
Deklarata e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, më 11 mars 2026, se Shqipëria është aktualisht frontrunner në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (“Albania is currently a frontrunner in the EU accession process.”, X/Twitter), nuk kaloi pa reagime midis vendeve kandidate.
Në një kuptim më të gjerë, Mali i Zi mbetet ende i pari në garën për anëtarësim në BE, sepse i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave. Megjithatë, Shqipëria gjatë dy viteve të fundit i ka përshpejtuar dukshëm negociatat, prandaj sot përmendet shpesh së bashku me Malin e Zi si një nga kandidatët kryesorë.
Komisionerja Kos thotë se Shqipëria është ndër vendet që aktualisht po përparojnë më shpejt drejt anëtarësimit në BE, por, ajo shtoi menjëherë se kjo nënkupton edhe pritshmëri të mëdha, veçanërisht në fushat e:
• shtetit të së drejtës
• luftës kundër korrupsionit
• zbatimit të reformave
Për një kohë të gjatë, zgjerimi i Bashkimit Evropian është parë si një proces teknik: reforma, kapituj negociatash, raporte dhe procedura. Sot, situata është ndryshe. Pas invazionit të Rusisë në Ukrainë, zgjerimi është bërë, para së gjithash, një çështje gjeopolitike. Bashkimi Evropian ka filluar ta shohë Ballkanin me sy të tjerë dhe dëshiron ta lidhë atë më fort me hapësirën politike evropiane.
Në këtë kontekst të ri, Shqipëria merr një peshë tjetër. Ajo është tashmë anëtare e NATO-s (që nga viti 2009). Kërkesën për statusin e vendit kandidat për BE e paraqiti në vitin 2014, ndërsa negociatatat me BE-në filluan në korrik të vitit 2022. Vitet e fundit, Tirana ndjek një politikë të qartë proevropiane dhe properëndimore. Për Brukselin kjo është një shenjë e rëndësishme stabiliteti në një rajon që shpesh është i ngarkuar me mosmarrëveshje dhe kriza.
Ndër vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi ka përparuar më së shumti në mënyrë formale në negociata. Megjithatë, Brukseli ndonjëherë flet për një frontrunner në kuptimin e momentit aktual politik dhe të vrullit të reformave. Gjithashtu, deklarata të tilla përdoren shpesh për ta nxitur konkurrencën midis vendeve kandidate dhe për t’i motivuar ato edhe më shumë. Mali i Zi ka shkuar më larg në negociata, ndërsa Shqipëria është ndër vendet që aktualisht po përparojnë më shpejt.
Një rol të rëndësishëm luan edhe diplomacia aktive e kryeministrit Edi Rama. Ai gjatë viteve të fundit është profilizuar si një nga politikanët më të dukshëm të Ballkanit në qarqet evropiane. Rama shpesh përdor një gjuhë që institucionet evropiane duan ta dëgjojnë: përkushtim për reforma, bashkëpunim rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit.
Prandaj, deklarata nga Brukseli nuk është vetëm një vlerësim i progresit teknik. Ajo është edhe një sinjal politik se Bashkimi Evropian dëshiron të tregojë se procesi i zgjerimit vazhdon të ketë dinamikë.
Me fjalë të tjera, kur Brukseli sot flet për Shqipërinë si për një vend që po prin në këtë proces, ai nuk përshkruan vetëm gjendjen e negociatave. Ai flet edhe për një strategji të re evropiane ndaj Ballkanit. Shqipëria, një shtet që deri para disa dekadash ishte simbol i izolimit nga Evropa, sot përmendet si një nga kandidatët kryesorë për anëtarësim në BE.
Deklarata e Marta Kosit nuk është vetëm një kompliment diplomatik. Në rrethanat e reja pas invazionit rus të Ukrainës, shpejtësia e reformave nuk është më kriteri i vetëm – po aq të rëndësishme janë stabiliteti politik dhe orientimi i qartë strategjik i vendeve kandidate. Bashkimi Evropian kërkon partnerë që janë politikisht të qartë dhe strategjikisht të besueshëm.
