“Enigma e Valdanosit“ me rrënjë të thella historike

Në gjurmimet e tij është gjetur “çelësi” për enigmën e Valdanosit, në të vërtetë merr guxim të zbërthejë enigmën e misterit për njerëzit e gjallë apo edhe misteriozë të këtij lokaliteti historik

Ali Llunji

Autori i librit më të ri “Enigma e Valdanosit”, prof. dr. Ruzhdi Ushaku, ka mote që la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe dhe në gjuhë të tjera, gjithnjë duke i ndriçuar, studiuar e hulumtuar me akribi të veçantë. Krahas aktivitetit pedagogjik, me punë krijuese dhe me hulumtime shkencore nisi të merrej që në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar.
Kemi pasur nderin dhe respektin e veçantë që Basri Ҫapriqi (tash i ndjerë) dhe autori i këtyre rreshtave në cilësinë e (redaktorit dhe recensentit) në librin e sipërshënuar të japim vrojtimet më meritore. Rruga jetësore dhe ajo e shkollimit të autorit Ushaku i ka specifikat e veta. Pas Normales Shqipe të Prishtinës e gjejmë student në Sarajevë. Ishte absolvent i romanistikës dhe kryetar i Klubit të Romanistëve kur edhe merr rrugën e Parisit, vazhdon e kryen shkallën e pestë të studimeve moderne frënge dhe laurohet me “Diplôme Supėrieur d’ Etudes Franҫaises Modernes”. Me të ardhur në Kosovë bëhet profesor në Gjimnazin e Gjilanit. Me kohë në Prishtinë ushtron detyrën e bashkëpunëtorit profesional në Bashkësinë Krahinore të Kulturës, asistent në Seksionin e Historisë së kulturës kombëtare pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës, bashkëpunëtor i jashtëm i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku ligjëron gjuhën latine. Magjistron në Seksionin e Romanistikës pranë Fakultetit të Filologjisë në Beograd. Në Beograd mbron me sukses të lartë edhe disertacionin e doktoratës. Në zgjedhjen e tij profesor inordinar, mendim pozitiv lëshon edhe njëri ndër anëtarët e rëndësishëm të komisionit, prof. dr. Idriz Ajeti. Nga viti 1980 e deri në pensionim ka ushtruar detyra shumë të rëndësishme shkencore dhe pedagogjike. Ishte edhe kryetar i Këshillit Mësimor Shkencor të Universitetit të Prishtinës, mentor për temat e magjistraturës dhe disertacione të doktoratës. Mbajti ligjërata për studentë të shkallës III në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Prej vitit 1973 e këndej ishte i ftuar për të mbajtur ligjërata shkencore edhe jashtë Kosovës: në Francë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Duke e vlerësuar intelektual dhe shkencëtar të formatit evropian, prof. dr. Ruzhdi Ushaku ftohet disa herë në Paris për të mbajtur ligjërata. Më 2001 mori pjesë në Konferencën e historisë dhe të filologjisë shqiptare në Ecole des Hautes Etudes ­ Sorbonne.
Ky autor i palodhur deri më tani i dhuroi shkencës sonë kombëtare dymbëdhjetë vepra dhe qindra artikuj cilësorë, qoftë nga fusha e albanistikës, qoftë nga hulumtimet me vlera të pamohueshme shkencore. Energjia pozitive e punës shkencore të tij u kurorëzua me pranim anëtar akademik aktiv në Akademinë Evropiane të Arteve në Leuze të Belgjikës, kur edhe nderohet me “Le Diplôme de Plaque d’Hommeur” të Rendit evropian të Arteve. Për kontributin në shumë fusha të dijes albanologjike – veprimtarisë hulumtuese, studimore, shkencore dhe kombëtare, laureohet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me titullin “Nderi i Akademisë”, ndërsa nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, me titullin “Nderi i Kombit”.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “847” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat