Edicioni i 7-të i Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2026”- Malësi e Madhe, u mbajt edhe këtë vit në Vitojë të Malësisë, më 21-23 gusht 2026, në një vend piktoresk dhe me një bukuri të veçantë natyrore, ku, përgjatë tri netëve, para një publiku të madh performuan dhjetëra grupe folklorike, instrumentistë, këngëtarë, rapsodë e valltarë nga të gjitha trevat shqiptare – Malësia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora.
Në natën e hapjes së festivalit, nga skena madhështore, e ngritur në një hapësirë të hapur që ngjante me një amfiteatër natyror, u tha se Malësia është shtëpia e flamurit, e lahutës, e xhubletës, por edhe një trevë me pasuri të jashtëzakonshme materiale e shpirtërore.
Fillimisht të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i cili, duke folur për këtë festival u shpreh se kjo është një ngjarje që tashmë është kthyer në një traditë që i bashkon shqiptarët rreth këngës, valles, kulturës dhe identitetit kombëtar.
“Shtatë edicione të këtij festivali janë dëshmi se tradita jonë vazhdon të jetojë, brezat ndryshojnë, koha ecën por kënga, vallja, gjuha dhe zakonet tona vazhdojnë të na bashkojnë”, u shpreh Gjelaj.
Ky festival, shtoi ai, është mënyrë për t’i ruajtur ato që na kanë lënë të parët tanë dhe për t’ua përcjellë brezave që vijnë. I pranishëm në natën e parë të Festivalit ishte dhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.
Moderatorët e mbrëmjes, Llesh Nikolla dhe Nora Fejza, vlerësuan se diaspora është një pasuri kombëtare, e cila për dekada ka mbështetur promovimin e kulturës dhe traditës, por mbi të gjitha kontribuuesi kryesor në të gjitha edicionet.
Kryetari i Fondit Humanitar “Rapsha”, me seli në Miçigan, Dr. Anton Lajçaj, duke përshëndetur dhe falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, këngëtarët e grupet folklorike, si dhe duke shprehur mirënjohje ndaj bashkëkombësve në SHBA të cilët iu bashkuan kësaj nisme duke dhënë ndihmesën e tyre në realizimin e këtij festivali mbarëkombëtar, theksoi se veprimtari të tilla kanë rëndësi të veçantë, pasi na rikthejnë tek ajo që na bashkon – gjuha, historia, kujtesa dhe trashëgimia e përbashkët.
“Historia e këtij festivali na kthen në vitin 2003 kur në Vitojë të Malësisë së Madhe u mbajt për herë të parë një veprimtari e këtyre përmasave, e cila zgjati pesë net. Ishe një nismë e guximshme dhe me rëndësi të madhe për jetën kulturore të kësaj treve. Rruga nuk ishte e lehtë. Pati vështirësi dhe pengesa, por dëshira për ta ruajtur këngën, vallen dhe zakonet e Malësisë nuk u shua”, u shpreh Lajçaj.
Ai më tej tha se sot, më shumë se dy dekada më vonë, organizimi i këtij festivali është dëshmi e vullnetit të një populli për të ruajtur atë që i përket dhe se ajo nuk mund të shuhet nga vështirësitë e kohës.
“Kënga dhe vallja e një populli nuk janë vetëm shprehje artistike. Ato janë dëshmi e jetës dhe pjesë e kujtesës së tij. Në këngët tona ruhen rrëfime për të parët, në vallet tona shfaqet mënyra se si brezat kanë përjetuar gëzimin dhe bashkësinë. Në veshjet tona ruhen shenja të lashta të jetës së kësaj treve, ndërsa në zakonet tona gjenden vlera që kanë mbijetuar përmes shekujve”, u shpreh Lajçaj.
Ai potencoi se ky festival mbart një vlerë që shkon përtej këngës dhe valles, atë të krijimit të një hapësire ku kujtesa e të parëve takohet me brezin e ri e ku vendlindja takohet me diasporën.
Lajçaj theksoi se Fondit Humanitar ‘Rapsha’ iu besua mbledhja e ndihmave në SHBA dhe përgjegjësia e bashkëkombësve tanë ishte një dëshmi e fuqishme e lidhjes së tyre me vendlindjen.
“Për këtë qëllim u mblodhën 64 430 dollarë. Kjo ndihmë është dëshmi se suksesi i fituar larg vendlindjes mund të kthehet në mirësi për vendin prej nga kanë ardhur”, tha ai.
Ndërkohë, kryetarja e SHKA “Rapsha”, njëherësh dhe drejtoreshë e Festivalit, Gentjana Junçaj, duke e shpallur të hapur këtë edicion, tha se përmes këtij festivali po hapet një kujtim, një trashëgimi dhe një urë që lidh të shkuarën me të ardhmen, vendlindjen me diasporën dhe këngën e të parëve me zërat e brezave të rinj.
“Kjo urë quhet ‘Rapsha – Malësi e Madhe’ dhe për tri net kjo urë është e hapur për gjithë shqiptarinë. Shtatë edicione këngë, valle, kostume, tradita dhe emocione. 23 vjet punë, përkushtim, sakrificë dhe besim. 23 vjet që kjo skenë është rritur dhe kthyer në një vendtakim të artistëve, të shoqërive kulturore dhe të dashamirësve të folklorit shqiptar nga Malësia dhe nga të gjitha trevat tona”, u shpreh ajo.
Junçaj tha se me plot krenari mund të thuhet se Festivali Mbarëkombëtar Folklorik “Rapsha” është ngjarja më e madhe kulturore që organizohet në Malësi dhe në komunën e Tuzit, por dhe e shqiptarëve në Malin e Zi.
“Një ngjarje që ka kapërcyer përmasat e një festivali lokal dhe është bërë një takim i rëndësishëm i kulturës shqiptare në Malin e Zi. Por pas kësaj skene dhe pas këtij festivali qëndrojnë njerëz. Qëndron SHKA ‘Rapsha’ dhe mbi të gjitha anëtarët e saj të cilët këtë punë e bëjnë vullnetarisht”, theksoi Junçaj.
Ajo shprehu mirënjohje e falënderime për të gjithë donatorët dhe mbështetësit e këtij festivali e në veçanti për përkrahjen e parezervë të diasporës.
Nata e tretë dhe përmbyllëse e festivalit solli shpalljen e fituesve të edicionit të shtatë, sipas vlerësimit të jurisë, të përbërë nga kryetari Prof. Dr. Zymer Neziri – specialist i folkloristikës dhe i trashëgimisë kulturore, profesor universitar dhe studiues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si dhe anëtarët Prof. Dr. Hirietë Ziberi – studiuese e etnologjisë dhe folklorit në Universitetin e Tetovës dhe Prof. Dr. Albin Sadiku – etnomuzikolog, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Përpara se të shpallte fituesit, Prof. Dr. Zymer Neziri theksoi se juria ka veçuar jo vetëm veshjen popullore, atë të xhubletës, por edhe instrumentet popullore – lahutën dhe, pak më të vjetër se lahuta, siç tha Neziri, fletën, që është instrumenti më i lashtë popullor që përdoret ndër shqiptarët në festivale.
“Juria ka vërejtje në ekipet që kanë ardhur jo të përgatitura sa duhet me muzikën që mungon dhe me muzikën që përdoret aty për aty. Herëve të tjera i lusim që të vijnë të kompletuar ashtu siç duhet”, u shpreh Neziri.
Në vlerësimet e jurisë, kërcimtarja më e mirë e edicionit të 7-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Folklorit “Rapsha 2026” – Malësi e Madhe, u vlerësua nga SHKA “Besa” me vallen “Sokolesha”, ndërsa kërcimtari më i mirë u shpall Bardhyl Osmani. Rituali më i mirë iu dha SHKA “Besa” me “Ndëshkimin”, ndërsa vallja më e mirë u shpall ajo e SHKA “Malësori”. Rapsodi më i mirë u shpall Guri Rrokaj, këngëtarja më e mirë Jola Muça, ndërsa këngëtari më i mirë Marash Dushaj.
Kërcimi i dyshes më të mirë i takoi Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Deçani”- Deçan, ndërsa veshja më origjinale u vlerësua ajo e grupit “Gjergj Kastrioti”- Miçigan. Veterani i festivalit u shpall Vesel Nikçi, grupi polifonik më i mirë ai i Grupit Folklorik “Gjergj Arianiti”- Mallakastër, ndërsa grupi instrumental më i mirë Shoqata Kulturore “Skampa”- Elbasan. Instrumentisti më i mirë u vlerësua Vesel Nikçi nga Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” – Rugovë.
Juria vendosi edhe dy çmime speciale: çmimi i parë iu dha AFA “Rugova”, ndërsa çmimi i dytë special SHKA “Besa”- Triesh.
Në mesin e grupeve pjesëmarrëse në festival, me Çmimin e parë u vlerësua grupi “Gjergj Kastrioti”- Miçigan, vendi i dytë i takoi Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Mati”, ndërsa vendi i tretë SHKA “Malësori” – Prizren.
Sipas të dhënave të prezantuara, në gjashtë edicionet e kaluara, Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit ka sjellë, nëpërmjet grupeve artistike, ansambleve e rapsodëve nga mbarë trevat shqiptare, ajkën dhe vlerat më të mira të folkut. Gjatë këtyre edicioneve kanë marrë pjesë rreth 4 mijë artistë, janë interpretuar 250 valle, mbi 50 rite, ndërsa kanë performuar rreth 200 instrumentistë dhe janë interpretuar mbi 150 këngë folklorike.
Festivali Mbarëkombëtar i Folklorit “Rapsha”, si një festival i konsoliduar dhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore mbarëkombëtare, synon ruajtjen, promovimin dhe pasurimin e trashëgimisë sonë folklorike.
T. Ujkaj
