Ka filluarrikonstruksionii rrugës rajonale Katërkollë-Ostros

Drejtoria për Komunikacion ka bërë të ditur se kanë filluar punimet përgatitore për rikonstruksionin e rrugës rajonale R-15 Katërkollë-Ostros, siç thuhet në deklaratën për shtyp, njërin prej projekteve infrastrukturore më të rëndësishme për komunat e Ulqinit dhe Tivarit.
Rikonstruksioni përfshin aksin rrugor me gjatësi 17 kilometra, ndërsa vlera e punimeve në bazë të kontratës është 18.14 milionë euro, që do të thotë pak më shumë se një milion euro për një kilometër.
Punimet do të kryhen nga ndërmarrja “Putevi Bar” nga Tivari, ndërsa mbikëqyrja e punimeve do të bëhet nga ndërmarrja “Geo Spiin” nga Podgorica.
Projekti i rikonstruksionit të kësaj rruge përfshin zgjerimin e rrugës ekzistuese dhe përmirësimin e karakteristikave teknike të saj. Kjo do të thotë se me projekt është planifikuar sanimi i urave, ndërtimi i mureve mbrojtëse, sanimi i vendeve ku ka rrëshqitje të dheut, rregullimi i sistemit të ujërave atmosferikë etj. Më herët është paralajmëruar edhe ndërtimi i korsisë për automjetet me shpejtësi të vogël, në vendet ku kjo gjë është e nevojshme.
Tenderi për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor është hapur në korrik të vitit të kaluar, ndërsa punimet pritet të përfundojnë në gusht 2028.
Rikonstruksioni i kësaj rruge vlerësohet me rëndësi të posaçme sidomos për trevën e Krajës dhe për fshatrat e Anës së Malit që gravitojnë në këtë pjesë.
Nga Drejtoria për Komunikacion kanë deklaruar se me realizimin e këtij projekti do të rritet siguria në komunikacion, do të përmirësohet lidhshmëria e Katërkollës dhe Ostrosit si dhe qasja e vendbanimeve në këto dy treva, krahas krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të kësaj zone që i përket komunave të Ulqinit dhe Tivarit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat