Në fokus, hapat e ardhshëm për përparimin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar gjatë javës së kaluar një turne në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës ka vizituar Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, von der Leyen pritet t’i vizitojë këto dy vende në një datë të mëvonshme, ka njoftuar Komisioni Evropian.
Ky është turneu i gjashtë vjetor i von der Leyenit në Ballkanin Perëndimor. Në fokus të vizitës kanë qenë hapat e ardhshëm të nevojshëm për përparimin e vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe procesi i integrimit gradual, i cili mbështetet përmes Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me vlerë gjashtë miliardë euro.
Në ditën e parë të turneut, von der Leyen u takua në Tiranë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama.
Të enjten, ajo vizitoi Prishtinën, ku u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Më pas, po të enjten, von der Leyen udhëtoi drejt Podgoricës, ku zhvilloi takime me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
Turneu përfundoi në Shkup, ku presidentja e Komisionit Evropian u takua me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Gjatë vizitës në rajon, von der Leyen vizitoi edhe projekte të financuara nga BE-ja, përfshirë një shkollë në Tiranë të rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019, objektin e ri të Fakultetit të Shkencave në Prishtinë dhe korridorin hekurudhor në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, në Podgoricë, ajo mori pjesë në hapjen e Qendrës Kombëtare të Koordinimit, e cila synon forcimin e menaxhimit të kufijve dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit me vendet anëtare të BE-së dhe Frontexin.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat