Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën e kaluar (12 gusht 2026) në takim në Prishtinë zëvendëskryeministrin për Politikë Ekonomike dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, dhe kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
“Bashkëbiseduam për pozitën dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të Zi, rolin e tyre në jetën politike e institucionale, si dhe për zhvillimet me rëndësi për komunitetin shqiptar. Faktori shqiptar ka qenë dhe mbetet një forcë e rëndësishme e orientimit euroatlantik dhe zhvillimit demokratik të Malit të Zi”, thuhet në deklaratën për media të MPJD së Kosovës.
Në të thuhet po ashtu se “marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mbështeten në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim, ndërsa Mali i Zi mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës në proceset integruese evropiane”.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, dhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha.
Takimi është zhvilluar në ditën e tretë të Konferencës IX të Ambasadorëve, ku Gjeloshaj dhe Nimanbegu, së bashku me gazetarin dhe veprimtarin kulturor Ismet Kallaba ishin pjesë e panelit me temë “Integrimi i Malit të Zi në BE dhe roli i faktorit shqiptar”, ku është zhvilluar një diskutim i hapur dhe përmbajtësor mbi kontributin historik dhe aktual të shqiptarëve në shtetndërtimin, demokratizimin dhe orientimin euroatlantik të Malit të Zi.
Në fokus të panelit ka qenë sidomos roli i përfaqësuesve politikë, institucionalë dhe shoqërorë shqiptarë në proceset kryesore politike të vendit, përfshirë mbështetjen për pavarësinë, anëtarësimin në NATO dhe avancimin e procesit të integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Vëmendje e veçantë i është kushtuar mundësive që ofron procesi negociues me BE-në për adresimin e këtyre çështjeve përmes reformave, standardeve evropiane dhe projekteve konkrete zhvillimore.
(Kohapress)
