Lëkura e qengjit mbi rrobat e vojvodës së çetnikëve

A mund të pritej një reagim, së paku, një distancim i përfaqësuesve tanë, ngase për Mea culpa nga partitë shqiptare në Mal të Zi, dhe jo vetëm, nuk jemi mësuar?

Nikollë Berishaj

Para disa muajsh, pikërisht më 3 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Malit të Zi publikoi lajmin se kryetari i Kuvendit, përndryshe vojvodë i çetnikëve, Andrija Mandiq, bashkë me nënkryetarin e tij nga Forumi Shqiptar, vizituan shkëlqesinë e tij, arqipeshkvin e Tivarit, monsinjor Rrok Gjonlleshaj. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi ia dhuroi arqipeshkvit aktual pikturën (portretin) e ish-arqipeshkvit të Tivarit, Nikolla Dobreçiqit.
Dhe pikërisht këtu qëndron ajo që, sipas meje, do të duhej të ishte alarm dhe arsye e kundërshtimit të partive shqiptare, veçanërisht Forumit Shqiptar, prej nga vjen nënkryetari, që ishte pjesë e delegacionit, prezent në takim.
Cili ishte mesazhi që përcolli kryetari i Kuvendit, kuptohet edhe nënkryetari i tij gjatë kësaj vizite?
Për t’u përgjigjur në këtë pyetje duhet të dihet se kush ishte dr. Nikolla Dobreçiqi dhe pse arqipeshkvit Rrok Gjonlleshaj iu dha si dhuratë pikërisht fotografia e tij?
Prej të dhënave lehtë të qasshme, Nikolla Dobreçiqi u lind në Bartull (Tivar), më 1872. Pasi familja e tij e kishte prejardhjen nga fshati Dobrec, ai e mori këtë mbiemër (të cilit më vonë ia shtoi prapashtesën sllave -iq). Pas rënies së Tivarit nën Malin e Zi, me vendimin e Kongresit të Berlinit (1878), ai përfundoi shkollën popullore serbe.
Në vitin 1890, Dobreçiqi u dërgua nga prindërit e tij në Romë, në Seminarin Papnor Romak. Doktoroi në teologji e më vonë në filozofi. Si prift u shugurua më 1898 në Lateran. Një vit më vonë kthehet në vendlindje. Në vitin 1905, kur u emërua famullitar në Cetinë, ai dha mësim në shkollën fillore e më vonë edhe në gjimnazin e Cetinës (1907-1913). Aty filloi karrierën e tij në çështjet qeveritare dhe të biznesit duke punuar si stenograf për Asamblenë Kombëtare Malazeze.
Gjatë Luftës së Parë Botërore ai “tregoi patriotizmin e vet serbo-malazias dhe me shkrimet e tij u rreshtua për rezistencën çetnike.”
Si arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Tivarit (1912-1955), në aspektin kombëtar ai deklarohej si serb katolik. Lidhjet e tij me dinastinë e Petroviqëve ishin tejet të ngushta deri në Kuvendin e Podgoricës, më 1918, kur u rreshtua në anën e serbëve dhe përkrahu e përshëndeti, në emër të komunitetit katolik, okupacionin serb të Malit të Zi, nën udhëheqjen e dinastisë së Karagjorgjeviqëve.
Më 1919 shkoi në Selinë e Shenjtë, ku nxori me sukses pranimin e shtetit të porsaformuar të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene nga Vatikani.
Krijimin e shtetit të ri e shihte si mundësi të ngritjes së tij në hierarkinë shoqërore. Kështu (më 1922) propozoi që qendrën e Arqipeshkvisë, institucionit më të vjetër në trevat shqiptare të themeluar më 1089, ta kalonin në Beograd, ndërkohë që Arqipeshkvisë t’i zbritej niveli në ipeshkvi dhe të mbetet sufragane e saj (e varur nga Beogradi). Nikolla Pashiqi, kryeministër i Mbretërisë SKS, e propozoi atë për arqipeshkëv të Beogradit, por këto dy ide nuk ishin të pranueshme për Vatikanin. Edhe vetë pranimi që ia bëri mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq, më 23 tetor 1923 në Tivar, tregon qartazi për marrëdhëniet e shkëlqyera të tij me dinastinë në pushtet.
Më 20 qershor 1935, Dobreçiqi hapi “Seminarin Serb të Arqipeshkvit dhe Primatit” në rezidencën e tij, me qëllim përmirësimin e arsimit. Në anën tjetër, në vitin 1939 ai e hodhi poshtë idenë e një Seminari Katolik në Tivar që do t’i shërbente një popullsie më të madhe jashtë selisë së tij.
Pushteti i ri komunist, më 1945 u prit nga Konferenca Ipeshkvnore e Jugosllavisë shumë ashpër. Veçanërisht pas Letrës baritore të Konferencës Ipeshkvnore të Jugosllavisë, me në krye dr. Alojzije Stepinac, arqipeshkëv i Zagrebit, të cilën e nënshkruan 18 arqipeshkëv, ipeshkëv, vikarë nga e tërë Jugosllavia. Në mes tyre nënshkrues ishte edhe Nikolla Dobreçiqi (fill pas Stepincit, pra i dyti me rend). Mirëpo, pas sulmit që i bënë autoritetet komuniste jugosllave letrës që fliste për padrejtësitë e bëra në Jugosllavinë e Parë kundër Kishës Katolike romake dhe kërkonte pozitë më të mirë të kishës në shtetin e ri, Nikolla Dobreçiqi, jo vetëm se e tërhoqi nënshkrimin nga letra dhe u distancua prej saj, por edhe e dënoi ashpër atë, duke kundërshtuar kështu vendimet e marra nga Konferenca Ipeshkvnore në Zagreb, pjesë e së cilës ishte.
Me arrestimin e Stepincit dhe distancimin e Dobreçiqit, regjimi arriti të neutralizonte rezistencën e organizuar të hierarkisë kishtare, duke e detyruar Kishën Katolike në Jugosllavi të hynte në një periudhë të gjatë mbijetese e izolimi. Prej figurave të njohura kishtare shqiptare nga Arqipeshkvia e Tivarit, pas këtij akti të arqipeshkvit, pësuan meshtarët, faji i të cilëve ishte se e kishin lexuar në meshë Letrën baritore të Konferencës Ipeshkvnore, të cilën, siç thamë, e kishte nënshkruar edhe vetë arqipeshkvi i tyre:

  • Dom Prëkë Pali, Malësi e Madhe (Tuz, Grudë e Hot) dhe Ana e Malit;
  • Dom Zef Toshi, Krajë, Ana e Malit;
  • Atë Bernardin Llupi (OFM) shërbeu në zonat kufitare të Arqipeshkvisë, në Pejë dhe në zonat malore;
  • Don Luigj Gashi, Kosovë dhe zonat e kontaktit me Arqipeshkvinë e Tivarit;
  • Patër Leonard Tagaj (frati i Hotit) ishte viktima e parë e meshtarëve shqiptarë nga dora komuniste jugosllave (PKJ), që u mor si shembull nga motra e saj e vogël, PKSH, për terrorin e saj në Shqipërinë politike, veçanërisht ndaj klerikëve katolikë.
    Nga biografia e tij del se përpos “gjuhës së tij amtare – serbe” njeh edhe tetë gjuhë të tjera, se ka shkruar edhe poezi – pamflete kushtuar burrave të shtetit dhe prelatëve malazezë dhe serbë, në serbisht, latinisht, frëngjisht dhe italisht.
    Në aspektin politik është më i afërmi dhe bashkëpunon me Unionin Radikal Jugosllav, të udhëhequr nga Millan Stojadinoviqi, e më vonë Dragisha Cvetkoviqi, ndërkaq në ballinën e kishës së Shën Nikollës, të punuar pranë selisë së Arqipeshkvisë me fonde të vendasve, shënon moton e tij si arqipeshkëv “Za boga i za svoj narod” (Për Zotin dhe për popullin e tij), të shkruar në gjuhën serbe, me shkronja cirilike.
    Pra, a është e qartë pse kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, vojvoda i çetnikëve, që sipas deklarimit personal ka marrë pjesë në luftërat prej vitit 1991, përfshirë edhe vitin 1999 (luftën në Kosovë), prej 61 arqipeshkëve të Arqipeshkvisë së Tivarit zgjedh pikërisht pikturën e Nikolla Dobreçiqit për t’ia dhuruar arqipeshvit të 62-të monsinjorit Rrok Gjonlleshaj?
    Besoj se kjo nuk duhet elaboruar më gjatë. Ai, Mandiqi, dëshiron që shqiptarët në Mal të Zi të kenë qëndrime të ngjashme me ato të Dobreçiqit. Të jenë lojalë për idenë e radikalizmit serb, ku bën pjesë edhe vetë ai (kryetari i Kuvendit), me gjithë lëkurën e qengjit që po e mban dy vitet e fundit. Të heqin dorë nga identiteti i tyre kombëtar, siç kishte bërë subjekti i pikturës.
    A nuk do të ishte më njerëzore t’ia kishte dhuruar portretin e ndonjë arqipeshkvi tjetër, si Marin Bici, Pjetër Bogdani, Vinçanc Zmajeviqi…, por jo, ata nuk i plotësonin kriteret që i duheshin Mandiqit.
    Por, për mua është shumë më siptomatik dhe më problematik fakti, se këtë dhuratë ia jep arqipeshkvit në prezencë të nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi nga Forumi Shqiptar, e ai nuk reagon. E kam shumë vështirë ta pranoj se ai, nënkryetari, pra, nuk dinte se kush ishte Nikolla Dobreçiqi? Se nënkryetari nga Forumi Shqiptar nuk ishte i informuar për dhuratën që do t’i dorëzohej në prezencën e tij?
    Më vështirë mund ta pranoj faktin që as ai personalisht, as Forumi Shqiptar, nuk u deklaruan lidhur me këtë gjest – dhuratën. As që e publikuan lajmin për të, së paku unë nuk e gjeta.
    Edhe një gjë. Nga informata e dhënë nga vetë Kuvendi i Malit të Zi, mësohet se “bashkëbiseduesit theksuan se të krishterët në këtë hapësirë, ortodoksët dhe katolikët, kanë pasur raporte jashtëzakonisht të mira në të gjitha kohët, e veçanërisht kanë bashkëpunuar gjatë okupacionit osman”.
    As për këtë deformim grandioz të historisë në këto treva asnjë reagim! Prej askujt! A thua duhet t’i pranojmë të gjithë të vërtetat e tilla, qofshin ato edhe të aminuara nga përfaqësuesit tanë politikë, që për interesa të ngushta partiake kanë lidhur koalicione të tilla. Unë këtë, jo vetëm që nuk e besoj, por me indinjatën më të thellë e hedh si tentim i pastrimit të trurit të bashkëkombësve të mi. Aty, sipas Mandiqit, duhej përjashtuar shqiptarët jo të krishterë (lexo myslimanë!), me qëllim të futjes së përçarjes në mes tyre.
    Sa për arqipeshkvin Gjonlleshaj dhe pranimin e dhuratës, nuk kam ç’të them. Kalit të falur, thotë populli, nuk i shikohen dhëmbët!

Të fundit

më të lexuarat