Avokati që sfidoi armikun dhe bashkë me djem u flijua për Kosovën

Jeta dhe vepra e Bajram S. Kelmendit mbetet një testament i gjallë i qëndresës, drejtësisë dhe sakrificës për liri. Ai ishte avokati i popullit, zëri i së vërtetës dhe simbol i guximit intelektual e kombëtar në kohët më të vështira të historisë së Kosovës

Shaban Hasangjekaj

Krahina e Rugovës, trevë e komunës së Pejës, me pozitë gjeografike tipike kodrinore-malore, e shtrirë rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare, e pasqyruar me maja të larta të bjeshkëve, me lugje të thella, me pyje të gjelbra gjithë vitin, me lëndina e rudina, me lumenj e përrenj zhurmues, me vera të ngrohta e dimra të ashpër, ka influencuar në vetitë dhe virtytet e banorëve, në zhdërvjelltësi fizike e mendore si dhe në psikologjinë dhe impulsivitetin energjik të tyre.
Është rajon i banuar krejtësisht me popullatë shqiptare, i ndarë në 14 fshatra me përbërjet e vëllazërive të mëdha të fisit Kelmend: Lajç, Vukel, Nikç e Selcë, si dhe të një pakice të fiseve Kastrat, Shalë e Shkrel, i njohur dhe i përmendur si vatër burimi i shumë personaliteteve të shquara e në zë, zejesh e profilesh të ndryshme profesionale, ndër të cilat veçohet Bajram Sokol Kelmendi, njëri ndër avokatët e parë shqiptarë në Kosovë, i cili me veprimtarinë e vet profesionale vërtet të suksesshme dhe cilësore, u shqua dhe u bë i mirënjohur në të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë.
U lind në vitin 1937 në fshatin Stakaj (Stankaj) të Rugovës së Pejës, në kufi me Malin e Zi. Ishte fëmija i tretë i Sokol Çelës dhe Nife Nikçit – Kelmendit, bijë e familjes së njohur patriotike të Haxhë Mustafës nga Shtupeqi i Madh i Rugovës.
I ati Sokol Çela, njihej për bujari dhe atdhedashuri, virtyte të trashëguara brez pas brezi, sidomos nga gjyshi Çelë Shabani, kryehero dhe komandant i luftës së Nokshiqit, i dekoruar për heroizëm. Bajrami u rrit me këngët e trimërisë dhe vallet burrërore të Rugovës heroike, me tingujt e lahutës, me legjendat e lashta dhe me historinë e prijësve si Çelë Shabani, Sali Jaha, Zhujë Selmani, Sak Fazlia, Demë Isufi, Rexhë Avdia e shumë të tjerë.
Bajram Kelmendi lindi në një nga periudhat më të errëta të historisë sonë kombëtare, në kohën e represionit serbo-malazez ndaj Kosovës, kur kufijtë shqiptaro-shqiptarë ishin të mbyllur hermetikisht. Gjyshi i tij, Zhukë Haxhia, ishte ndër luftëtarët e orëve të para të rezistencës kombëtare, duke vazhduar traditën e familjes në mbrojtje të atdheut.
Si hakmarrje ndaj veprimtarisë së familjes, OZNA dhe UDB-ja serbe e internuan familjen në burgun e Gjilanit. Kjo bëri që Bajram Kelmendi të mos kishte një fëmijëri të rregullt dhe as mundësi të plotë shkollimi. Që në moshë të hershme ai përjetoi burgosje e persekutim, duke e bartur gjatë gjithë jetës urrejtjen ndaj padrejtësisë dhe pushtuesit.
Në vitin 1950, mësuesi i njohur Shefqet Kelmendi hapi klasat e pestë dhe të gjashtë në mejtepin e xhamisë së Trestenikut. Kjo periudhë ndikoi thellë te Bajrami, i cili nga respekti për mësuesin e tij, ndryshoi mbiemrin nga Çelaj në Kelmendi – mbiemër që e mbajti me krenari deri në vdekje.
Me gjithë vështirësitë, Bajram Kelmendi përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm “Shkollën e Karagaçit” dhe më pas vazhdoi gjimnazin real në Pejë. Në vitin 1956 u regjistrua në Shkollën Normale në Gjakovë.
Në verën e vitit 1957, shtëpia e Bajramit në Lutogllavë u rrethua nga forcat e sigurimit serb. Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun famëkeq të Karagaçit, ku qëndroi nën hetime për 15 muaj dhe përjetoi tortura të rënda. U dënua me 18 muaj burg dhe më pas iu ndalua e drejta e shkollimit në Kosovë.
I privuar nga çdo mundësi arsimimi e punësimi, Bajrami u kthye në fshat dhe punoi në bujqësi. Por etja për dije nuk iu shua.
Në vitet ’60, pas një ndryshimi ligjor që lejonte pranimin në fakultet përmes provimeve pranuese, Bajrami iu nënshtrua testimit para akademikëve si Ali Hadri dhe Fehmi Agani, duke e kaluar me sukses të shkëlqyeshëm. Ai u regjistrua në Fakultetin Juridik, në kuadër të Universitetit të Beogradit.
U martua me Nekibe Kolicen – Kelmendin dhe u bë baba i tre fëmijëve: Kastriotit, Kosovares dhe Kushtrimit.
Në vitin 1968 punoi si bashkëpunëtor profesional në Gjykatën Supreme të Kosovës. Në vitin 1970 diplomoi me nota të shkëlqyera, kreu provimin e jurisprudencës dhe u licencua si një ndër avokatët e parë shqiptarë në Kosovë.
Bajram Kelmendi ishte ndër themeluesit e KMLDNJ-së në Prishtinë dhe për një kohë edhe kryetar i saj. Ai mbrojti me guxim procese të montuara politike, përfshirë edhe procesin e Paraqinit, duke demaskuar manipulimet e regjimit serb.
Ai ishte ndër zërat më të fuqishëm që alarmoi botën demokratike për mizoritë në Kosovë dhe u shpreh i gatshëm të përballej me Millosheviqin në Hagë. Më 3 maj 1998, Bajram Kelmendi dorëzoi kallëzim penal kundër Sllobodan Millosheviqit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në Beograd dhe në Tribunalin e Hagës, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Me kënaqësi theksoj se avokatin e mirënjohur shqiptar, Bajram S. Kelmendin, pata rastin ta njoh personalisht duke marrë pjesë në një proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Plavë, unë në detyrën e përkthyesit gjyqësor për gjuhën shqipe e ai në atë avokatit, në mbrojtje të një të miture nga një familje prej Prishtine.
Natën e fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999, forcat paramilitare serbe hynë me dhunë në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe arrestuan Bajram Kelmendin bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Të nesërmen, ata u gjetën të pushkatuar.
Mbi pllakën përkujtimore në vendin e vrasjes qëndron epitafi: “Është nder dhe krenari të vdesësh për atdhe”.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, deklaroi: “U vra njeriu më i rrezikshëm për Serbinë dhe Millosheviqin”.
Jeta dhe vepra e Bajram S. Kelmendit mbetet një testament i gjallë i qëndresës, drejtësisë dhe sakrificës për liri. Ai ishte avokati i popullit, zëri i së vërtetës dhe simbol i guximit intelektual e kombëtar në kohët më të vështira të historisë së Kosovës.

Të fundit

më të lexuarat