(Hajredin Kovaçi, Ylli i poetit, SHAI “Art Club”, Ulqin, 2026)
Poeti Hajredin Kovaçi vjen para lexuesit me librin “Ylli i poetit”, një përzgjedhje nga krijimtaria e tij poetike. Libri përbëhet nga 131 poezi, të përzgjedhura prej pesë vëllimeve poetike të autorit nga studiuesi i letërsisë Zija Vukaj, i cili njëkohësisht është edhe redaktor i librit.
Librit i paraprin një vështrim i redaktorit Zija Vukaj mbi poetikën e poetit Hajredin Kovaçi, ku ai nënvizon se në të gjithë kolanën e tij krijuese, përveçse një shpirt i ndjeshëm dhe me kërkesa të larta estetike, autori shfaqet më së shumti një poet i angazhuar.
“Angazhimi i tij shprehet në tematika që kanë të bëjnë me historinë kombëtare, me vendlindjen, me pozitën e njeriut në sistemin shoqëror, me të gjithë kompleksitetin e përjetshëm dhe revoltën e individit ndaj malit migjenian, vendosur në të tjera hapësira dhe në tjetër kohë”, shprehet, mes tjerash, studiuesi i letërsisë nga Shkodra.
Ndërsa në recensionin e tij mbi këtë përzgjedhje me poezi të Kovaçit, poeti Argëzon Sulejmani vë në dukje se edhe në këtë përmbledhje vihen re katër konceptet bazike ose katër humuset e bimësisë poetike të tij: heshtja, fjala, frika dhe liria.
“Ndërlidhja e heshtjes me frikën, poetin thellë e preokupon, kurse në dashuri po kaq rëndë e trazon. Njëjtë ngjan edhe te ndërlidhja e fjalës dhe lirisë, si qëllim më vete për vetë autorin dhe gjithësinë e llojit të tij poetik, e që, në anën tjetër kthehet dita-ditës në dramë pa shije në terrenin publik”, shkruan recensenti i librit.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Redaktor gjuhësor i librit është Ismet Kallaba, ballina e librit është disenjuar nga piktori Agron Ujkashi, ndërsa faqosjen e ka bërë Qazim Muja.
Hajredin Kovaçi ka botuar deri tani vëllimet me poezi: “Ecje pa mbarim”, “Fundi është larg”, “Vrasja e frikës”, “Zhdukja e heshtur”, “Vdekja e fjalës” dhe përzgjedhjen në gjuhën malazeze “Maske moraju pasti”. Përmbledhja me poezi të zgjedhura “Ylli i poetit” është libri i tij i shtatë.
i. k.
