Kërkohet heqja e barrierave financiare për fitimine statusit të qytetit

Kuvendi i Malit të Zi ka përfunduar të mërkurën e kaluar (26 gusht 2026) debatin mbi Projektligjin për vetëverisjen lokale.
Zëvendkryeministri i Malit të Zi dhe ministri për Zhvillimin Ekonomik, Nik Gjeloshaj, i cili njëherazi është edhe kryetar i Forumit Shqiptar, ka bërë të ditur se partitë shqiptare kanë dorëzuar amandamentet në këtë projektligj, duke kërkuar heqjen e barrierave financiare për fitimin e statusit të qytetit.
“Ministri nga Forumi Shqiptar, Marash Dukaj, i ka pranuar amendamentet dhe ato janë bërë pjesë e Propozimligjit. Këto amendamente janë fryt i punës dhe koordinimit të përbashkët të partive shqiptare dhe ministrit Dukaj. Edhe pse Forumi Shqiptar ka mundur t’i propozojë në mënyrë të pavarur, ideja jonë ishte që për çështjet me rëndësi për decentralizimin dhe fuqizimin e pushtetit lokal të veprojmë bashkë”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social Facebook, duke falënderuar në veçanti për kontributin në këtë nismë të përbashkët deputetin Mehmed Zenka, si dhe për mbështetjen dhe nënshkrimin e amendamenteve deputetët Dejan Gjuroviq dhe Amer Smailoviq.
Edhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, në diskutimin e tij lidhur me Projektligjin për vetëqeverisjen lokale është përqendruar në dy çështje kryesore, që kanë të bëjnë me Ulqinin dhe Tuzin.
“Veçanërisht theksova çështjen e statusit të Ulqinit, si një qytet i lashtë historik, që nuk duhet të vihet në pikëpyetje përmes zbatimit të kritereve që lidhen me treguesit ekonomikë. Ulqini nuk është fajtor pse ka mbetur prapa në zhvillim. Ulqini ka një identitet historik dhe kulturor të vazhdueshëm, i cili duhet të tejkalojë kritere të tilla. Ulqini ishte qytet para shumë të tjerëve”, ka shkruar ai.
Më herët, më 31 korrik 2026, deputeti i Aleancës Shqiptare, Dr. Ilir Çapuni, në emër të Bashkësisë së Komunave të Malit të Zi, përkatësisht të të gjitha komunave në Mal të Zi, ka dorëzuar 45 amandamente në Projektligjin për vetëqeverisjen lokale, përmes të cilave synohet, në radhë të parë, të sigurohet harmonizimi i këtij projektligji me Kushtetutën e Malit të Zi, Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe rekomandimet nga raporti i Këshillit të Evropës.
Projektligji për vetëqeverisjen lokale ka ngjallur reagime dhe debate të shumta, edhe në mesin e vetë shqiptarëve dhe partive politike shqiptare. Sipas këtij projektligji, Ulqini nuk do të gëzonte statusin e qytetit, një kategori e re administrative vetëqeverisëse e përcaktuar me projektligj, por do të mbetej në nivelin e komunës.
Akoma nuk dihet se kur do të votohet për këtë projektligj në Kuvendin e Malit të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat