Mali i Zi dhe Kosova kanë nënshkruar të premten (17 korrik 2026) në Prishtinë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të shërbimeve të besuara dhe identifikimit elektronik, e cila synon të lehtësojë përdorimin e shërbimeve digjitale ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në kuadër të transformimit digjital dhe integrimit evropian.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministrat e Administratës Publike të Malit të Zi dhe Kosovës.
Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, ka vlerësuar se marrëveshja do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.
“Kjo marrëveshje ka rëndësi shumë të madhe, në radhë të parë për qytetarët tanë të të dyja vendeve, të cilët jetojnë e punojnë në Republikën e Kosovës, por natyrisht edhe në Mal të Zi. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për bizneset dhe për krejt bashkëpunimin që është kryesor për integrimin tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar ai.
Dukaj ka thënë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mali i Zi dhe Kosova formalisht i heqin kufijtë digjitalë ndërmjet dy shteteve.
“Me këtë tregojmë se rajoni i Ballkanit Perëndimor mund dhe di të bashkëpunojë në nivel të standardeve evropiane më bashkëkohore. Digjitalizimi është ura jonë më e shpejtë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.
Ndërkaq ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, ka thënë se marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e transformimit digjital dhe integrimit evropian të Kosovës.
“Kjo marrëveshje ka të bëjë me njohjen e shërbimeve të kualifikuara të besuara dhe të skemave të identifikimit elektronik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne, Kosova me Malin e Zi, kemi marrëdhënie shumë të mira miqësore që bazohen në vlerat e përbashkëta, respektin e ndërsjellë dhe aspiratat e përbashkëta që kemi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e sotme është edhe një hap i radhës drejt forcimit të këtyre marrëdhënieve tona bilaterale”, është shprehur ai.
Me këtë marrëveshje, e cilësuar si një hap historik, të dy vendet kanë hequr zyrtarisht barrierat digjitale, duke hedhur themelet për bashkëpunim modern dhe efikas ndërkufitar.
Përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta ndiejnë biznesmenët dhe qytetarët e të dy vendeve. Dokumenti garanton të njëjtin efekt ligjor të nënshkrimit dhe vulës elektronike si në Mal të Zi ashtu edhe në Republikën e Kosovës. Kjo do të thotë që kompanitë nga Mali i Zi dhe Kosova tani do të jenë në gjendje të bëjnë biznes menjëherë, pa barriera administrative dhe procedura të ndërlikuara. Në të njëjtën kohë, hapet rruga që administratat publike të zhvillojnë shërbime të përbashkëta ndërkufitare elektronike që do të lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Ministri Dukaj ka thënë se beson që Mali i Zi, deri në fund të tetorit, do të nënshkruajë këtë marrëveshje me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, gjë që sipas tij, është një arritje shumë e madhe për aspiratat e vendit drejt Bashkimit Evropian.
(Kohapress)
