Hendeku mes rolit dhe përgatitjes

Toni Ujkaj

Teksa po lexoja një libër nga fusha ime profesionale së cilës i përkas, m’u kujtua thënia e një pedagogut tim të respektuar në kohën e studimeve, i cili më thoshte se ata që ne i shohim si pjesë e një profesioni dhe që marrin rrogë nga ai, nuk do të thotë domosdoshmërisht se janë edhe meritorë për atë që bëjnë.
Ai më thoshte se “shpesh e kanë mësuar gabim zanatin dhe vazhdojnë ta ushtrojnë në mënyrë të gabuar”, duke mbetur më shumë imitues të profesionit sesa profesionistë të vërtetë, ndërsa vetëkënaqen me bindjen se po japin kontributin e duhur në fushën përkatëse për të cilën paguhen.
Këto pak rreshta që po shkruaj, përtej një perceptimi individual, kanë të bëjnë me një problem më të gjerë që lidhet me mospërputhjen mes profesionit dhe ushtrimit real të tij.
Në thelb të kësaj çështjeje nuk është mungesa e profesionistëve, por ushtrimi i roleve nga persona që nuk kanë formim (kualifikim) përkatës për to.
Në praktikë, shtrohet pyetja se a mund të kryejë një mësues i diplomuar në mësuesi të njëjtin standard pune nëse ai ushtron një detyrë krejt tjetër, jashtë përgatitjes së tij, ose anasjelltas?
A mund të prodhojë të njëjtin standard një individ që ka formim në një disiplinë të caktuar, kur punon në një rol që kërkon kompetenca krejt të ndryshme?
Edhe pse mbase në dukje janë teorike, këto pyetje mund të lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e punës dhe pasojat që ajo prodhon në shumë segmente të ndryshme të shoqërisë.
Në një epokë ku shumë herë flitet për arritje “spektakolare” në një sërë fushash, në praktikë ndodh që të ketë një mospërputhje mes asaj që deklarohet dhe asaj që realizohet, ndërsa vija ndarëse mes titullit dhe përmbajtjes reale të punës është shpesh e thellë.
Kjo krijon patjetër një zinxhir pasojash që reflektohet në cilësinë e shërbimit, në besueshmërinë e institucioneve dhe në standardin e përgjithshëm profesional.
Pra, kur roli nuk mbulohet nga profesionisti i fushës, nga një sfidë individuale shndërrohet në një çështje të mosfunksionimit apo realizimit të dobët të shërbimit në mënyrë të përgjithshme.
Kësisoj, a nuk është ky edhe një tregues i asaj se standardet e punësimit mund të ulen pa problem kur në vend të profesionistëve punësohen ushtrues profesionesh?
Nga ana tjetër, ky realitet sjell edhe një pasojë tjetër – demotivimin e atyre që janë realisht të përgatitur për fushën e tyre, për shkak se gjenden në mjedise ku kjo përgatitje shpesh nuk vlerësohet, ndërsa prioritet përbëjnë faktorë të tjerë.
Për këtë arsye, çështja nuk duhet parë si gjykim ndaj individëve, por si reflektim mbi një model ku raporti mes kompetencës dhe rolit nuk është gjithmonë i garantuar. Dhe kur kjo mungon, çdo sistem fillon të humbasë funksionalitetin.
Në këtë kuadër, kur njeriu në punën e tij nuk udhëhiqet nga parime të forta profesionale, shfaqet edhe një dimension tjetër i punës dhe prodhimit profesional – çekuilibri mes sasisë dhe cilësisë. Shpesh krijohet një tendencë për të prodhuar më shumë, por jo domosdoshmërisht më mirë. Në disa raste, prioriteti zhvendoset drejt numrit të produkteve, duke lënë në plan të dytë thellësinë dhe cilësinë reale të tyre. Në praktikë, kjo mund të vërehet qartë në fusha të ndryshme.
Në gazetari, për shembull, ka raste kur një temë trajtohet me një qasje të mirëfilltë, të balancuar dhe në shërbim të opinionit publik, ndërsa në raste të tjera dominon vetëm sasia, pa ndonjë qasje problemore dhe analitike, shpesh në mënyrë kryekëput të njëanshme dhe afirmative.
E njëjta dukuri mund të haset edhe në muzikë, ku ndonjë krijues nxjerr pak vepra në vit, por të punuara me kujdes e me më shumë kohë, përkushtim dhe mund, si dhe me ndikim të qëndrueshëm, ndërsa të tjerë prodhojnë shumë materiale, por sigurisht se edhe vlera e tyre mund të jetë më e kufizuar artistikisht.
Kjo logjikë përsëritet edhe në art, letërsi dhe në fusha të tjera krijuese, ku cilësia dhe përkushtimi shpesh peshojnë më pak se numri.
Në fund, raporti mes sasisë dhe cilësisë lidhet drejtpërdrejt me vetë kuptimin e punës profesionale, jo sa shumë prodhohet por sa vlerë reale dhe sa standard mbart ajo që prodhohet dhe, jo nëse realizohet një shërbim i caktuar por si realizohet ai shërbim.

Të fundit

më të lexuarat