Shoqata “Penda” organizoi një mbrëmje letrare kushtuar 155-vjetorit të lindjes së poetit, klerikut dhe personalitetit shumëdimensional të kombit tonë, Atë Gjergj Fishtës, me moton “Malësia për Fishtën”, e cila u mbajt të martën mbrëma, më 18 gusht 2026, te Parku Memorial kushtuar viktimave të masakrës së vitit 1941 në Bozhaj, në prani të dashamirësve të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.
Për të prezantuar figurën dhe krijimtarinë e çmuar letrare të Gjergj Fishtës, mbrëmjen e udhëhoqi Sidorela Berishaj me panelistët e ftuar, Prof. asoc. Dr. Vinçens Marku – përkthyes dhe ligjërues në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, imam Mr. Nadir Bajraktari dhe Atë Mirash Marinaj, misionar françeskan.
Kryetari i Shoqatës “Penda”, Mark Junçaj, duke falënderuar të pranishmit dhe ata që mbështetën këtë organizim, si dhe duke prezantuar aktivitetet që kjo shoqatë ka organizuar nga themelimi i saj në janar të këtij viti, tregoi arsyen e organizimit të aktivitetit në këtë vend.
“Duke ditur që Fishta sa herë e herë i ka kushtuar shkrime të rëndësishme Malësisë së Madhe dhe figurave të mëdha të kësaj toke, e në veçanti sa herë e herë e ka vajtuar humbjen e Hotit dhe të Grudës që ju dhanë shtetit sllav – Malit të Zi, po ashtu dhe dhunës, burgosjes e vrasjes që kryen sllavët ndaj malësorëve, vendosëm që të jetë ky vend, që është vend i përkujtimit të masakrës së malësorëve – vendi ku do mbahet ky aktivitet”, theksoi Junçaj.
Ai u ndal në dy raste, duke përmendur edhe atë kur Hasan Riza Pasha i kërkon Fishtës t’i kthejë malësorët për të luftuar për mbrojtjen e Shkodrës.
“Fishta i thotë ‘po’, ata i ke gati nëse ngrit flamurin shqiptar dhe kjo është kërkesa e Fishtës që na tregon për malësorët”.
Rastin e dytë e lidhi me vitin 1923, kur Fishta angazhohet që, për meritat kombëtare, t’i ngrihet monumenti në Shkodër Dedë Gjon Lulit. Junçaj iu referua një shkrimi të Fishtës në ‘Orën e Maleve’, numër 11, të vitit 1923.
“I potencova këto ngjarje vetëm për të treguar se sa e ka njohur dhe sa i ka vlerësuar Fishta malësorët”, u shpreh Junçaj.
Ndërkohë në nderim të organizimit të këtij aktiviteti fjalën përshëndetëse e mbajti Frano Kulli, drejtor i Entit Botues “Fishta” në Lezhë.
Ai foli gjerësisht mbi figurën dhe lavdinë që gëzonte Atë Gjergj Fishta në rrafshin kombëtar e më gjerë, duke u ndalur edhe te periudha kur vepra e tij u ndalua, figura iu sulmua dhe varri iu dhunua.
Kulli theksoi se Fishta kishte gëzuar një respekt të veçantë edhe në rrafshin ndërkombëtar, duke qenë shkrimtari i parë shqiptar i nominuar për Çmimin Nobel dhe i dekoruar nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani.
“E për gjithë sa ka bërë, Fishta është përcjellë me nderime si askush deri atëherë, nga brenda e jashtë Shkodrës, nga qyteti e Malësia, nga mbarë Shqipëria fund e maje, por edhe përtej Shqipërisë. Nderime, vlerësime të epërme, të pafundme jo vetëm nga dishepujt e tij për të cilët qe ylli polar, por edhe nga personalitetet më të shquara të shkrimtarisë e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në shtete përreth Evropës”, theksoi ndër të tjera Kulli.
Ndërkaq, lidhur me letërkëmbimet e Fishtës me klerikët e kohës, si Vinçens Prenushin, Atë Pal Dodajn, Konicën, Çabejn, Gjeçovin etj., si dhe përkthimin, transliterimin dhe përshtatjen e dorëshkrimeve nga gjuha italiane në shqip, foli Prof. asoc. Dr. Vinçens Marku, i cili është marrë drejtpërdrejt me këto materiale.
“Fishta përveçse është një shkrimtar i një gjuhe jo shumë të madhe që mund të shiten me mijëra volume, unë nuk di të ketë një shkrimtar tjetër evropian, pa desh ta lartësoj pafund, që të më ketë mundësuar përgjatë jetës sime akademike që unë, kur varfërohesha gjatë studimeve në leksik, të më pasuronte dhe rigjallëronte leksikun”, tha mes tjerash Marku.
Ai shtoi se personaliteti i Fishtës mishëron në vetvete talentin e skajshëm të njeriut.
Duke folur për arsyen se pse Fishta u bë kaq zë i madh dhe pse buçet kaq shumë në veshët e shqiptarëve, por edhe të tjerëve, Marku tha se kjo lidhet me faktin se në veprën ‘Lahuta e Malcisë’ ai e ndërtoi shqiptarin ashtu siç duhet të jetë.
“Ndërton një hero, siç duhet të ishte vetë shqiptari. Pra, krijoi modele heroi dhe ai e gjeti këtë model pothuajse autentik në mes të malësorëve. Unë mendoj që Fishta ka bërë shumë mirë që e ka gjetur këtë identitet të shqiptarëve, të mishëruar tek ju të cilët e kishit ruajtur ndër shekuj me njëfarë vetëdijeje instiktive, por ama që e keni ruajtur”, tha ai.
Imami Nadir Bajraktari tha se sot, sado të kishte grada që ta lartësonin Fishtën, ato nuk do të mjaftonin. Ai u ndal te veçantia e Fishtës si poet, duke thënë se sa herë lexon veprat e tij, ai mahnitet.
“Sado që të lexohen poezitë e tij, njeriu nuk ngopet me to, sepse ato janë të shkruara me aq dashuri, me aq përkushtim, ngjyrë të bukur dhe ndjenja, saqë njeriu nuk mjaftohet me kaq”.
Fakti që ishte edhe klerik, shtoi Bajraktari, na flet shumë neve shqiptarëve.
“Sepse klerikët ishin ata të parët të cilët e mësuan, ligjëruan dhe u munduan ta ngrisin kombin shqiptar. Ata ishin mësuesit e parë, qoftë nga aspekti i arsimit. Ishin ligjëruesit e parë. Ishin profesorët e parë. Ishin shkrimtarët e parë. Ndaj, duhet t’u japim shumë vlerë klerikëve. Ndiej kënaqësi që një klerik gëzon kaq respekt të madh dhe të lartë në letërsinë shqiptare por dhe në letërsinë mbarë”, tha Bajraktari.
Ndërkohë, duke u ndalur tek aspekti i bashkëjetesës fetare, Bajraktari tha se jo vetëm Fishta, jo vetëm shkodranët, “por dhe gjithë Shqipëria është vend që potencohet shumë bukur për marrëdhëniet e mira ndërfetare. Relatat e tyre ndërfetare tregohen edhe përmes letër shkëmbimeve të ndryshme por dhe përmes poezive ku Fishta ka përshkruar relatat e mira që ka pasur me klerikët myslimanë”.
Bajraktari veçoi marrëdhëniet e mira që Atë Gjergj Fishta kishte me imamin Hafiz Hasan Kadukun – stomatolog, tek i cili shkonin klerikë të ndryshëm, edhe Atë Gjergj Fishta.
Atë Mirash Marinaj, në pyetjen e moderatores se si ndikoi besimi katolik dhe përvoja e Fishtës si françeskan në mënyrën se si ai e konceptoi kombin dhe shoqërinë shqiptare, u shpreh se duhet, para së gjithash, të kuptojmë mesazhin dhe hapat e mëdhenj që Kisha Katolike ka bërë ndër shekuj në inkulturimin e besimit në gjuhën dhe kulturën shqiptare.
“Fishtën duhet ta kuptojmë si patriot e në veçanti si ai që i thuri shumë lavde kombit shqiptar e gjuhës shqipe. Pra, ta kuptojmë në këtë sens, pastaj si françeskan. Fishtën e shohim pikërisht si një bamirës të madh, si një françeskan në fushën e dijes”, theksoi ai.
Marinaj shtoi se Atë Gjergj Fishta nuk është i vetëm, por është pjesë e një grupi të madh françeskanësh të cilët u shkolluan në shkollat më të mira të Evropës e të Ballkanit.
“Ata kthehen në vendlindjen e tyre, ku gjejnë një situatë të mjerueshme të popullit të tyre, por ata në njëfarë mënyre nuk dorëzohen. Gjëja e parë që bëjnë, fillojnë të bashkojnë kulturën e popullit të tyre, e kultura më e madhe që populli kishte bashkuar ishte folklori. Patër Bernardin Palaj, Kurti etj. vazhdojnë të mbledhin kulturën që kishte mbetur dhe punojnë shumë për kulturën e tyre”, u shpreh patër Mirash Marinaj.
Ai tha se Atë Gjergj Fishta inkuadrohet si një françeskan apo si bamirës i kulturës së tij dhe se ai e ndiente si një detyrë hyjnore që të punonte gjithë natën me kandil ndezur për kulturën e popullit të tij.
Mbrëmja letrare u ndërthur edhe me recitimin e disa poezive të poetit të madh të kombit, Atë Gjergj Fishta.
Ky aktivitet kishte për qëllim të sillte në vëmendje figurën dhe veprën e Atë Gjergj Fishtës, si dhe lidhjen e tij të veçantë me Malësinë, historinë, traditat dhe njerëzit e saj, që u bënë pjesë e rëndësishme e frymëzimit dhe krijimtarisë së tij.
T. Ujkaj
