Gjatë vizitës së tij në Ulqin, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar të enjten (6 gusht 2026) në zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Ulqin, një takim me kryetarët e partive politike shqiptare në Malin e Zi.
Në njoftimin e Presidencës së Republikës së Shqipërisë thuhet se Begaj ka konfirmuar mbështetjen e të gjithë shtetit shqiptar ndaj faktorit politik shqiptar në Malin e Zi dhe të drejtat e tyre.
“Presidenti shprehu besimin se punët e mira të nisura në komunat e Ulqinit dhe Tuzit do të vijojnë të jenë një urë e fortë lidhëse midis dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në njoftimin e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Ulqin thuhet, ndër të tjera, se “në takim u diskutua mbi sfidat e së tashmes dhe së ardhmes, faktorizimin e mëtejshëm të Ulqinit në bashkëpunimin me Shqipërinë, në të gjitha fushat dhe perspektivat tona evropiane”, duke shtuar se Presidenti Begaj shprehu gatishmëri për komunikim të ndërsjellë dhe konkret me subjektet politike shqiptare në Mal të Zi, në funksion të rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit me shqiptarët e Malit të Zi.
Në takim morën pjesë kryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmed Zenka, kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, ndërsa nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Forumit Shqiptar.
Gjatë vizitës së tij në Ulqin, Presidenti Bajram Begaj është pritur edhe nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
“Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat dhe projektet e komunës, vizionin dhe programet zhvillimore, si dhe mbi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës së Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj mori pjesë po ashtu në ceremoninë e hapjes së edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin.
(Kohapress)
