Kuvendi i Komunës së Plevlës ka votuar për propozimin e Deklaratës me të cilën kërkohet anulimi i vendimit për njohjen e Republikës së Kosovës nga Mali i Zi.
Për deklaratën kanë votuar 18 këshilltarë të shumicës. Përpos këshilltarëve të shumicës, në seancë kanë marrë pjesë edhe këshilltarët e Lëvizjes Evropa Tani, Radomam Andesiliq dhe Tamara Rosiq, si dhe këshilltari i pavarur, Sasha Jeçmenica, të cilët e kanë lëshuar sallën e Kuvendit para votimit.
Përfaqësuesit e opozitës nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve, nuk kanë marrë pjesë në seancë.
Në këtë mënyrë, Plevla i bashkohet Zetës duke u bërë komuna e dytë në Mal të Zi që kërkon shfuqizimin e vendimit të njohjes së Republikës së Kosovës nga Mali i Zi.
Kryetari i Komunës së Plevlës, Dario Vranesh, ka kërkuar nga këshilltarët e Partisë Popullore Demokratike të Millan Knezheviqit që të iniciojnë miratimin e një deklarate të tillë edhe në Kuvendin e kryeqytetit Podgoricë.
I pyetur lidhur me vendimin e dy kuvendeve komunale, kryeministri Millojko Spajiq ka thënë në orën e kryeministrit në Kuvendin e Malit të Zi se “komunat nuk kanë kurrfarë roli në udhëheqjen e politikës së jashtme në vendin tonë”.
(Kohapress)
