Me kërkesë të prodhuesve të duhanit në Mal të Zi, të enjten (2 korrik 2026) në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore është mbajtur takimi me prodhuesit e duhanit në Mal të Zi, në të cilin është biseduar mbi mundësitë e avancimit dhe rregullimit ligjor të prodhimit të duhanit.
Në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë Ujore thuhet se në emër të kësaj ministrie në takim kanë marrë pjesë sekretari shtetëror Krsto Ragjenoviq, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Bujqësisë, Mirosllav Cimbaleviq, kryeshefi i Drejtorisë për Punë Inspektuese, Ranko Bogavac dhe kryeshefja e Drejtorisë për Prodhimin e Bimëve, Amra Terziq.
Në mesin e pjesëmarrësve në takim kanë marrë pjesë disa prodhues të duhanit nga Kraja, ndërsa mbështetje atyre u kanë ofruar edhe deputetët e Kuvendit të Malit të Zi, Artan Çobi dhe Dr. Ilir Çapuni, të cilët kanë marrë pjesë në diskutimet për gjetjen e zgjidhjes afatgjatë për këtë fushë.
“Gjatë takimit u diskutuan sfidat me të cilat përballen prodhuesit e duhanit, me vlerësimin e përbashkët se është e nevojshme të krijohen kushte për prodhim të organizuar në përputhje me rregulloret ligjore aktuale. U theksua veçanërisht se prodhimi i duhanit përfaqëson një traditë të gjatë dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash për prodhues të shumtë bujqësorë, prandaj është e nevojshme të gjendet një model i qëndrueshëm për zhvillimin e tij të mëtejshëm”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Një nga përfundimet më të rëndësishme të takimit është rënia dakord për formimin e një grupi pune që do të zhvillojë bisedime me përpunuesit e duhanit nga rajoni sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim krijimin e kushteve për lidhjen e kontratave me prodhuesit vendas të duhanit.
“Kjo do të mundësonte që prodhimi të organizohet në përputhje me dispozitat e Ligjit aktual për Duhanin, duke siguruar njëkohësisht distribucion më të sigurt dhe qëndrueshmëri afatgjatë të këtij aktiviteti bujqësor”, theksohet më tej në deklaratën për shtyp.
Takimi është zhvilluar vetëm disa ditë pasi që organet shtetërore konfiskuan duhan nga disa prodhues në trevën e Krajës.
Deputeti Artan Çobi nga Forumi Shqiptar e ka vlerësuar takimin shumë të rëndësishëm dhe konstruktiv, duke shprehur mbështetje të plotë për prodhuesit vendorë të duhanit dhe kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ligjore.
“Së bashku me disa prodhues të duhanit nga Kraja, isha aty për t’u dhënë zë dhe mbështetje të plotë kërkesave të prodhuesve tanë. Prodhimi i duhanit nuk është thjesht një aktivitet bujqësor, por një traditë shumëvjeçare dhe një burim jetik i të ardhurave për shumë familje në rajonin e Krajës. Sfidat me të cilat ata përballen sot kërkojnë reagim të shpejtë dhe institucional”, ka shkruar ai në një postim në rrjetin social Facebook.
Pjesëmarrës në takim ka qenë edhe deputeti i Aleancës Shqiptare, Dr. Ilir Çapuni, i cili në një diskutim të tij në Kuvendin e Malit të Zi, në shkurt të këtij viti, ka kërkuar mbrojtje ligjore të “duhanit të Krajës”.
Ai ka kërkuar nga ministri i Bujqësisë që të veprohet konkretisht përmes ndryshimeve ligjore, duke propozuar që të futet kategoria “prodhues i vogël i duhanit tradicional”, të mundësohet regjistrimi i thjeshtë i fermave familjare, të vendoset akciza e diferencuar dhe proporcionale si dhe që shteti ta mbrojë “duhanin e Krajës” si produkt me origjinë gjeografike.
“Në Krajë duhani nuk mbillet për luks. Ai mbillet për mbijetesë. Breza të tërë me atë duhan kanë shkolluar fëmijët, kanë ndërtuar shtëpi dhe kanë qëndruar në tokën e tyre. Kjo nuk është industri – kjo është traditë. Megjithatë, ajo sot trajtohet si shkelje ligjore”, ka thënë deputeti Çapuni.
(Kohapress)
