Forcim i bashkëpunimit në funksion të të drejtave të shqiptarëve dhe integrimit evropian

Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga deputetja Jorida Tabaku, ka zhvilluar gjatë javës së kaluar (21-22 korrik 2026) një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku ka pasur takime të shumta me përfaqësues të Kuvendit të Malit të Zi, Qeverisë së Malit të Zi dhe komunave të Ulqinit dhe Tuzit.
Ata janë takuar me nënkryetarët e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj dhe Mirsad Nurkoviq, si dhe me disa deputetë, me të cilët kanë biseduar mbi procesin e integrimit europian dhe respektimin e të drejtave të pakicave.
“Në takimin e veçantë me Nikollë Camajn diskutuam më në hollësi mbi situatën e shqiptarëve në Malin e Zi dhe mbështetjen konkrete që mund të ofrojmë, si nëpërmjet Komisionit, ashtu edhe përmes bashkëpunimit ndërmjet dy kuvendeve”, ka shkruar deputetja Tabaku në rrjetin social Facebook.
Në takim me përfaqësuesit e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Malit të Zi, në fokus ishte bashkëpunimi mes dy parlamenteve në funksion të synimit të përbashkët – integrimit europian.
Delegacioni parlamentar është takuar edhe me ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, me të cilin kanë diskutuar mbi të drejtat e shqiptarëve, forcimin e përfaqësimit të tyre politik dhe institucional, si dhe nevojën për më shumë mbështetje dhe investime në zonat ku ata jetojnë.
Po ashtu ata janë takuar edhe me ministrin e Energjisë dhe Minierave, Admir Shahmanoviq, dhe me ministren për Çështjet Europiane, Maida Gorçeviq.
Delegacioni parlamentar, i shoqëruar nga ambasadorja e Shqipërisë, Prof. dr. Zhaklina Peto, ka vizituar edhe dy komunat me shumicë shqiptare në Malin e Zi – Ulqinin dhe Tuzin. Në takim me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, është diskutuar jo vetëm për sfidat e pushtetit vendor, por mbi të gjitha për gjendjen e shqiptarëve dhe përfaqësimin e tyre në Malin e Zi, ndërsa me kryetarin e Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit dhe projektet me interes të përbashkët, me synimin për të thelluar më tej lidhjet institucionale.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat