Njeriu që u bë kujtesë e popullit shqiptar

Ka njerëz që jetojnë gjatë, dhe ka njerëz që jetojnë drejt. Don Kelmend Spaqi (18.10.1962-02.04.2026) nuk jetoi gjatë, shkoi herët në amshim, por jetoi drejt para Zotit, njerëzve dhe kombit shqiptar. Vdekja nuk e bëri më të madh, vetëm e ndriçoi atë që kishte qenë, një njeri që në një ditë lufte zgjodhi të mos i ndajë njerëzit e pafajshëm, duke i shpëtuar nga vdekja e sigurt më 4 prill 1999

Gjergj Anton Filipaj

Ka njerëz që po t’i shohësh nga larg duken të qetë, nuk kanë zhurmë dhe bujë brenda vetes, si dhe nuk e kanë atë etjen moderne për t’u parë dhe vlerësuar nga të tjerët. Por megjithatë ndonjëherë mjafton një çast i vetëm që një jetë e tillë të marrë një kuptim më të madh. Mjafton një zgjedhje, një fjali, mjafton të mos pranojë atë që koha, frika, ose dhuna ia kërkojnë si gjë normale.
Don Kelmend Spaqi ishte një njeri i tillë, që mbi supet e veta për shumë vjet me radhë mbajti një pjesë të dinjitetit tonë të përbashkët kombëtar.
Ai vdiq më 2 prill 2026 në Tivar, në orët e para të mëngjesit, para se dita të zbardhte plotësisht. Don Kelmendi shkoi në amshim të Enjten e Madhe, ditën kur në traditën katolike kujtohet themelimi i meshtarisë. Ata që besojnë te shenjat mund të thonë se kjo datë ka domethënie të veçantë. Tjerët mund ta quajnë rastësi. Por edhe rastësitë kur ndodhin në një jetë të jetuar me përkushtim dhe dashuri, vijnë si shenjë e brendshme.
Për më shumë se tre dhjetëvjeçarë Don Kelmendi shërbeu si meshtar në Kosovë, në fshatrat Gllogjan të Pejës dhe Bec të Gjakovës, në një kohë të vështirë për popullin shqiptar, dhe më vonë edhe në Tivar të Malit të Zi. Ai ishte një person që meshtarinë e përjetonte jo si titull por si një mënyrë për të qenë më afër njerëzve. Ishte njeri që qëndronte larg ekspozimit publik dhe nuk kërkonte të shkëlqente, por mjaftohej me modestinë e tij. Don Kelmendi nuk bëhet më i rëndësishëm vetëm nga dita kur shkoi në amshim. Përkundrazi, vdekja sa e ndriçoi një çast domethënës nga jeta e tij modeste, e që ishte vendimtar për shpëtimin e njerëzve të pafajshëm nga vdekja.
Në pranverën e vitit 1999, në ditën e Pashkës, oborri i Kishës së Shna Ndout në Gllogjan të Pejës u mbush me banorë të zhvendosur nga fshatrat e Lugut të Baranit. Ata strehim gjetën në kishë, jo si pjesëtarë të një feje por si njerëz të lodhur, të trembur, të pambrojtur. Me vete kishin fëmijë, sende të pakta, trupat e rraskapitur nga lodhja dhe heshtjen që njeriu e ka vetëm kur e kupton se jeta e tij është vënë në duart e të tjerëve.
E në atë oborr kishe, para 27 vjetësh, atij iu urdhërua nga forcat serbe që t’i ndajë katolikët në njërën anë dhe myslimanët në anën tjetër. Ky çast në jetën e Don Kelmendit ishte vendimtar. Nuk kishte shumë mundësi. Ose i ndante, ose nuk i ndante. Nuk kishte ku të fshihej. Në ato sekonda, kur jeta u tkurr në një moment të vetëm dhe njeriu detyrohet të tregojë se çka ka në zemër, Don Kelmend Spaqi nuk e pranoi kërkesën për t’i dorëzuar njerëzit në duar të xhelatëve. Me qetësi të madhe, ai refuzoi. Në kohë paqeje, ky refuzim do të tingëllonte si parim, kurse në kohë lufte shndërrohet në rrezik dhe dëshmi.
Sipas rrëfimeve që ndër vite janë ruajtur në kujtesën e njerëzve dhe të Kishës Katolike, ai u përgjigj se njerëzit brenda në kishë nuk ishin katolikë dhe myslimanë, por shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre dhe se nëse dikush duhet të vritej, atëherë ai duhet vrarë i pari.
Don Kelmendi refuzoi t’i ndante njerëzit dhe kjo është arsyeja se përse figura e tij nuk mund të mbyllet brenda biografisë kishtare, po në kuadër të arealit kombëtar shqiptar. Veçmas kësaj, disa muaj më herët, kur shqiptarët myslimanë të asaj ane të Dukagjinit nuk kishin mundësi normale për të ruajtur ritmin e agjërimit, ai i përdori kambanat e kishës për t’i lajmëruar për iftar dhe syfyr. Ky gjest i Don Kelmendit mbetet një nga veprimet e vogla njerëzore që kanë peshë më të madhe sesa deklarata të shumta publike. Sepse ky nuk ishte gjest harmonie, ishte diçka më e thellë, njohje e tjetrit si të barabartë në vuajtje, frikë, në të drejtën për të mbetur vetvetja.
Ky ishte mësimi më i madh që la pas Don Kelmend Spaqi, se njerëzia nuk lind nga fjalimet, por nga mënyra se si sillesh me tjetrin kur ai ka nevojë për ndihmë. Dhe kjo është ndoshta forma më e lartë e besimit, jo vetëm të besosh në Zot por të mos heqësh dorë nga njeriu pavarësisht se a e thërret Zotin nga kisha apo xhamia.
Pikërisht këtu qëndron madhështia e veprimit të Don Kelmendit, jo në përjashtim nga njerëzorja por një përmbushje e lartë e saj. Kur shumëkush do të kishte zgjedhur veten, ai e zgjodhi njeriun. Prandaj nuk mendoj për të vetëm si prift katolik dhe njeri i respektuar nga bashkësia e tij, por si për një njeri të rrallë që u bë kujtesë morale e popullit shqiptar.
Don Kelmend Spaqi u lind më 18 tetor 1962 në Velezhë të Prizrenit, në një familje të madhe, si i gjashti nga nëntë fëmijët e Ndrecës dhe Katës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa rruga e meshtarisë e çoi drejt seminarit klasik në Suboticë dhe më pas në Zagreb, ku studioi filozofi dhe teologji.
Shugurimin diakonal e mori në vitin 1988 në fshatin Velezhë, kurse shugurimin meshtarak në Prizren, në vitin 1988, nga imzot Nikë Prela. Që prej shugurimit shërbeu në Kosovë deri në vitin 2016. Në vitet 1988-1989 shërbeu në Ferizaj si kapelan, pastaj për 17 vjet shërbeu në Gllogjan, më pas për 7 vjet ishte në fshatin Bec të Gjakovës dhe për afro një vit shërbeu në Francë si misionar. Në vitin 2016 kaloi në Kryedioqezën e Tivarit, ku deri në fund të jetës shërbeu si administrator famullitar në Tivar, Gretvë, Mirovicë dhe në Zupc, dhe gjatë kësaj kohe ai u quajt “prifti i popullit”. Sipas nevojës, ishte edhe kapelan në Spitalin rajonal të Tivarit.
Don Kelmend Spaqi u varros të hënën, më 6 prill 2026, në varrezat e fshatit të tij të lindjes, Velezhë të Prizrenit.

Të fundit

më të lexuarat