Poezi: Anton Gjuravçaj

SANGRE AZUL

Nëse poeti nuk është
edhe poet i historisë
muzat në valle thyejnë qafën
nga shkëmbi i vajzave
penda kalbet pa dhënë shpirt
vargjet me këmbë të lidhura
nisen nëpër botë
të leckosur
me samar në shpinë
pa zë…
… ”shkencëtarët”
edhe pse nuk mundin mbi supe
te bartin këpucët
\te mos flasim për shekujt\
shpikin diversitetin
vend e pa vend…
gjysmë shqipe gjysmë sorrë

të gozhduan
të mohuan
të harruan
me ty u turpëruan
por ti nuk trete kurrë
i pa turbulluar
i pa tëholluar
prej hyjit i kulluar
sangre azul

hijet rrahin gjoksin
në mes të ditës
harruan lodrimin e tyre
prej krimbit nëpër shekuj
një nga një vodhën
fjalët
lashtësitë
eshtrat
/ua qitën qenve/
pasi në vete varën vetën
për pakë…

në pëllëmbën e dorës së huaj
zbuluan shenjtërinë e tokës
ajrin për mushkri….
me ujin e harresës
tani pagëzojnë…
….dëlirin
fshijnë mëkatet
e përsëri
ditë e përditë thërrasin egërsinë

si dielli nëpër qiell
damarëve flakëron
në terr pishtar
në dritë flamur
krenaria e jeta
nuk ndahen
ku ti gjallëron
i përjetshmi
sangre azul

ullirit të shtrydhur
lëvozhgës së zbrazët
dyllit që është djegur për në shpellë
nuk i këndohet këngë…
te i pathyeshmi kujtim
te i forti vragë
te qyqari zinxhir

pa ty
të mjerë
të zhveshur
pa emër
mëndë e zemër
vëlla edhe i barbarit të zi
të tretur
të përqeshur
të nëmur
nga buka
uji
fushë e gur
fjalë qielli
shëlbues
sangre azul

engjëjt e rënë
/prej fillimit…sot e përgjithmonë/
trashin ndryshkun
thyejnë krahët
pafytyrësi me shumë fytyra
për të pafunden herë…
pa numër puthje prej Jude
qenies sonë
në çerdhen e huaj
vetëm zogu i qyqes rritet

diversiteti e “ mosnjohja” e historisë
nuk mund të përdorën si ilaç
as si fashë për plagë
e më së paku si maskë…

sa herë që të ndërprenë shtegtimin
gjer në thelb të tokës nënë shkove
prej zemre në zemër
e qiellit iu rrëqeth lëkura
u dridh guri mbi gur
dhuratë e hyjit
për damar të të parëve të shqiptarit
i pa ndryshueshmi
i pa thyeshmi
sangre azul

ndodh edhe sot
njerëzit e lapsit
të notojnë në lot
për të nxirë faqet…
më lehtë shtrihet
dora e lëmoshës si Hamza
se sa jepet lëkura si Golemi
ku është rilindja
drita e dijes
shekulli
liria…

Albany – New York,
maj 2018

Të fundit

më të lexuarat