Poezi

Ali Gjeçbritaj

HESHTJE
Nuk fola
Jam shtrirë në tokën time
në truallin
që e kam punuar në heshtje
ku kam thurur ëndrra e dritë
me sy kah qielli
ku dita ka burim rreze të lira
e errësira mbytet
në hënën drapër.

Heshta
nuk flas
koha do e pagëzojë
heshtjen time
punën që gatoi brumin
në magjen e bukës.

E zeza mbi të kuqen
sheshin solemn ndrinë
e ju në heshtjen time
shihni sa është ora.

PISHTARI
Sonte i ndeza të gjithë qirinjtë
nuk kam aspak dyshim
se zgjova nga gjumi ëndrrën e lashtë.

Hijet e mbyllura
që sillen vërdallë
i mbyti drita e kandilit
i ndezur në pishtar.

Kokat e mbuluara me thinja
sonte dhanë koncert
e nata u deh me nektar

KOHË
Para se fillova të shkruaj
Kam udhëtuar
Në rrjedhën e moteve
Me laps e pendë shkrimi.

Lexova atë që shkrova
shfletova rrjedhën e historisë
shkrova atë që e lexova.

Nuk dua të ndryshoj fundin
as nisjen e rrugëtimit
pa mësuar atë që kam shkruar.

Lexova, shkrova, mësova
fëmijërinë time mbushur me rritë
e rininë me aventurë.

Tash po piqem
do plakem
një ditë, si të gjithë
edhe do vdes
e Ju do thoni
si për gjithë
të tjerët:
pastë ndjesë.

HAJDUTËT
Sot hajdutët nga dora të vjedhin orën
Celularin, syzet, portofolin nga xhepi ta nxjerrin
Makinën nga parkingu ta marrin.

Sot politikanët të vjedhin
Shëndetin, ardhmërinë,
Shtëpinë, punën e pasurinë.

Buzëqeshjen në buzë ta ngrijnë
Ushqimin nga goja ta marrin pa dhimbë
Jetën nga bota me mashtrim.

Hajduti i parë të zgjedh ty
Me dorën tënde
Këtë të dytin e zgjedh ti.

UDHA
Sot në aeroport
përcolla vëllain për Nju Jork.

Për në Esen
në darkë djalin me tren.

Në drekë me makinë
bijën time për Prishtinë.

Nesër motrën
Diku për Evropë.

Po mua, kush do më përcjellë
Nesër për atë botë.

BURRËRIA
Kjo botë, sa ziliqare
e shkurtër, gënjeshtare
natën ëndrrat na mashtrojnë
gjumin na trazojnë.

Ditën na gënjen lakmia
pasuria, xhelozia,
lum ai që e mund lakminë
ai në krahë e ka burrërinë.

(Nga përmbledhja në dorëshkrim “Kohë”)

Të fundit

më të lexuarat