Është ende herët në mëngjes kur nisja nga Ulqini merr rrugën drejt veriut. Në automjet ka të rinj që, përpara se të mbërrijnë në destinacion, kanë për të bërë një tjetër udhëtim: atë drejt njohjes me njëri-tjetrin, me historitë e përbashkëta dhe me dallimet që i bëjnë trevat shqiptare në Mal të Zi një mozaik të veçantë.
Destinacioni është Plava dhe Gucia. Por, siç do të dëshmojnë tri ditët në vazhdim, udhëtimi nuk është vetëm gjeografik.
Programi i edukimit joformal “Shkolla e identitetit dhe trashëgimisë kulturore” u realizua nga OJQ “Horizonti i Ri”, me mbështetjen financiare të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, në kuadër të konkursit publik “Identitetet që na lidhin”, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare pakicë për vitin 2026.
Të rinjtë nga Ulqini bashkohen gjatë rrugës me bashkëmoshatarët nga Tuzi. Në Plavë, në Shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq”, u bashkohen të rinjtë nga Plava dhe Gucia. Takimi i parë është i ngrohtë, miqësor dhe mbi të gjitha, kurioz. Ata vijnë nga vende të ndryshme, me përvoja të ndryshme, por shumë shpejt kuptojnë se kanë më shumë gjëra që i lidhin sesa i ndajnë.
Vizita në shkollë dhe diskutimet e para për identitetin e zbehën shpejt ndrojtjen. Biseda nis natyrshëm. Pyetjet vijnë njëra pas tjetrës: Si e përkufizojmë identitetin? Sa ndikon vendi ku jetojmë në mënyrën se si e shohim veten? Çfarë kemi të përbashkët dhe ku ndryshojmë?
Në fund të ditës së parë, ajo që dukej si një grup të rinjsh të ardhur nga katër treva të ndryshme, nis të shndërrohet në një grup që ka filluar të njohë njëri-tjetrin.
Dita e dytë i gjen të rinjtë në sallën e Kuvendit të Komunës së Gucisë, ku zhvillohet ceremonia solemne e hapjes së programit “Shkolla e identitetit dhe trashëgimisë kulturore”.
Në hapje, në emër të organizatës “Horizonti i Ri”, të pranishmëve iu drejtua kryetari Nazif Veliqi, i cili theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku të rinjtë nga trevat e ndryshme mund të takohen, të njohin njëri-tjetrin dhe të flasin hapur për identitetin dhe trashëgiminë e tyre.
Në cilësinë e nikoqirit, të pranishmit i përshëndeti nënkryetari i Komunës së Gucisë, Asdren Çelaj, i cili mirëpriti të rinjtë dhe pjesëmarrësit e aktivitetit.
Në emër të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Arben Xhurreta, drejtor i Drejtorisë për Pakica Kombëtare, vuri theksin te rëndësia e mbështetjes institucionale për iniciativa që ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të komuniteteve pakicë, duke veçuar rolin e të rinjve.
Fikret Lulanaj, sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, e zhvendosi vëmendjen te shkolla. Sepse identiteti nuk ruhet vetëm në libra historie apo në aktivitetet kulturore.
Gazetarja Dafina Teliqi hapi një tjetër dritare me temën “Identiteti shqiptar në mediet tradicionale dhe sociale”. Në një kohë kur një pjesë e madhe e jetës së të rinjve zhvillohet në telefon, pyetja nuk është vetëm se çfarë trashëgojmë, por edhe si e tregojmë atë.
Mësimdhënësja Arbenita Vukaj, përmes temës “Plava dhe Gucia ndërmjet traditës dhe modernitetit: çfarë duhet të ruajmë?”, solli në qendër një dilemë që nuk i përket vetëm këtyre dy trevave. Pyetja është se cilat janë ato vlera që duhet të kalojnë te brezi i ardhshëm, edhe kur mënyra e jetesës ndryshon.
Një perspektivë tjetër solli prof. Jetmir Lajçi, i cili foli për sfidat e të rinjve të trevës së Rozhajës në ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Të rinjtë nga Ulqini, Tuzi, Plava dhe Gucia morën fjalën, pyetën, treguan përvojat e tyre dhe, në disa raste, zbuluan se një problem që e kanë menduar si vetëm të vendit të tyre, në fakt është i përbashkët.
Në punëtorinë “Trashëgimia jonë – shumë treva, shumë histori”, ata u përballën me historitë e ndryshme të vendeve nga vijnë.
Pastaj, në punëtorinë “Identiteti im – një pjesë e një mozaiku”, u përpoqën ta shohin identitetin jo si një mur që i ndanë nga të tjerët, por si një pjesë të një mozaiku më të madh.
Në këto diskutime bëhet e qartë se dallimet mes trevave nuk janë domosdoshmërisht pengesë. Dialekti, mënyra e të folurit, zakonet dhe përvojat e ndryshme mund të jenë pjesë e së njëjtës trashëgimi, të parë nga këndvështrime të ndryshme.
Të rinjtë punuan edhe në projekte konkrete, duke kërkuar mënyra se si teknologjia dhe media digjitale mund të përdoren për të ruajtur dhe përcjellë identitetin, kulturën dhe trashëgiminë.
Sepse trashëgimia nuk shihet më vetëm si diçka që ruhet në muze, në fotografi të vjetra apo në kujtesën e gjyshërve. Ajo mund të marrë formën e një videoje, një fotografie, një rrëfimi të regjistruar, një dokumentari të shkurtër apo një materiali të publikuar në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë, të rinjtë nuk mbeten vetëm dëgjues. Ata bëhen bartës. Dhe pikërisht kjo ishte një nga synimet kryesore të projektit të realizuar nga OJQ “Horizonti i Ri”: që të rinjtë të mos jenë vetëm njohës të trashëgimisë së tyre, por edhe promovues dhe ruajtës aktivë të saj.
Dafina Teliqi – Rexha
