Traditë që bashkon dashamirësit eautomobilizmit historik

Ulqini u shndërrua edhe këtë vit në qendrën e adhuruesve të automobilave klasikë, duke mirëpritur edicionin e 18-të të manifestimit tradicional “Oldtimer Fest”, organizuar nga Oldtimer Club “Ulcinium” me mbështetjen e Organizatës Turistike të Ulqinit.
Manifestimi mblodhi koleksionistë dhe entuziastë të automjeteve historike nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, duke dëshmuar edhe një herë se pasioni për automjetet klasike nuk njeh kufij.
Parada e automjeteve nisi në shëtitoren e Ranës, në Plazhin e Vogël, ku banorë të shumtë dhe turistë patën mundësinë të admirojnë nga afër dhjetëra makina të restauruara me kujdes, secila me historinë dhe veçantinë e saj. Më pas, aktivitetet vazhduan edhe të nesërmen, me grumbullimin e pjesëmarrësve pranë Hotelit “Otrant”, për të vijuar drejt kompleksit Lamiga në Anën e Malit dhe për t’u përmbyllur me një ceremoni solemne në Parkun “Hajdari” në Zenelaj.
Kryetari i Oldtimer Club “Ulcinium” dhe organizatori i manifestimit, Dashamir – Dasho Draga, tha se ky aktivitet tashmë është bërë një traditë që bashkon çdo vit dashamirësit e automobilizmit historik.
“Ky është edicioni i 18-të i ‘Oldtimer Fest’ dhe na gëzon fakti që edhe këtë vit kemi pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Kemi edhe disa përfaqësues nga Ulqini, ndonëse në numër simbolik. Automjeti më i vjetër i ekspozuar këtë vit është një ‘Marmon’ i vitit 1929, pronë e një koleksionisti nga Gjakova, një automjet i rrallë që të gjithë patën rastin ta shohin nga afër. Një tjetër risi e këtij edicioni është pjesëmarrja e një autobusi historik, unik jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë rajonin. Ai është restauruar me shumë përkushtim nga koleksionisti Arben Prrenjasi dhe përbën një nga atraksionet kryesore të manifestimit. Pasioni për automjetet klasike është forca që më motivon të vazhdoj organizimin e këtij manifestimi vit pas viti”, u shpreh ai.
Në ceremoninë e hapjes foli edhe kryetari i Federatës së Oldtimerëve të Malit të Zi, Brano Velimiroviq, i cili vlerësoi rëndësinë që kanë tubime të tilla për afrimin e njerëzve dhe ruajtjen e trashëgimisë automobilistike.
“Mirë se vini në Mal të Zi. Manifestime si ky dëshmojnë se pasioni për automjetet historike i bashkon njerëzit përtej kufijve shtetërorë, etnikë apo kombëtarë. Dashuria për këto automjete krijon miqësi të reja dhe kontribuon në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të trashëgimisë sonë teknike dhe kulturore. Çdo vit shohim një interesim gjithnjë e më të madh, gjë që na jep motivim të vazhdojmë këtë rrugëtim”, tha ai.
Përveç ekspozimit të automjeteve të rralla, manifestimi shërbeu si një urë bashkëpunimi dhe miqësie mes koleksionistëve nga vende të ndryshme, duke promovuar trashëgiminë automobilistike dhe vlerat e bashkëjetesës përmes një pasioni të përbashkët.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat