Qeveria malazeze mohon të bëhet fjalë për Shqipërinë

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka thënë se të paktën dy shtete të rajonit po përgatisin veprime hibride për të destabilizuar Malin e Zi, në kohën kur pritet mbyllja e kapitujve të ri të negociatave për pranim në Bashkimin Evropian. Edhe pse ai nuk ka përmendur për cilat shtete bëhet fjalë, gazeta malaziase “Vijesti” ka raportuar se Spajiq i referohet Shqipërisë dhe Serbisë.
“Kemi informacione serioze operative të sigurisë që tregojnë se mbyllja e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet nga veprimet hibride të koordinuara, që përfshijnë zyrtarë nga të paktën dy shtete të rajonit. Sipas informatave tona, aktivitete të tilla synojnë ta destabilizojnë Malin e Zi, me mbështetjen të pritur nga akterë politikë të caktuar dhe pjesë të skenës mediatike në vendin tonë. Ne jemi të vetëdijshëm për këto qëllime të tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë apo ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi, që është më e madhe se interesat e përditshme të çdo strukture politike”, ka shkruar Spajiq në platformën X të enjten pasdite.
Ndërkaq, pas këtij postimi, gazeta “Vijesti” ka shkruar se dy shtetet për të cilat Spajiq ka supozuar se po synojnë destabilizimin e Malit të Zi me aksione hibride, janë Serbia dhe Shqipëria.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka mohuar pretendimet se Shqipëria është një nga dy shtetet të cilat planifikojnë destabilizimin e Malit të Zi.
“Edhe pse nuk ka akuza zyrtarisht të formuluara kundër Shqipërisë, dua të theksoj fuqishëm dhe qartë se Shqipëria as nuk është e as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Mal të Zi, në një shtet fqinj, mik, partner e aleat në NATO, me të cilin ndajmë projektin e njëjtë të anëtarësimit në BE, e as diku tjetër. Shqipëria dallohet sepse e bën pikërisht të kundërtën: çdo ditë investon në bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë, stabilitet rajonal dhe zhvillim si dhe në bashkëpunim më të gjerë evropian e euroatlantik”, ka shkruar Hoxha.
Pasi në publik u përhapën pretendimet se Shqipëria ishte një prej vendeve të përfshira në paralajmërimin e kryeministrit malazias, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kërkoi sqarime nga Qeveria e Malit të Zi për origjinën e këtij informacioni, prej së cilës ka marrë përgjigje se bëhej fjalë për një të pavërtetë.
Radio Televizioni i Malit të Zi ka theksuar se burimi i informacionit që e lidhi Shqipërinë me deklaratat e kryeministrit Spajiq ishte media malazeze “Vijesti”.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat