Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se të hënën, më 1 qershor 2026, ka dorëzuar iniciativën për hapjen e hetimit parlamentar mbi aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës”.
Ai ka thënë se kjo është bërë në emër të përgjegjësisë së shtetit dhe së vërtetës historike.
Në propozimin e vendimit dërguar Kuvendit të Malit të Zi kërkohet ngritja e këshillit anketues me qëllim të grumbullimit të informacioneve dhe fakteve mbi veprimin e organeve shtetërore dhe subjekteve të tjera në aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, i cili është kryer më 9 shtator 2006.
“Një shtet i drejtë ndërtohet mbi transparencë, drejtësi dhe respekt për sakrificën e qytetarëve të vet. Zbardhja e plotë e fakteve nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe obligim moral ndaj interesit kombëtar. E ne jemi aty, për të sjellë drejtësi e për të siguruar të ardhmen në baza të barazisë… Në këtë drejtim dua të falënderoj të gjithë përkrahësit nga Parlamenti i Malit të Zi”, ka shkruar Camaj në postimin e tij në Facebook.
Iniciativa për hetim parlamentar vjen në 20-vjetorin e këtij aksioni kundërshqiptar të pushtetit malazias, përkatësisht organeve policore, hetimore dhe gjyqësore.
Aksioni policor “Fluturimi i shqiponjës” ndodhi më 9 shtator 2006, në përvjetorin e themelimit të subjektit të parë politik shqiptar – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi dhe një ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Mal të Zi, gjegjësisht vetëm disa muaj pas referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, ku shqiptarët luajtën rol vendimtar në rezultatin pozitiv të këij referendumi. Me atë rast, policia malazeze arrestoi 17 shqiptarë nga Malësia, katër prej të cilëve shtetas amerikanë, duke i akuzuar se kanë planifikuar kërcënimin e rendit kushtetues dhe sigurisë së Malit të Zi.
Propozimi për hetim parlamentar pritet të shqyrtohet nga deputetët në procedurat e mëtejshme parlamentare.
(Kohapress)
