Me rastin e 300-vjetorit të vendosjes së arbëneshëve në Zarë nga Kraja e Shkodrës, Shoqata “Kraja” me seli në Nju Jork organizoi të hënën (3 korrik 2026) në Shtëpinë e Kulturës në Ostros tryezën e rrumbullakët me temë “Arbëneshët e Zarës – e shkuara dhe e tashmja”.
Në fjalën e hapjes, Dr. Nail Draga, ka thënë se jemi mbledhur të shënojmë një vit historik për popullin shqiptar, kryesisht popullin shqiptar të Krajës së Shkodrës, për arsye se është një vit jubilar – 300-vjetori i vendosjes së tyre në Arbnesh të Zarës.
“Janë tre shekuj të mbijetesës, janë tre shekuj të historisë sonë kombëtare. Por kemi të bëjmë me një diasporë shqiptare historike, e cila në rrethana të veçanta shoqërore dhe politike ka ruajtur identitetin e vet dhe si e tillë ajo na bën krenarë”, ka theksuar ai.
Ndërsa në emër të organizatorit, pjesëmarrësit i ka përshëndetur nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, Hamid Alaj.
“Arbëneshët e Zarës përbëjnë një objekt studimi me interes të veçantë për historiografinë shqiptare. Prandaj kjo tryezë paraqet një forum të rëndësishëm studimi, ku përmes dialogut shkencor dhe ideve të shprehura do të kemi mundësi të ndriçojmë aspekte të reja të historisë së arbëneshëve të Zarës”, ka thënë ndër të tjera ai.
Me kumtesat e tyre në këtë tryezë të rrumbullakët janë paraqitur gjashtë kumtues: Dr. Nail Draga me prezantimin e librit të Kruno Krstiqit “Vendosja e arbëneshëve në Zarë”, Qazim Muja me kumtesën “Epopeja e një gjaku që u bë frymëzim”, Prof. dr. Besim Muhadri nga Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” me kumtesën “Kontributi i prof. Isak Shemës në studimin e veprës së Josip Relës dhe të arbëneshëve në Zarë”, Arbër Dobreci me kumtesën “Kontributi i Dr. Simë Dobrecit dhe revistës ‘Buzuku’ në shpalosjen e identitetit të arbëneshëve në Zarë”, Ali Gjeçbritaj me kumtesën “Drama ‘Nita’ – kryevepra letrare e Josip Relës” dhe Dom Gabriel Grabanica me kumtesën “Përshtypje nga vizita tek arbëneshët e Zarës (dhjetor 2016)”.
Megjithëse duhet vlerësuar iniciativën e organizatorit, një përvjetor i tillë meriton një shënim më dinjitoz dhe më në nivel, qoftë në aspektin organizativ por edhe të kumtuesve, pa mohuar kontributin e kumtuesve pjesëmarrës.
Iniciativë për vendosjen e pllakës përkujtimore
Shoqata “Kraja” ka inicuar vendosjen e një pllake përkujtimore kushtuar 300-vjetorit të shpërnguljes së banorëve nga treva e Krajës dhe Shestanit në Zarë, Dalmaci e gjetiu.
Në tryezën e rrumbullakët është bërë e ditur se pllaka do të jetë e shkruar në tri gjuhë – shqipe, malazeze dhe angleze dhe se do të vendoset në një vend të përshtatshëm në Ostros.
Kjo iniciativë pritet të realizohet në bashkëpunim me Bashkësisë Lokale Ostros dhe pushtetin lokal në Tivar.
Mungesa e mediave
Ajo që ra në sy ishte mungesa e pranisë së mediave në tryezën e rrumbullakët.
“Koha javore” nuk ishte ftuar zyrtarisht nga organizatori për të përcjellë këtë aktivitet, derisa nuk dimë për mediat tjera nëse kishin ftesë apo jo!
Nata e diasporës
Shoqata “Kraja” me seli në Nju-Jork organizoi të hënën mbrëma (3 korrik 2026) manifestimin e përvitshëm tradicional “Nata e diasporës”, dedikuar mërgimtarëve krajanë që po i kalojnë pushimet në vendlindje, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë.
Në koncertin e organizuar me këtë rast, të pranishmit i kanë argëtuar një numër i madh i këngëtarëve vendas dhe të ftuar.
Sipas traditës, ky manifestim i dedikohet për çdo vit një figure të shquar nga kjo trevë.
Nënkryetari i Shoqatës “Kraja”, Hamid Alaj, ka thënë se këtë vit kanë vendosur që “Nata e diasporës” t’i kushtohet Gjokë Dabajt, duke i ndarë mirënjohje me motivacionin “për kontributin e tij të vyer në ruajtjen, promovimin dhe mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar”.
i. k.
