Zbatimi i politikave shtetërore për shkombëtarizimin e shqiptarëve

Megjithë zbatimin e formave dhe metodave të llojllojshme të presioneve për eliminimin e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër nuk arritën të realizojnë këtë qëllim strategjik për shkak të rrethanave përkatëse historike, shoqërore e politike, për arsye të rezistencës së vendosur të masave shqiptare ndaj politikës së tillë, përkrahjes shumë të rëndësishme që ua dhanë atyre forcat progresive të të gjitha kombeve e kombësive të Jugosllavisë në krye me PKJ-në, duke iu kundërvënë politikës së mohimit të të drejtave të kombësisë shqiptare dhe eliminimit të saj total nga trualli i Jugosllavisë

Nikë Gashaj

(vijon nga numri i kaluar)

Qëndrimi i administratës shtetërore ndaj shqiptarëve
Edhe pse administrata shtetërore në viset ku banonin shqiptarët ishte e ngjashme me atë në tërë Jugosllavinë, ajo prapëseprapë në këto anë qe specifike dhe u soll në mënyrë shumë brutale e mizore ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare. Në viset ku jetonin shqiptarët, në administratën shtetërore gati nuk kishte vend për shqiptarët, e tërë administrata zhvillohej ekskluzivisht në gjuhën serbokroate, të cilën shqiptarët në shumicë dërrmuese nuk e kuptonin. Pati diçka më shumë shqiptarë në funksione zgjedhore politike, në cilësinë e kryetarëve të komunave ose të deputetëve, por ata politikisht ishin bashkëpunëtorë të qarqeve sunduese dhe instrument për manipulimin me organet lokale të administratës shtetërore.
Cilësitë morale e profesionale të nëpunësve shtetërorë dhe sjelljet e tyre ndaj qytetarëve, sidomos të kombësisë shqiptare, ishin në shkallën më të ulët. Përveçse me ndonjë përjashtim, nëpunësit shtetërorë ishin të ngarkuar me shovinizëm ndaj shqiptarëve dhe, të nxitur vazhdimisht nga qarqet sunduese të Jugosllavisë së vjetër, silleshin në mënyrë shumë brutale e jokoshiente ndaj qytetarëve, sidomos ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare. As në vetë Parlamentin jugosllav nuk mund të fshihej ky realitet, prandaj një deputet deklaroi se në Serbinë Jugore “administrata jonë nuk është e mirë… nuk mbështetet në ligj, për fat të keq në shumë raste është e korruptuar”. Në të vërtetë, punonjësit e kombësisë shqiptare nuk mund të kryenin asnjë punë pa dhënie të ryshfetit ose të të ashtuquajturit bakshish. Mbasi shqiptarët e varfër nuk kishin mundësi që, si ata të pasurit, t’u jepnin ryshfet nëpunësve, ata keqtrajtoheshin posaçërisht. U bënë keqpërdorime të rënda, sidomos me inkasimin e shumëfishtë të tatimeve, të taksave të ndryshme dhe të tagrave shtetërore.
Pra, mund të konstatohet se administrata shtetërore në viset ku jetonin shqiptarët sillej ndaj punonjësve të kombësisë shqiptare në mënyrë gati identike me administratën e metropoleve evropiane ndaj popujve të vendeve koloniale.

Presioni ekonomik ndaj shqiptarëve
Një prej formave më të rënda të shtypjes së masave punonjëse të kombësisë shqiptare në Jugosllavi ishte presioni ekonomik, bashkë me format e llojllojshme të eksploatimit të masave shqiptare, e sidomos të fshatarësisë së varfër, që përbënte pjesën më të madhe të kombësisë shqiptare. Në këtë drejtim, gjëja më e rëndë qe marrja e tokës prej fshatarëve shqiptarë dhe kolonizimi i viseve të tyre. Me qëllim presioni ndaj masave shqiptare në përgjithësi dhe të shpartallimit të tërësive homogjene shqiptare, prej vitit 1912 u zbatua politika e së ashtuquajturës reformë agrare, përkatësisht e marrjes së tokave të shqiptarëve dhe sjellja e kolonistëve në viset ku jetonin shqiptarët.
Vendosja e kolonistëve të kombësisë serbe dhe malazeze në Kosovë filloi qysh në vitin 1912, por u zbatua në mënyrë më intensive gjatë viteve 1919-1924, si dhe atyre 1934-1941. Në atë periudhë, në Kosovë u vendosën më se 39 mijë serbë e malazezë dhe u krijuan 374 koloni, përkatësisht vendbanime të reja fshatare. Këto koloni u shpërndanë me plan dhe sistematikisht në ambientet homogjene shqiptare, në viset kufitare me Shqipërinë dhe në pikat strategjike e komunikative të Kosovës.
Fshatarët e varfër, që u sollën nga Serbia, Mali i Zi dhe Hercegovina, u mashtruan se në Kosovë do të marrin tokë të plleshme e do të kenë kushte ideale të jetës, duke i indoktrinuar me patriotizmin e rrejshëm se vijnë këtu të shpëtojnë Kosovën serbe. Mirëpo numri më i madh i kolonistëve u dëshpëruan nga fakti se ata u vendosën në tokën që u ishte marrë fshatarëve të varfër shqiptarë ose nëpër mera që u deshën vite t’i hapin dhe t’i aftësojnë për prodhim. Gjithashtu, nuk u ndërtuan shtëpitë e premtuara dhe ata, edhe vetë të varfër, u desh të bënin përpjekje shumë të mëdha për strehimin e familjeve të veta.
Megjithë procesin intensiv të vendosjes në viset ku jetonin shqiptarët në Jugosllavi, nëpërmjet kolonizimit dhe sjelljes së nëpunësve e të punëtorëve publikë nga viset tjera të Jugosllavisë, për arsye të shtimit të madh natyror të popullsisë shqiptare, struktura kombëtare e popullsisë nuk u keqësua, por u përmirësua sa u përket shqiptarëve. Duke konstatuar këtë fakt, në një diskutim teorik mbi metodat e eliminimit të kombësisë shqiptare në Jugosllavi, në Klubin Kulturor të Serbisë më 1936, Vasa Çubrilloviq tha: ”Kolonizimi nuk mund të pengojë shtimin më të madh natyror të arnautëve ndaj serbëve, sepse qeveria nuk pati kurs të vendosur lidhur me arnautët dhe nuk ua mori atyre tokën e plleshme… Të rikapitulojmë, arnautët është e pamundur t’i asgjësojmë vetëm nëpërmjet kolonizimit”. Prandaj rekomandoi që, siç tha ai, “kolonistëve tanë, sipas nevojës, t’u jepen armë dhe në këto vise të plasohet aksioni i vjetër çetnik e të ndihmohet fshehtazi në detyrat e tij” të ndjekjes së shqiptarëve.
Politika kulturore-arsimore dhe fetare ndaj shqiptarëve
Me qëllim të pengimit të afirmimit kombëtar e duke synuar asimilimin e pjesëtarëve të kombësisë shqiptare dhe eliminimin e tyre nga Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër zbatuan politikë arsimore diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ata nuk lejonin kurrfarë veprimtarie kulturore dhe arsimore në gjuhën shqipe. Përveç kësaj, me qëllim që popullsinë shqiptare ta linin të paditur dhe në analfabetizëm, qarqet sunduese sabotuan edhe përfshirjen e fëmijëve shqiptarë në shkollat në gjuhën serbokroate, kështu që më 1936 afro 95 për qind e popullsisë shqiptare ishin analfabetë. Në vitin shkollor 1939/1940, prej afro 120 mijë fëmijëve shqiptarë, të cilët për nga mosha duhej të përfshiheshin në shkollat fillore, u regjistruan vetëm 21 mijë sish, edhe këta në shkollat ku mësimet zhvilloheshin në gjuhën serbokroate. Madje edhe qarqet më të larta ushtarake insistuan që “në lokalitetet thjesht shqiptare të mos kërkohet që fëmijët të ndjekin shkollën, përkatësisht të arsimohen”.
Përfshirja e fëmijëve shqiptarë në numrin shumë të vogël të shkollave të mesme ekzistuese në viset ku jetonin shqiptarët ishte gjë shumë e rrallë, kryesisht nëpër qytete dhe prej familjeve më të pasura. Regjistrimi i shqiptarëve në fakultete dhe në shkolla të larta gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ishte dukuri shumë e rrallë. Kështu, më 1939 kishte vetëm 17 studentë pjesëtarë të kombësisë shqiptare.
Në kohën e Jugosllavisë së vjetër, jo vetëm që nuk u lejua kurrfarë veprimtarie arsimore dhe kulturore në gjuhën shqipe, jo vetëm që u ndalua rreptësisht përdorimi i kësaj gjuhe, por qarqet sunduese zbatuan edhe kontroll të rreptë rreth asaj se mos përdoret ilegalisht çfarëdo teksti në gjuhën shqipe, që eventualisht do të depërtonte nga Shqipëria. Nëse dyshohej se ekziston ndonjë tekst i tillë, bëheshin kontrolle e bastisje të mëdha të banesave dhe nëse gjendeshin të tilla, atëherë, pavarësisht nga përmbajtja e tyre, poseduesit e lëndës së tillë dënoheshin në mënyrën më të rreptë.
Politika fetare e qarqeve sunduese ndaj shqiptarëve ishte e përqendruar në zhvillimin sa më të gjerë të aktiviteteve religjioze, që vetëdija e punonjësve të ngarkohej me fanatizëm dhe mashtrime, e kështu të pengohej depërtimi i vetëdijes kombëtare. Përveç kësaj, nëpërmjet klerit të korruptuar, sidomos të lartë e të mesëm, me zhvillimin e aktivitetit fetar duhej arsyetuar sa më shumë politikën e presioneve e të keqpërdorimeve ndaj shqiptarëve si të domosdoshme. Për këtë arsye shteti nxiti ndërtimin e objekteve fetare dhe hapjen e shkollave fetare, u siguroi pastaj rroga të mëdha klerit të lartë e të mesëm (Dr. Hajredin Hoxha). Qëllimi ishte përfitimi i klerit për përkrahjen e politikës së shtetit, megjithëse ajo ishte në dëm të shqiptarëve si popull dhe komb.
Pra, politika arsimore dhe fetare e Jugosllavisë së vjetër ndaj shqiptarëve iu shërbeu interesave të qarqeve sunduese për shkombëtarizimin e shqiptarëve, për pengimin e depërtimit të vetëdijes kombëtare shqiptare.

Politika e eliminimit total të shqiptarëve nga Jugosllavia e vjetër
Duke vazhduar pa ndëprerje politikën e qeverive serbe e malazeze qysh nga viti 1912, qarqet sunduese të Jugosllavisë gjatë tërë periudhës së sundimit patën si qëllim strategjik eliminimin total të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën shpërnguljen e tyre në vise të tjera të Jugosllavisë me qëllim të shkatërrimit të homogjenizimit të jetesës së tyre në territore përkatëse. Gjithashtu, qëllimi strategjik u përqendrua në procesin e shkombëtarizimit dhe asimilimit të kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Programin e këtillë të luftës kundër shqiptarëve qarqet sunduese e realizuan me metoda dhe forma të shumta, ndër të cilat po përmendim këto:
Qarqet më ekstreme dhe më reaksionare shoviniste të Jugosllavisë së vjetër synuan eliminimin e shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë edhe nëpërmjet gjenocidit fizik. Ky qëllim u realizua nëpërmjet masakrimit masiv të shqiptarëve më 1912 dhe prej 1918 deri më 1924, si dhe nëpërmjet vrasjes e likudimit individual të njerëzve deri në vitin 1941. Gjithashtu, pas sulmit të forcave fashiste kundër Jugosllavisë më 1941 u keqpërdor ushtria për masakrimin e shqiptarëve në vise të Kosovës. Përndryshe, gjatë tërë kohës së sundimit të Serbisë monarkiste dhe të Jugosllavisë së vjetër këto forca ekstreme zbatuan terror dhe keqpërdorime permanente ndaj popullsisë shqiptare me qëllim të zhdukjes së tyre fizike.
Pjesët më liberale të qarqeve sunduese në Jugosllavinë e vjetër shpresuan se shqiptarët do t’i eliminojnë nga trualli i Jugosllavisë nëpërmjet shkombëtarizimit dhe asimilimit të tyre. Në këtë drejtim, optimisti më i madh ishte Nikolla Pashiqi, i cili më 1918 deklaroi se në periudhën e 25 viteve të ardhshme shqiptarët do të eliminohen. Mirëpo, për arsye të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në rezistencën ndaj politikës së asimilimit, vështirësive të mëdha në eliminimin e gjuhës shqipe dhe kundërvënies së vendosur të masave shqiptare ndaj procesit të shkombëtarizimit, ky qëllim për asimilimin e popullsisë shqiptare nuk mund të realizohej gjatë tërë periudhës së Jugosllavisë së vjetër.
Duke parë se eliminimi i shqiptarëve me ndihmën e gjenocidit fizik dhe asimilimit nuk dha rezultatet e dëshiruara, Qeveria jugosllave bashkë me shtatmadhorinë inicoi debatin “shkencor” në Klubin Kulturor të Serbisë më 1936, i cili duhej të gjente rrugë dhe mënyra të reja për eliminimin e kombësisë shqiptare nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën për eliminimin e homogjenizimit të saj në territoret përkatëse, të ashtuquajtura Serbi Jugore. Konstatimi kryesor në këto diskutime u përqendrua në atë se nëpërmjet asimilimit dhe kolonizimit të deriatëhershëm të viseve ku jetonin shqiptarët nuk mundi të eliminohej homogjenizimi i shqiptarëve në territoret përkatëse të së ashtuquajturës Serbi Jugore dhe se kjo do të mund të arrihej vetëm me shpërnguljen masive e të dhunshme të shqiptarëve në botën e jashtme, në radhë të parë në Turqi. Shpërngulja e këtillë, sipas debatit të lartpërmendur, do të kishte rëndësi të madhe kombëtare, strategjike dhe politike për shtetin jugosllav.
Alternativa më e pranueshme për eliminimin e shumicës së popullsisë shqiptare nga territoret përkatëse ishte ajo e Vasa Çubrilloviqit, i cili për këtë diskutim përgatiti studimin më voluminoz, në të cilin u shkoqitën konkretisht të gjitha metodat dhe instrumentet që do të duhej të shfrytëzoheshin për eliminimin e shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, përkatësisht për shpërnguljen masive të shqiptarëve në botën e jashtme – në Shqipëri, e sidomos në Turqi.
Duke bërë fjalë për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, Çubrilloviqi thotë: “Duhen përdorur të gjitha mjetet diplomatike që Tirana të bindet për të pranuar një pjesë të të shpërngulurve tanë”. Në këtë drejtim, sipas tij, duhej bërë presion mbi qeverinë shqiptare dhe “nëpërmjet kanaleve të fshehta të angazhohen materialisht njerëz të dalluar”. Mirëpo, siç theksoi Çubrilloviqi, gjasat për shpërnguljen më masive të shqiptarëve në Shqipëri nuk ishin reale edhe për shkak të rezistencës së Italisë ndaj kësaj shpërnguljeje. Përndryshe, Qeveria jugosllave nuk ishte shumë e impresionuar për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, sepse këtë nuk e konsideronte zgjidhje të përhershme për eliminimin e shqiptarëve prej trojeve të tyre ngase përvoja tregoi se ata, për arsye të afërsisë, ktheheshin përsëri në trojet e veta sapo u jepej rasti historik.
Për këtë arsye Vasa Çubrilloviqi konsideroi se alternativa më reale për eliminimin e shqiptarëve nga Jugosllavia ishte shpërngulja e tyre masive dhe e dhunshme në Turqi. Duke bërë fjalë për këtë, ai thotë: ”Turqia është e gatshme që në fillim të pranojë afro 200 mijë të mërguar tanë, por kushtëzon që, çka për ne është gjëja më e pranueshme, këta të jenë arnautë. Dëshirën e turqve duhet pranuar sa më parë me plot vullnet dhe të realizohet sa më shpejt konventa mbi shpërnguljen”.
Qeveria jugosllave, duke vazhduar kontaktet dhe bisedat me Turqinë rreth çështjes së shpërnguljes së popullsisë nga Jugosllavia, të cilat filluan qysh në vitin 1924 e vazhduan intensivisht më 1935, arriti nënshkrimin ndërmjet dy qeverive të marrëveshjes mbi shpërnguljen e të ashtuquajturve emigrantë në Turqi. Me atë marrëveshje ishte paraparë shpërngulja e 250 mijë emigrantëve, përkatësisht shqiptarëve në Turqi. Mirëpo, me marrëveshje të fshehtë ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u vendos që në Turqi të shpërngulen afro 400 mijë banorë të Jugosllavisë.
Në bazë të subvencioneve që u jepte Qeveria jugosllave, pala turke duhej të ndërtonte në Anadoll ndërtesa banimi dhe baraka për të shpërngulurit. Gjithashtu, në Jugosllavi u morën masa që shqiptarët të shpërnguleshin me dhunë në Turqi. Ndër të tjera, në Ligjin civil u përfshi klauzola se banorëve myslimanë mund t’u lëshoheshin lejet për shpërngulje në botën e jashtme brenda 24 orësh.
Në kuadrin e presionit të përgjithshëm mbi masat shqiptare për shpërngulje të dhunshme në Turqi, më 1937 u ndërmorën aksione të reja për marrjen masive të tokës së punueshme shqiptarëve me qëllim të kolonizimit të ri ose të shitjes së kësaj toke serbëve vendas. Në studimin e përmendur të Çubrilloviqit shkoqiten me saktësi metodat e llojllojshme të presionit mbi masat shqiptare, duke filluar prej marrjes masive të tokës së punueshme deri te zbatimi i presionit e të terrorit më brutal dhe gjenocidit fizik. Për këtë qëllim ai rekomandoi nxitjen e urrejtjes fetare dhe kombëtare ndaj mylimanëve shqiptarë, si dhe keqpërdorimin, keqtrajtimin dhe fyerjen e tyre permanente në çdo pikëpamje.
Zbatimit efikas të politikës së shpërnguljes masive dhe të dhunshme të shqiptarëve në Turqi iu kundërvunë vendosmërisht masat popullore të kombësisë shqiptare. Ndërkaq, në fillim të Luftës II Botërore, e sidomos pas okupimit të Shqipërisë më 1939, në mbarë Jugosllavinë u krijua psikoza e luftës, prandaj Qeveria jugosllave nuk mundi ta zbatojë marrëveshjen e arritur me Turqinë rreth shpërnguljes masive të shqiptarëve dhe për shkak të rezistencës së shqiptarëve ndaj kësaj shpërnguljeje si dhe përkrahjes që iu dha atyre edhe nga forcat progresive të Jugosllavisë.
Në anën tjetër, Qeveria turke nën ndikimin e Gjermanisë dhe Italisë, nën presionin e inteligjencës shqiptare në ambasadën turke në Beograd, dhe me veprimtarinë e forcave demokratike të vetë Turqisë, e vështirësoi e madje edhe e sabotoi procesin e realizimit të marrëveshjes së përmendur mbi shpërnguljet nga Jugosllavia në Turqi.
Pra, megjithë zbatimin e formave dhe metodave të llojllojshme të presioneve për eliminimin e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia, regjimet e Jugosllavisë së vjetër nuk arritën të realizojnë këtë qëllim strategjik për shkak të rrethanave përkatëse historike, shoqërore e politike, për arsye të rezistencës së vendosur të masave shqiptare ndaj politikës së tillë, përkrahjes shumë të rëndësishme që ua dhanë atyre forcat progresive të të gjitha kombeve e kombësive të Jugosllavisë në krye me PKJ-në, duke iu kundërvënë politikës së mohimit të të drejtave të kombësisë shqiptare dhe eliminimit të saj total nga trualli i Jugosllavisë.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat