Automjetet klasike tërhoqën vëmendjen e vizitorëve

“Kemi kënaqësinë të kemi pjesëmarrës nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kroacia, të cilët i falënderojmë për praninë dhe pjesëmarrjen e tyre”, u theksua në hapje të aktivitetit

Edicioni i dytë i “Old Timer Fest Malësia” u mbajt të dielën, më 28 qershor 2026, duke nisur gjatë ditës me defileun e automjeteve klasike në itinerarin e përcaktuar në rrugët e komunës së Tuzit.
Ndërkaq, të njëjtën ditë në mbrëmje, automjetet u ekspozuan në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, ku një grup qytetarësh pati mundësi t’i shihte ato nga afër.
Në hapje të këtij aktiviteti u theksua se rreth njëzet automjete klasike qarkulluan në territorin e komunës së Tuzit, duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e qytetarëve.
“Kemi kënaqësinë të kemi pjesëmarrës nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Kroacia, të cilët i falënderojmë për praninë dhe pjesëmarrjen e tyre”, u theksua në hapje të aktivitetit.
Ndërkohë, aktivitetin e shpalli të hapur drejtori i Organizatës Turistike të Tuzit, Alen Gjokaj, i cili shprehu kënaqësi të veçantë për pjesëmarrësit dhe dashamirësit e automobilizmit klasik, të cilët, siç tha ai, me praninë e tyre e pasuruan jetën kulturore, turistike dhe shoqërore të komunës.
Ai falënderoi individët (bashkorganizatorët), të cilët kanë qenë urë lidhëse mes Komunës së Tuzit dhe klubeve të automjeteve “Old timer” nga i gjithë rajoni.
“Shpresoj se të gjithëve kjo vizitë t’ju lërë kujtime të bukura dhe do t’ju motivojë të riktheheni sërish në komunën tonë, për të njohur nga afër bukuritë natyrore, trashëgiminë historike, kulturën dhe mikpritjen e Malësisë”, u shpreh Gjokaj.
Gjatë këtij aktiviteti, publiku pati mundësinë të votojë automjetin e preferuar në mesin e makinave të ekspozuara.
Ky aktivitet u organizua nga Komuna e Tuzit në bashkëpunim Organizatën Turistike të Tuzit dhe me mbështetjen e “Oldtimer Club”-it nga Ulqini, ndërsa është i pari në kuadër të manifestimit “Vera në Malësi”, i cili, sipas programit të publikuar, përfshin aktivitete kulturore, sportive dhe artistike deri në muajin shtator.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat