Gjurmë dhe dëshmiiliro-arbërore nëentitetin etnik malazez

Entiteti etnik malazez është një amalgamë sllavo-jugorësh, iliro-arbërorësh, vllehsh e popujsh të tjerë të hershëm të sllavizuar në territorin e Malit të Zi të sotëm. Në këtë kontekst, iliro-arbërorët, përkatësisht ilirët e mbijetuar dhe pasardhësit e tyre arbërorë (shqiptarë) të vendosur në viset malazeze gjatë shek. XV e në vijim, natyrisht të sllavizuar, përbëjnë një faktor shumë të rëndësishëm të etnogjenezës malazeze. Kjo nuk e relativizon, as nuk e cenon aspak identitetin dhe mëvetësinë etnike e kombëtare të malazezëve

Hajrullah Koliqi

Malazezët janë ndër popujt më të vegjël sllavo-jugorë dhe të sllavëve në përgjithësi. Për etnogjenezën, origjinën dhe entitetin etnik të tyre ka tri teori themelore: 1) Teoria sipas së cilës ata (malazezët) kanë prejardhje serbe dhe janë serbë, ndaj Mali i Zi është pjesë e Serbisë. 2) Teoria sipas së cilës “malazezët kanë qenë kroatë, kurrë serbë”. Rrënjët e tyre shkojnë te Kroacia e Kuqe (Crvena Hrvatska, lat. Croatia Rubea). 3) Teoria sipas së cilës malazezët janë popull sllav, origjinal dhe i veçantë, që u zhvillua “përmes ndërlidhjes me popujt e vjetër ballkanas në proceset e asimilimit sllav” (Shpiro Kulishiq).
Me etnogjenezën e malazezëve u mor edhe etnologu dhe historiani Dr. Tatomir P. Vukanoviq. Sipas tij, ashtu si shqiptarët, “populli malazez i ka rrënjët në etnogjenezën ilire”. Malazezët janë pasardhës etnik të ilirëve, të cilët ishin banorët e parë të njohur në territorin e Malit të Zi të sotëm. Vukanoviq konkludon se popullit malazez “është krijuar nga sinteza, përzierja e kolonëve sllavë dhe vendësve ilirë…” Kjo sintezë, përzierje midis fiseve autoktone ilire dhe sllavo-jugorëve u realizua qysh në shekujt VII-VIII dhe në vijim, me ç’rast një numër i konsiderueshëm i popullsisë vendore u asimilua (sllavizua).
Është i gjithëpranuar fakti se ilirët ishin një popull antik në Gadishullin e Ballkanit (Ilirik) “numerikisht shumë i madh dhe shumë aktiv.” Ilirët përmenden qysh në shek. VII p.e.r. dhe janë popull biblik. Shkencëtarë të shquar, si: Gotfrid Vilhelm Lajbnici (pararendësi i tezës së origjinës ilire të gjuhës shqipe), pastaj Gustav Majeri, Paul Kreçmeri, Holger Pederseni, Eqrem Çabeji, Aleksandër Stipçeviqi e shumë të tjerë mbrojnë dhe argumetojnë tezën e vazhdimësisë gjuhësore dhe etnike iliro-arbëroro-shqiptare. Nga ana tjetër, sllavët (Sklavenoi), pra stërgjyshërit e malazezëve, u dyndën dhe u vendosën si kolonë në këto vise dhjetë shekuj më vonë, të cilët asimiluan një pjesë të konsiderueshme të ilirëve të romanizuar. “Sllavët e jugut (shkruan akademiku Jovan Cvijiq) kanë asimiluar një numër të madh ilirësh, që nga Danubi deri në Maqedoninë jugore…” Kjo u realizua përmes sllavizimit të onomastikës së popullsisë vendore (patronimet me “iq” dhe “viq” u aplikuan intensivisht qysh në shek. XV), përmes përvetësimit dhe dominimit të gjuhës dhe kulturës sllave (serbe), përmes konvertimit fetar të vendorëve nga besimi katolik në atë ortodoks, përmes sllavizimit të toponimeve vendore, falsifikimeve etj. Procesi i sllavizimit, përkatësisht serbizimit (srbovanje, srbiti, srbljenje, V. Karaxhiq) në Mal të Zi u intensifikua pas ringritjes së Patrikanës së Pejës (1557-1766) dhe vijoi deri në kohën tonë.
Gjithashtu, sllavo-jugorët nuk u përzien dhe asimiluan (serbizuan) vetëm ilirët, por edhe popuj të tjerë të vjetër të Ballkanit. Kjo sintezë, përzierje midis kolonëve sllavë dhe iliro-arbërorëve, thrakasve, keltëve, vllehve (ilirë dhe thrakas të romanizuar) e të fiseve e popujve të tjerë në Ballkan, u bë në forma e kontekste të ndryshme historike e demografike, e cila rezultoi me formësimin e disa entiteteve etnike, me disa gjuhë sllavo-jugore. Sllavo-jugorët formuan edhe shtetet dhe kishat e tyre, midis të cilave ishin edhe shteti serb (shek. IX) dhe Kisha Ortodokse Serbe (1219), me juridiksion edhe në trevat e Malit të Zi të sotëm. Sipas Zhelko Musoviqit, një masë e konsiderueshme vllehsh dhe arbërorësh mbijetuan dhe “në shek. XV ndodhi një ekspansion”, shtrirje e madhe e tyre. “Asokohe arbërorët në mënyrë masive zbritën në rrafshinën e Zetës dhe malet e Zetës së Epërme”. Në vitin 1450 vllehtë themeluan institucionin e parë fetar në Cetinë – “Vlashka crkva”. Procesi i sllavizimit të vllehve në territorin e Malit të Zi të sotëm përfundoi në shek. XVII, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e arbërorëve mbijetuan, sidomos në zonat pranë territoreve të dominuara nga arbërorët (shqiptarët), pranë Shqipërisë natyrale.
Me etnogjezën e popullit malazez lidhet ngushtë edhe organizimi i tyre shtetëror. Themelet e shtetit malazez konsiderohen Principata e Duklës (deri në fund të shek. X), si dhe etnonimi i parë i malazezëve – dokleatët (“banorë sllavë dhe/ose të sllavizuar të Duklës”), si dhe Principata e Zetës (nga shek. XI-XIV), për të arritur te Mali i Zi (Crna Gora) nga fundi i shek. XIV. Konsiderohet se entiteti etnik i malazezëve u formua në shek. XV, kur filloi edhe historia e re e Malit të Zi. Në formimin e këtij entiteti etnik rol të rëndësishëm luajtën edhe iliro-arbërorët (shqiptarët).
Historia dhe gjetjet arkeologjike na mësojnë se në antikitet, territoret e Malit të Zi të sotëm ishin të banuara nga fiset ilire: labeatët dhe dokleatët. Sipas Anton Majerit (Mayer), emri Dukla (lat. Doclea, Diocleia) rrjedh nga fjala e hershme indoevropiane “dhoukl” (e zezë, e errët). Edhe fjala Zeta (Zenta, Genta) i përket trashëgimisë së hershme gjuhësore ballkanike. Sipas Konstantin Jireçekut, ajo është me origjinë ilire, ndërsa Ndre Mjeda atë e nxjerr nga fjala shqipe (arbërore) – “zezë” (e zezë). Është e dukshme lidhja semantike midis “dhoukl” (e zezë) dhe “zeta” (e zezë), si pararendëse të emrit të sotëm të Malit të Zi. Në të tre rastet, i përbashkët është atributi “i zi, e zezë”, por në gjuhë të ndryshme. Dëshmi e veçantë për trevat e Malit të Zi të sotëm në periudhën ilire është edhe qyteti (fortesa) labeate e Medunit (Meteon, shek. IV-III p.e.r.), të dhënat historike dhe legjendat për mbretëreshën ilire (Teutën), prej nga thuhet se vjen edhe emri i Tivatit etj.
Ndër dinastitë më të rëndësishme të Zetës, parkatësisht Malit të Zi ishte dinastia e Cërnojeviqëve (gjithashtu, crno = i zi), nga fundi i shek. XIV deri në vitin 1496. Selia e tyre ishte në Zhabjak (Zhablak), përkatësisht në Cetinë, e cila u themelua në vitin 1482 nga Ivan Cërnojeviqi. Dinastia e Cërnojeviqëve, ndër të tjera, u shqua për mëvetësimin e etnisë malazeze nga ajo serbe, si dhe për raporte të veçanta me arbërorët dhe me fise e popuj të tjerë. Kështu p. sh. Radiç Cërnojeviqi, fisnik i shquar, u martua me vajzën e Gjergj Balshës I; Gjergj Cërnojeviqi u martua me vajzën e prijësit arbëror Kojë Zaharia; djali i tij, Stefan Cërnojeviqi u martua me Marën, vajzën e Gjon Kastriotit, përkatësisht motrën e Skënderbeut; pastaj Ivan Cërnojeviqi kishte për grua vajzën e princit arbëror Gjergj Arianit Komnenit; Gjergji, djali i Ivan Cërnojeviqit, kishte për grua vajzën e princit arbëror Karl Muzakë Topisë. Gjithashtu, edhe arbërorët u martuan me vajza nga dera e Cërnojeviqëve, siç ishte rasti i djalit të prijësit të Dukagjinit, në gjysmën e dytë të shek. XV. Njëri nga djemtë e Stefan Cërnojeviqit dhe Mara Kastriotit, Andria, njihej me nofkën “Arvaniti trim” (“Arvanit the Brave”). Edhe Aleks Cërnojeviqi njihej me emrin Llesh. Arbërorë kishte edhe në oborrin e Cërnojeviqëve, siç ishte Pavle Tuz (Pal Tuzi), 1444 etj. Sipas akademikut Sima Qirkoviq, vllehtë dhe arbërorët në Zetën e Cërnojeviqëve u afirmuan shumë, por “ndryshimin e pozitës së tyre sociale e paguan me asimilim, përkatësisht sllavizim.”
Në vitin 1479, përkatësisht 1499, Malin e Zi e pushtuan osmanët, të cilin ia bashkëngjiten Sanxhakut të Shkodrës. Ai kishte katër “nahi”: Katunska (e Katunit), Rijeçka (e Rijekës), Leshanska (e Lezhës) dhe Crmniçka (e Cërmnicës). Vetëm njëra prej tyre (Rijeçka nahija) ka etimologji sllave (serbe). Studiuesit konsiderojnë se emërtimi “Leshanska” është version i sllavizuar i emrit shqip të Lezhës, ku përmendet edhe fisi “Leshnjani” (lezhjanët). Gjithashtu, edhe “Katunska nahija” është version i sllavizuar i emrit vllaho-arbëror “katun” (katund). Qysh në shek. XIII përmendet toponimi Cermenizza (Cermenica, Crmnica, Çrnica, Cernica), e cila quhej edhe Kuçevo (shq. kuq, tokë e kuqe).
Për të argumentuar praninë e faktorit arbëror në entitetin etnik malazez, Tatomir Vukanoviqi evidenton edhe emrat e disa fiseve, vëllazërive apo toponimeve të vjetra në Mal të Zi, si: Mataguzha afër Podgoricës (1335), Mahine në bregdetin malazez (1435), Maloshniqi në ultësirën e lumit Zeta, Pashtroviqi (shq. pastër) në bregdet, toponimi Goljemade (Gojëmadhe) në Podgoricë. Sipas tij, thuhet se territori midis Bjellopavliqëve, fushës së Nikshiqit etj. ka qenë i banuar nga fisi Shpanji (shek. XIV), që vjen nga fisi arbëror Shpata, nga rrethi i Shkodrës dhe Drishtit. Territoret rreth Tarës dhe Limit kanë qenë të banuara nga fisi i vjetër Kriçak (nga fjala ilire “krysi”, shq. kryezi). Edhe Macure te sllavo-jugorët të kujtojnë Mazrekët arbërorë (shqiptarë), pastaj fisi Bukumiri, që me kohë u sllavizua dhe u shndërrua në Bratonozhiqi, vjen nga shqipja Bukëmirë etj. Jovan Erdelanoviq konfirmon se Kriçi, Mataguzhi, Mataruge dhe Bukumiri “janë të trashëguar nga fise të vjetra ilire-romane të vendësve të vjetër vllehë e arbërorë”. Gjithashtu, Ceklina (shq. cektinë), si vendbanim i arbërorëve përmendet qysh në vitin 1296, në krisobulën e Krajl Millutinit. Një degë e këtij fisi (Gornjaci) ishin pasardhës të Lekës nga Kelmendi, ndërsa dega tjetër (Donjaci) ishin pasardhës të djalit të adoptuar të tij, nga Piperi. Krajl Millutini në krisobulën e vitit 1318 përmend edhe arbërorë në manastirin e Shën Nikollës në Vraninë. Gjithashtu, edhe Bjellopavliqi, emri i fisit dhe rajonit në ultësirën e lumit Zeta dhe përreth saj, është me origjinë shqipe (Pali i Bardhë), djali i Lekë Dukagjinit. Në Mal të Zi ka edhe toponime të tjera të hershme josllave ose të diskutueshme, që i kanë rezistuar kohës, si: Vraninë, Vir, Kom, Cetinë, Besac, Limnjan, Rumi, Kufin, Bushat, Spuzh etj., pastaj hidronimet: Lim, Cem etj.
Është i njohur fakti dhe i pranuar nga shkencëtarët se në shumicën e fshatrave të Cërmnicës ka shumë toponime me origjinë josllave. Emrat e shumë prej tyre janë unikë dhe nuk ekzistojnë në rajone të tjera të dominuara nga popullsia sllave. Përveç homonimeve sllave, në Cërmnicë ka edhe emra arbërorë, si: Llesh, Leka, Kalina, Gjurash etj. Emra të tillë në fshatin Sotoniq ka edhe në Defterin osman për Malin e Zi (1521). Supozohet se ato lidhen me banorët me prejardhje nga Dukagjini, por që me kalimin e kohës u sllavizuan. Gjithashtu, Jovan Erdelanoviq bën të ditur se në Rijeka Cërnojeviq dhe Virpazar shumica e popullsisë ishin mjeshtër e tregtarë (katolikë e myslimanë) të ardhur nga Shkodra, por që me kalimin e kohës u sllavizuan. Si fëmijë mbaj mend kur krajanët flisnin për bisedën me Musën, banorin e fundit shkodran në Rijeka Cërnojeviq! Joseph von Hammer shkruan për “kryengritjen e shqiptarëve të Podgoricës” (1640), të cilët pas pushtimit dhe aneksimit të saj nga malazezët (1879), ata ose u strehuan kryesisht në Shkodër ose u sllavizuan. Në Podgoricë, përkatësisht në Qytetin e Vjetër (Stara Varosh) të saj, që dikur banohej nga shqiptarët, sot nuk ekziston asnjë familje e vjetër shqiptare, ndërsa nga Ura e Vezirit ka ngelur vetëm emri i saj, natyrisht serbisht “Vezirov most”!
Procesin e sllavizimit të arbërorëve (shqiptarëve) në Mal të Zi dhe konvertimit të tyre në malazezë (serbë) e dëshmon edhe rasti i fisit të Kuçit (shq. kuq, i kuq). Sipas Marin Bicit (1610), gjysma banorëve të Kuçit ishin katolikë e gjysma ortodoksë. Pjesën më të madhe të Kuçit e përbënin Drekalloviqët (Ndrekajt, Ndrecajt) nga fisi shqiptar i Berishës. Në vitin 1638 edhe ata u konvertuan në besimin ortodoks nga mitropoliti i Cetinës. Më pas ata ndryshuan edhe gjuhën dhe përkatësinë etnike dhe u bënë serbë (malazezë). Pinjoll i këtij fisi shqiptar të sllavizuar ishte edhe Mark Milani (Marko Miljanov Popoviq Drekaloviq, 1833-1901), vojvodë dhe shkrimtar malazez, komandant i ushtrisë së Malit të Zi kundër forcave vullnetare të Lidhjes së Prizrenit për pushtimin e Plavës dhe Gucisë (1879).
Sipas një gojëdhëne (në gjuhën serbe), edhe shestanasit janë me prejardhje nga fisi shqiptar i Shkrelit. Paraardhësi i tyre kishte gjashtë (shest) djem, prej nga vjen edhe toponimi Shestan. Pasardhësit e djalit të parë janë Lukiqët dhe Gurëzat (që ndahen në Daboviq dhe Pekiq); të dytit – Dediqët; të tretit – Gjuravci; të katërtit – Karanikiqët, Gjonoviqët dhe Vuçedabiqët; të pestit – Nikgjonoviqët në Draçevicë dhe të gjashtit – Lekiqët në Selcë. Shumica syresh janë vëllazëri katolike, ndërsa Lekiqët dhe pjesërisht edhe Peciqët, të cilët nga Shestani i Sipërm kaluan në Draçevicë në Shestanin e Poshtëm, janë vëllazëri ortodokse. Shumica syresh e kanë ruajtur gjuhën e të parëve (shqipe), por ka kohë që shumë prej tyre janë sllavizuar ose deklarohen si malazezë (serbë), madje me fanatizëm! Procesi i sllavizimit të shqiptarëve, gjatë shekullit të kaluar, ishte i theksuar edhe në rajonet shekullore shqiptare të Tivarit dhe të Plavës e Gucisë, ku aktualisht dominon popullsia serbo-malazeze, ndërsa ajo shqiptare është tkurrur dhe vazhdon të tkurret me shpejtësi.
Etnogjeneza malazeze, sipas Tatomir Vukanoviqit, shquhet më shumë nga karakteristika etnografike iliro-arbërore se nga ato sllave e serbe, të cilat janë të pranishme edhe në mënyrën e jetesës, kulturën materiale e shpirtërore, në zakonet, besimet e mentalitetin popullor malazez. Për këtë dëshmon edhe antropologjia fizike e malazezëve, fiset malazeze, të cilët sipas akademikut Branisllav Gjurgjev janë formuar nga katunet vllehe dhe arbërore, pastaj tradita e gjallë epike dhe këndimi i këngëve epike me lahutë, kostumi popullor i burrave dhe i grave, vajtimi i të vdekurve, virgjinat etj., që janë karakteristike dhe unike te shqiptarët dhe të pranishme edhe te malazezët.
Për praninë e faktorit iliro-arbëror në entitetin etnik të malazezëve dëshmojnë edhe rezultatet e hulumtimit të strukturës gjenetike së popullsisë së Malit të Zi të sotëm. Duke iu referuar revistës amerikane “American Journal of Physical Anthropology”, Mirosllav Qosoviq thotë se “shumica e banorëve të tashëm të Malit të Zi janë vendas të hershëm (starosjedeoci), të cilët kanë marrë gjuhën dhe ndikimin sllav…” Ai shton se “malazezët e sotëm paraorigjinën e kanë nga vllehtë -morlakët (vllehtë e zinj), ilirët-arbërorët, sllavët por edhe – nga grupi i popujve keltë” dhe se ata “janë përzierje gjenetike e ilirëve, përkatësisht vllehve dhe arbërorëve, të cilët përbëjnë më shumë se 50 për qind të kodit gjenetik të banorëve të sotëm të Malit të Zi…” Haplogrupi tipik sllav R1a te malazezët dhe te të gjithë banorët e Malit të Zi është shumë më i ulët (7%) se te kombet tjera sllavo-jugore.
Tërë kjo dëshmon se entiteti etnik malazez është një amalgamë sllavo-jugorësh, iliro-arbërorësh, vllehsh e popujsh të tjerë të hershëm të sllavizuar në territorin e Malit të Zi të sotëm. Në këtë kontekst, iliro-arbërorët, përkatësisht ilirët e mbijetuar dhe pasardhësit e tyre arbërorë (shqiptarë) të vendosur në viset malazeze gjatë shek. XV e në vijim, natyrisht të sllavizuar, përbëjnë një faktor shumë të rëndësishëm të etnogjenezës malazeze. Kjo nuk e relativizon, as nuk e cenon aspak identitetin dhe mëvetësinë etnike e kombëtare të malazezëve. Historikisht dhe aktualisht, malazezët janë të rrezikuar nga politika nacionaliste serbomadhe e Serbisë zyrtare, Kishës Ortodokse Serbe, Akademisë Serbe të Shkencave etj., të cilët e relativizojnë ose nuk e pranojnë identitetin etnik të tyre (malazezëve), por ata i konsiderojnë serbë dhe Malin e Zi – shtet serb, përkatësisht njësi administrative e projektit politik të Serbisë së Madhe.

Të fundit

më të lexuarat