmën e freskisë rinore
dua t’i palosi në kutinë
e gjoksit tim
të shpëtoj kohën e ikur.

Ma jepni hua
borxhin do ua kthej
do ua kthej, do ua kthej
atëherë kur edhe Ju si unë
të shihni ëndrra me sy çelë.

NATË ME SHI
Drita është zbehur, moti gjëmon
në xham të dritares pikë uji lundron
heshtja me vetminë kuvendon
të ngujuar në dhomë qëndrojmë.

Errësira ka mbuluar gjithësinë
era e jugut trazon degët
gjethet e rëna toka i përpinë
në kohë marr arratinë.

Numërojmë në heshtje kokrrat e shegës
kujtojmë pa dashje mallin për motet që iken
shi bie, vetëtin gjithandej
ne hahemi me sy, gjë s’mund të bëjmë.

As gjumë në sy nuk ka më si dikur
ëndrrat i kemi humbur kaherë
s’kemi forcë kohën ta kthejmë
e nata me shi çan rrugën vetë.

SYTË E TU
Ta kam zili atë buzëqeshje
që aq hijshëm e ke
në buzëqeshjet tua
unë tundohem të thurë vargje
heshti si i pagojë
edhe pse flas me ty
të gjitha germave
sot ua kam vënë zjarrin
zanoret i kam vrarë të gjitha
bashkëtingëlloret morën arratinë
i dogja, i bëra shkrumb
duke të parë ty
ah kohë,
ah kohë sot më bëre rob
më burgose
më shtange më bëre gur
me mbështolle me heshtje
këngën ma ndërpreve në gjysmë
e vargun ma shthure
më vure në gjumë
pa parë as edhe një ëndërr
në pesë vijat e pentagramit
kam gërvishtur gjurmët e kohës
që flejnë në qenien time
shënova atë që dua më shumë
në fletë pa vija
zërin e kam pamundur ta kthej
letrën pa vija e lapsin
m’i mori koha
sonte adhuroj vetëm heshtjen
më shumë se kurrë
në sytë e tu shoh kohën që iku
e më bëri skllav.
(Nga përmbledhja në
dorëshkrim “Kohë”)

Të fundit

më të lexuarat