6 prilli i vitit 1911 shënon Kryengritjen e Malësisë së Madhe kundër Perandorisë Osmane, një ngjarje e rëndësishme në historinë e Malësisë dhe të kombit shqiptar, e cila u bë pjesë e zhvillimeve të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Ndër vite, kësaj ngjarjeje i janë kushtuar homazhe, aktivitete kulturore dhe studime historike në hapësirën shqiptare. Ngjarja vazhdon edhe sot të jetë pjesë e kujtesës kolektive, duke u përkujtuar përmes aktiviteteve të ndryshme.
Si dëshmi e kësaj është edhe organizimi që bënë nxënësit e grupit “Historianët e rinj” të Gjimnazit “25 Maji” dhe nxënësit e shkollës fillore “Mahmut Lekiq”, të cilët, të shtunën, më 4 prill 2026, zhvilluan një aktivitet letraro-artistik në nderim të 115-vjetorit të ngritjes se flamurit në Bratilë të Deçiqit, te Shtëpia Muze e Dedë Gjon Lulit në fshatin Bardhaj të Hotit.
Profesori i historisë, njëherësh udhëheqësi i grupit “Historianët e rinj” të Gjimnazit “25 Maji”, Mark Junçaj, për gazetën “Koha javore” vlerëson se një komb që nuk përkujdeset për datat historike dhe për figurat kombëtare dhe që nuk i shënon ato, është i destinuar të tjetërsohet, “pasi që historia është kujtesa, dhe me humbjen e kujtesës paraqitet harresa, apo më mirë të themi, kombi bëhet matuf”.
“Në rastin konkret është shumë me rëndësi shënimi i 6 Prillit, ditës më të lavdishme të historisë së Malësisë, pasi që atë ditë në Bratilë të Deçiqit u ngrit, pas shumë shekujsh, flamuri i Kastriotit, me anë të të cilit u dëshmua se për çka po luftojnë malësorët dhe se kujt i takon Malësia”, u shpreh profesori i historisë Mark Junçaj.
Sa i përket ndikimit të përkujtimit të datave historike, siç është 6 Prilli, në formësimin e vetëdijes historike dhe qytetare te nxënësit, Junçaj shprehet se shënimi i këtyre datave u ndihmon nxënësve të vlerësojnë atdheun, si dhe të respektojnë figurat madhore, siç është në këtë rast Dedë Gjon Luli.
“Prandaj, këto janë më se të rëndësishme për transmetimin e ndjenjave atdhedashëse te brezat e rinj”, thekson ai.
Aktivitetet e tilla, shton Junçaj, në të cilat rolin kryesor e kanë nxënësit, ndikojnë në krijimin e kujtesës së qëndrueshme kolektive tek ata, pasi nxënësit vetë marrin pjesë në mënyrë aktive, qoftë me lexime punimesh, recitime, këngë, ekzekutime në instrumente popullore apo valle.
“Po ashtu, nga ana tjetër ndikojnë edhe te bashkëmoshatarët e tyre, pasi ata ua përcjellin rëndësinë e ngjarjes në fjalë dhe në këtë mënyrë nuk mbetet vetëm në nivelin simbolik”, përfundon Junçaj.
Ky aktivitet u mbështet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
Këtë datë të lavdishme historike e shënoi edhe Komuna e Tuzit të hënën mbrëma, më 6 prill 2026, me një aktivitet kulturor të mbajtur në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, ku fjalën e rastit e ka mbajtur kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, për të vijuar me shfaqjen e filmit dokumentar për Dedë Gjon Lulin, ndërsa për pjesën artistike u kujdesën këngëtaret nga Kosova: Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli, si dhe shoqëritë kulturore-artistike “Besa”, “Dedë Gjon Luli” dhe “Koha”.
t. u.
