
Kush ishin themeluesit e Ulqinit? Nëse u besojmë rrëfimeve antike, ishin këta heronj mitikë, kthimtarë nga Kolkida e largët, pasi aty kishin vjedhur Flokun e artë nga një dragua i tmerrshëm. Nëse u besojmë fakteve historike – përgjigjja është shumë më pak romantike, por shumë më bindëse.
Në literaturë dhe në traditën popullore ka qenë prej kohësh i pranishëm mendimi se themeluesit e Ulqinit ishin kolkidasit, pra, heronj grekë që ktheheshin nga Kolkida, territori i Gjeorgjisë së sotme. Sipas këtij rrëfimi, pas ekspeditës për Flokun e artë, heronjtë grekë të udhëhequr nga Jasoni, endeshin nëpër vende të panjohura, për të mbërritur më në fund në brigjet e Adriatikut, ku thuhet se themeluan qytete, nga Pula (Kroacia e sotme) deri në Ulqin.
Këtë histori e shënon edhe shkrimtari romak Plini i Vjetër, në shekullin I të erës sonë, por tashmë si pjesë e një tradite të etabluar dhe si një dëshmi historike e besueshme. Pikërisht këtu fillon problemi.
Miti i Argonautëve i përket botës legjendare, kohës së heronjve dhe perëndive, të cilën është vështirë ta vendosësh në një kornizë reale historike. Në të kundërt, të dhënat historike tregojnë se tregtarët dhe kolonistët grekë shfaqen në bregun lindor të Adriatikut vetëm nga shekulli VI para erës sonë. Midis kohëve mitike të Argonautëve dhe ardhjes reale të grekëve ekziston një hendek i madh kohor.
Edhe më i rëndësishëm është vetë emri i qytetit, të cilin autorët antikë si Tit Livi dhe Ptolemeu i Aleksandrisë e shënojnë si Olcinium ose Olkinion, dhe që nuk tregon për një origjinë mitologjike greke. Përkundrazi, në shkencën bashkëkohore ai interpretohet më së shumti si toponim lokal, me gjasë ilir, të cilin autorët e mëvonshëm e përshtatën në gjuhët e tyre. Me fjalë të tjera, qyteti ekzistonte përpara se të lidhej me mitin.
Po kush ishin banorët e vërtetë të Ulqinit?
Hapësira e bregut lindor të Adriatikut ishte e banuar shumë përpara ardhjes së kolonistëve grekë. Banorët më të hershëm të njohur ishin ilirët, një popull indoevropian që u formua në Ballkanin Perëndimor gjatë mijëvjeçarit të dytë para erës sonë. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e vendbanimeve të fortifikuara – qytezave – që në epokën e hershme të hekurit, ndërsa në periudhat e mëvonshme këto vendbanime u zhvilluan në qendra të mirëfillta urbane.
Me vendosjen e kolonistëve grekë fillon një ndikim më i fuqishëm kulturor, i cili, përveç tregtisë dhe zejtarisë, sjell edhe mitet. Pikërisht në këtë proces duhet kërkuar origjina e tregimit për kolkidasit si themelues të Ulqinit. Autorët antikë shpesh përpiqeshin t’i përfshinin qytetet lokale në narrativën e madhe të mitologjisë greke, duke iu dhënë kështu një lashtësi dhe prestigj simbolik.
Më vonë, edhe romakët, duke shtrirë pushtetin e tyre në bregun lindor të Adriatikut, i përvetësuan dhe i përhapën këto rrëfime, duke i integruar në vizionin e tyre për botën. Kështu, miti për kolkidasit u bë pjesë e një tradite më të gjërë antike, edhe pse nuk ka bazë në realitetin historik.
Prandaj, tregimi për kolkidasit si themelues të Ulqinit mund shihet sot më shumë si një motiv letrar dhe mitologjik sesa si një fakt historik. Midis argonautëve dhe historisë reale të bregdetit Adriatik, përgjigjja mbetet e qartë: Ulqini nuk lindi nga miti, por nga jeta dhe vazhdimësia e banorëve të tij më të hershëm – ilirëve.
