Një perpetuum mobile

Argëzon Sulejmani

Qelia numër pesë

“Të gjithë e matnin kohën me orë
Kur unë e matja me hap
Duke numëruar
Gjithë ditën ecja (…)
Me fije shkrepse të djegura
Shkruaja poezi
Dhe me to pastaj bëra Kullën e
Ajfelit” (…)

Poezia është këmisha që i bën secilit. Biles, i rri mirë secilit. Letërsia është pararojë e përgjigjeve të pa pyetje, sikurse është pikëpyetja e shumë përgjigjeve të pamundura.
Përzgjedhjet mbarëpoetike, përveç rritjes autoriale me të gjitha veçantitë stilistike e formësuese bëhen dëshmitarë dhe të rritjes kolektive të një vendi dhe të një populli. Tej kësaj, përderisa autori ka një ditë lindjeje dhe biologjikisht një ditë amshimi, përmbledhjet nisin ku e ku më përpara ardhjes së tij dhe rrojnë po në këto masa dhe pas ikjes së tij. Së këndejmi, përmbledhja që tanimë do të keni në duar u jep përgjigje dhe shumë pyetjeve publike e sensacionale deri të këtyre ditëve. Gurra popullore e poetike e një vendi nuk matet me unazat e një ulliri, ajo është rrënja e tij. Prandaj, dhe në këtë përmbledhje mund të gjeni dhe përgjigjet e munguara të këtyre ditëve ose logjikën e pa sens të disa pyetjeve.
Poeti bregabunas, Hajredin Kovaçi, pavarësisht që është rritur më afër rrjedhës se gurrës, asnjëherë nuk është shkëputur nga burimi i pashtershëm popullor. Në poezitë e tij, siç rëndom në poezi, zë vend të rëndësishëm nervi frazeologjik dhe aforizmatik i një populli dhe një krahine. Për secilin që sado pak ia ka idenë kësaj që po them, është e qartë se sa kohë i duhet një të thënme që të hyjë në oazën e frazeologjisë dhe aforizmatikës. Pra, në njëfarë forme, poetika që lidh një popull, një vend dhe një zë asnjëherë të përveçëm, i tejkalon kohët e numëruara dhe fakton më madhështoren e lidhjes së njeriut me tokën: autoktoninë.
Pra, poezia e Kovaçit, e shkruar këtu e gjysmë shekulli më parë, parafrazon motive e frymë që i kalon ku e ku arkivat historike e administrative. Në këtë aspekt, poezia, sidomos përmes frymëzimit dhe promovimit të gurrës gjuhësore popullore bëhet fakti më i gjallë i trashëgimisë së një zone: poezia bëhet tapí.
Poezia e Hajredin Kovaçit i kishte tetë vjet jetë në kohën kur do të takoheshin Kadare dhe Danillo Kish. Në atë bisedë, Danilloja do t’i fliste Ismailit për familjen, do të ndante me të rrëfenja sipas të cilave e ëma i kishte folur me pietet për malazezët dhe shqiptarët. Po ky poet i madh i Ballkanit dhe vetëm pak vite më pas do të jepte një intervistë ku do shprehej se: “te njerëzit që janë të detyruar të jetojnë nën sundimin e sistemeve totalitare shpesh zhvillohen cilësi dhe vlera që, pa trysninë e situatave ekstreme, nuk do të zhvilloheshin kurrë.
Nadezhda Mandelstam, e veja e poetit Josip Mandelstam, të cilin e vranë xhelatët e Stalinit, përfaqëson në mënyrë madhështore shumë poetë, shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë rusë, të cilët nuk i tradhtuan shokët e tyre – pavarësisht terrorit nga i cili ishin të rrethuar dhe që nuk i kurseu as jetët e tyre.
Edhe këtu lind kryepyetja: a nuk ishin poezia, letërsia dhe kultura faktorët që i shpëtuan këta njerëz nga devijimi!?
Për t’u rikthyer në mbrëmje dhe data që shënojnë tanimë pesëdhjetë vjet poetikë të autorit Kovaçi, duhet të pranojmë që në raport me kohën dhe njeriun e kemi të nevojshme të thirremi në mendje që gravojnë periudha në një mënyrë fantastike, poetike e hermetike.
Poetët nuk i imponohen kohës dhe nuk ka kohë që s’iu ka hyrë në hak poetëve.
Por, ata kanë vazhduar trajektoren e tyre, si t’u kishin bërë bé e rrëfe hyjnive dhe përtej atakimeve nga bindje publike, politike e deri religjioze që nuk arrinin ta kuptonin që Zoti e Njeriu më së shumti gjenden te dyshimet racionale dhe jo te militantizmat iracionale. Shembull, nobelisti Jun Fosse e cek në një vend se: Unë nuk e besoj ekzistencën e Zotit, unë e pohoj ekzistencën e tij. A e kuptoni sa i thellë është bekimi letraresk për një popull dhe vetë njerëzimin. Sa hutbe e liturgji do të duheshin të zbërthenin veç atë fjali të thënë më sipër, gjë të cilën mund ta bëjë veç poetika njerëzore si bekim hyjnor apo mbinatyror.
Poeti i madh rumun, Sorescu, te poezia “Perpetuum Mobile”, ka disa vargje mbresëlënëse që i rrijnë përshtati poetikës së kësaj zone dhe poetit të mbrëmjes si i përzgjedhur për ta skalitur fjalën e popullit të vet.
Në mes idealeve dhe arritjeve është një ujëvarë që duhet të racionalizohet me njëfarë hidrocentrali, thotë ai, parafrazikisht. Poezia, pikërisht është ai hidrocentrali që bën racionalen dhe iracionalen, pra atë hidrocentralin që mban gjallë dhe në lëvizje frymën e një populli të margjinalizuar, siç ishte dhe siç në masë është zona prej nga vjen poeti Kovaçi. Një Perpetuum Mobile është sorollatja vargjeve të tij për secilin lexues.
Një cikël që hap harkun nëpër kohët që të hapnin barkun.
Gurra popullore, që buron ku e ku nga nëntoka e bjeshkëve qiellore dhe eshtrave tejkohnore është thelbi dhe nervi i gati secilit poet të kësaj zone dhe normalisht dhe poetit Kovaçi si poet që veçse veprën, e ka lidhur vetë jetën me gurët e kësaj rrjedhe aspak të lehtë. Prandaj, pesëdhjetëvjetori i veprës poetike të një poeti ulqinak, anamalas e shkodran që, tej veprës i ka dhënë dhe jetën kësaj zone, përfaqëson një sensacion më vete. Jemi mësuar me poetë e shkrimtarë të kësaj treve që doemos e kanë veprën të ankoruar këtyre brigjeve por jo dhe me të atillë që kanë frymuar e gëluar bashkë me ne. Poeti Kovaçi është rasti i një poeti që jo vetëm ankorohet por lundron e jeton vazhdimisht bashkë me njeriun e vendit të vet. Për më tepër, siç rëndom jemi mësuar që poetët tanë t’i ftojmë e t’u prejmë bileta, në rastin e sontëm është poeti që na ka ftuar në vatrën e tij, në këtë vatër muzeale që s’do mend është energji e atij hidrocentrali që lidh idealet me arritjet.
Prandaj, përbën ngjarje të rrallë gjithçka që sonte po ndodh në Anë të Malit, në trekëndëshin Shkodër, Ulqin, Tivar, në vendin ku koha shpeshherë ka përtuar të ecë.
Por, ja që gjithnjë janë gjetur frymë që i janë bërë jetë atyre akrepave të stonuar e dhunuar. Janë gjetur gulçime gjaku që janë bërë një me gurrat e bjeshkëve e amanetet e eshtrave dhe nuk e kanë lënë kohën të ndalë.
Në këtë kontekst, do ta përmbyllë këtë meditim poetik nën hijen e poetit dhe mikut të Dinit, poetit Basri Çapriqi, ndanë vargjeve të tij nga Tivari i Vjetër, ku tjetër përveçse te Sahat kulla.
Sonte jemi në një shtëpi muze, në një veprimtari muzeale, te një bashkëvendas yni që duket që nuk e ka jetuar asnjë ditë veç për veten.
Dhe po sonte, me mburrje mund të themi që “tash po e shohim sa është sahati”.
Është sahat i yjeve.
Është sahat i majave.
Është sahat i gurrave.
Është sahat i kullave.
Është sahat i hajrit.
Sahati i një poeti.
Sahati dhe Kulla e Hajredin Kovaçit.

(Vështrimi është lexuar në promovimin e librit “Ylli i poetit” dhe shënimin e 50-vjetorit të krijimtarisë letrare të Hajredin Kovaçit, në Muzeun Etnografik – Draginë, më 15 gusht 2026)

Të fundit

më të lexuarat