
Rrëfimet për torturat policore të ushtruara pas vitit 1981 e këtej, në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, të fusin ndjenjën e turpit, sepse çdo mizori policore dhe gjyqësore bëhej në emër të konceptit popull. Të kuptuarit se forca e shtetit që u manifestua me dhunë kolektive bëhej edhe në emrin e individit, te qytetari normal, nxit ndjenjën e fajit. Regjimi në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe separatizmit përgatiste ekipe politikanësh shqiptarë të cilët për të ruajtur pozitat e veta në hierarkinë e mekanizmave partiake, largonin nga shoqëria individët, e sidomos arsimtarët dhe profesorët nga procesi mësimor, ndaj të cilëve ngriteshin procedura gjyqësore me dëshmitarë të rrejshëm. Ky është turpi më i madh yni. Lista e dëshmitarëve të rrejshëm që “dëshmonin” në polici dhe gjyqe, e kalon disa herë listën e të përndjekurve politikë.
Në një situatë të tillë, ku të gjithë ishin kundër të gjithëve, në Anë të Malit – Ulqin u ndoqën penalisht këta persona: Muhamet Nika (Rashtishë), me dy vjet burg; Hajredin Kovaçi (Draginë), me dy vjet burg; Faik Rexha (Këllezën), me dy vjet burg; Gjylaver Avdiu (Sukubinë), me dy vjet burg; Bajram Rexha (Këllezën), me dy vjet burg; Brahim Ceka (Brajshë), me një vjet burg.
U dënuan për kundërvajtje, prej 2 deri në 6 muaj burg: Prenç Koçi (Këllezën), Mujë Zeneli (Kosiq i Poshtëm), Xheladin Xhurreta (Rashtishë), Osman Zaga (Rashtishë), Enver Tula (Rashtishë), Nerimet Tela (Sukubinë), Xhevahire Tela (Sukubinë), Zenun Avdiu (Sukubinë), Hamza Kurti (Sukubinë), Brahim Osmani (Brajshë), Qazim Çobi (Krythë), Islam Jahush Pali (Krythë), Bilal Alaj (Katërkollë).
U larguan nga procesi mësimor: Idriz Kallaba, Rexhep Koka, Mehdi Alaj, Kadri Doda, Qazim Rexha (iu hoq edhe grada e kapitenit të eprorit ushtarak në rezervë). U dënuan me vërejtje partiake dhe me paralargim: Ali Doda, Asllan Bisha, Syme Kokaj, Shaban Gjekaj, pastaj edhe shumë të tjerë që kishin funksione partiake dhe “sjellje oportune”.
Izolimi i këtyre njerëzve ka vazhduar edhe pas vuajtjes së dënimit. Ata kanë dashur dhe kanë shpresuar se mund të “risocializohen” në mjedis, së paku nga miqtë dhe shokët e tyre, mirëpo ekskomunikimi që u bëhej nga shoqëria e frikësuar, ka qenë përjetim më i tmerrshëm se vetë dënimi. Ata kishin nevojë për një kurajo që mungonte. Diktatura shtetërore dhe tortura policore e kishte kryer misionin e vet.
Privimi nga liria i disa personave, krijonte psikozën e ikjes masovike nga liria për të tjerët. Derisa të parët e kapërcenin kufirin e frikës pas daljes nga ferri (burgu), të tjerët hynin në ferr… Njerëzit që s’e kapërcenin frikën, kishin frikë nga hija e vet.
Nuk do të na shihet për të madhe nëse rikujtojmë fjalët e një mendimtari arab, i cili ka thënë: “Mos i nënçmoni mëkatet e vogla se në të vërtetë nga ata degëzohen mëkatet e mëdha”.
Në aktgjykimin: PK, nr. 3, 1/82, më 8.03.1982, lëshuar nga Gjykata e Qarkut të Podgoricës, Hajredin Kovaçi dënohet me dy vjet burg, bashkë me Muhamet Nikën, sepse përveç tjerash kishte thënë: “…Në territorin e komunës së Prishtinës kanë bërë përpjekje për të penguar të shikuarit e Televizionit të Shqipërisë, dhe kanë pasur sukses, por jo edhe këtu në Anë të Malit – Ulqin. Njeriu i pashkollë kur ka forcën në duar të shkelë e kështu po na ndodh edhe neve. Besoj që më kuptuat, por kemi shpresë që një ditë prej ditësh, pëllumbi do të fluturojë i lirë, kurse skifterët do të hanë njëri-tjetrin.
Kur isha në Ulqin është mbajtur seminari dyditësh për mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Në të morën pjesë të gjithë arsimtarët dhe profesorët nga tërë Mali i Zi. Në të u fol gjatë dhe bukur për çdo imtësi. Mua më njoftuan për këtë. Disa diskutuan shumë mirë për disa probleme të rëndësishme, si: Bajram Rexha, Mehmet Bardhi, Syme Koka, Omer Çobaj e tjerë”.
Si duket, në këtë kohë të mallkuar, disa vuajtën për të tjerët, kurse të tjerët u krijuan vuajtje atyre. Kështu ngjante që kur disa kërkuan lirinë, të tjerët kërkuan lavdinë. E liria kërkon që asnjë të mos dënohet për të drejtën e saj. Ajo duron të preket vetëm me duar të pastra, e të tjerët, kur i bren ndërgjegjja mund të fisnikërohen, por vuajtja e brejtjes do t’i ndjekë në shpirt tërë jetën.
Kjo atmosferë, e krijuar në masë të madhe nga vetë shqiptarët ishte një ogur i zi për ata e sidomos pas mbajtjes së seminarit në Ulqin, më 26 shtator 1981. Shihej qartë se ç’po u përgatitej atyre e sidomos arsimit shqip. “Provokimi” nisi pikërisht me këtë seminar.
Për këtë, Dr. Nail Draga, në librin “Komente dhe opinione” shprehet: “Duke parë se askush nuk distancohej nga diskutimet dhe kërkesat e parashtruara në atë seminar, sepse realisht ato nuk kanë qenë as ‘armiqësore’ e as ‘nacionaliste’, KK i LK të Ulqinit jep urdhër të prerë që OTHLK pranë QSH ‘Vëllazërim-Bashkim’ t’u japë masa ideopolitike të përgjegjësisë, përjashtim nga LK për profesorët Bajram Rexha, Qazim Rexha, Tahir Pereziqi dhe Mejreme Maraj. Më 12 XII 1981 u mbajt mbledhja e OTHLK pranë QSH, e cila aprovoi dekretin e dhënë nga lart. Nga ana tjetër, më 15 XII 1981 është mbajtur mbledhja e komisionit disiplinor pranë Qendrës, e cila konkludon se ata të cilët janë larguar nga partia duhet larguar edhe nga procesi mësimor, andaj iu ndërpritet edhe marrëdhënia e punës. Nga ana tjetër, prof. Mehmet Bardhi, ndonëse nuk ishte anëtar i Partisë, komiteti famoz jep urdhër që të largohet nga procesi mësimor për shkak të ‘ekspozimit nacionalist në seminarin e punëtorëve të arsimit’. Mu me këto motive u përjashtuan nga LK dhe nga procesi mësimor arsimtarët e shkollës fillore ‘Bedri Elezaga” në Katërkollë, Rexhep Kokaj dhe Mehdi Alaj. Ndërsa, për oportunitet u përjashtua edhe drejtori i shkollës, Idriz Kallaba. Të njëjtin fat e pësoi edhe arsimtari i muzikës Kadri Doda, për shkak të papërgjegjësisë së përgatitjes së programit muzikor me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Bibliotekës ‘Mirko Srzentiq’, ku, sipas tyre, është bërë krim se në vend të himnit ‘Hej slloveni’ është intonuar ‘Internacionalja’, me ç’rast nga komunistët u ‘dekorua’ me përjashtim nga vendi i punës”.
(Teksti i plotë i këtij skenari antishqiptar të KK LK të Ulqinit është botuar në “Fati”, nr. 14/1996, ff. 16-17.)
Si duket, ngjarjet e vitit 1981 ishin një rast i mirë për strukturat shoviniste malazeze, të cilat në emër të diferencimit politik filluan një fushatë kundërshqiptare. Në ballë të kësaj fushate ishte vënë Lidhja Komuniste Jugosllave, e cila përmes Platformës Politike në vitin 1981 filloi goditjet kundër inteligjencës shqiptare në Komunën e Ulqinit.
Po të shikojmë kronologjinë e marrjes në biseda informative dhe rënies në burg, rezulton se në fillim u goditën emisarët nga Kosova të vitit 1981, që ishin kryesisht studentë dhe nxënës të shkollave të mesme që studionin në Universitetin e Kosovës.
Marrja në biseda informative nuk ka qenë fare “e këndshme”. Pothuajse janë marrë në biseda informative të gjithë studentët nga Ulqini (Ana e Malit) që studionin në Prishtinë.
Pastaj filluan diferencimet e kuadrit arsimor. Instruksionet nga pala serbe pasi arrinin në Mal të Zi, përfundonin në zyrën e kryetarit të Komunës së Ulqinit për të gjetur zbatim praktik. Kryetari i Komunës ishte me funksion edhe kryetar i Këshillit të Sigurimit, ku hynin udhëheqësit më të lartë të institucioneve shoqërore-politike dhe ekonomike – njerëzit më të besueshëm të pushtetit, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë. Mbledhjet e Këshillit ishin të karakterit të fshehtë dhe vendimet e tyre kishin karakter të vlerësimit të gjendjes së sigurisë në Komunë. Si avangardë e Këshillit të Sigurimit për hapjen e fushatës shërbente Shoqata e Luftëtarëve të Komunës së Ulqinit. Ajo me rolin e pararojës jepte bekimin dhe fjala e saj ishte e pacenueshme nga të gjitha instancat.
Hapja e fushatës antishqiptare dhe shpallja publike e saj u bë me rastin e inaugurimit të Përmendores së Luftëtarëve në Dushkakuq, në Pistull të Ulqinit, nga kryetari i luftëtarëve Andrija Vojvodiq. Sipas luftëtarëve, problem ishin të rinjtë shqiptarë që ishin të indoktrinuar nga irredentizmi shqiptar, arsimtarët dhe profesorët në shkollat fillore e sidomos të Qendrës Shkollore të Mesme në Ulqin, të cilët duhej të largoheshin menjëherë nga procesi mësimor. Turrit të atëhershëm të ish-kryetarëve të Komunës, Marko Kallugjeroviq dhe Mishko Miroviq, për të realizuar qëllimet e zeza të planit serbofil, që fshihej nën petkun e ruajtjes së ideologjisë komuniste, i kanë kontribuuar edhe funksionarët shqiptarë që ishin në përbërje të Këshillit. Nuk kemi të dhëna se këta shqiptarë të këtyre niveleve të kenë reaguar ndaj veprimeve të tilla diskriminuese! Por përkundrazi, me qëndrimet e veta, duke “heshtur si peshqit” kanë aprovuar çdo gjë që u është thënë, madje, disa kanë qenë shumë të ulët në sulmet ndaj kolegëve dhe bashkëkombësve të vet. Ata shpeshherë “lariteshin” para “padronëve” të tyre për të fituar “paleta” në fatkeqësinë e të tjerëve. Ata për gjeneratat që do të vijnë kanë për të mbetur si shembull i konturave të shpirtit rrënues. Mjerisht, pasojat e lisë komuniste te këto kuadro kanë qenë shumë të mëdha. Ata asnjëherë s’u “poqën” dhe s’gjetën guxim të ktheheshin nga “Kibla”, bile së paku as me daljen e pranverës së madhe pluraliste nuk u radhitën në subjektet nacionale shqiptare. Për atë çfarë kanë bërë dhe si po veprojnë, Jezusi do të thoshte: Fali o Zot se s’dinë çfarë bëjnë!
Ja se si bëheshin montimet politike në proceset e atëhershme gjyqësore.
A e shihni z. gjykatës që rren, edhe Zoti do ta vrasë…
Prindi i Xheladin Xhurretës dëshmon se si seanca gjyqësore e Xheladinit ishte shtyrë, sepse nga tre dëshmitarët e ftuar në gjyq, dy dëshmitarë e mohuan akuzën ndaj Xheladinit, kështu që gjykatësi me këtë balancë të dëshmive nuk mund të vendoste sipas instruksioneve të Sekretariatit të Punëve të Brendshme dhe hetuesisë.
Organet e punëve të brendshme kishin bërë presion mbi njërin nga dëshmitarët për të ndryshuar deklaratën. Ai e kishte njoftuar prindin e Xheladinit se i duhej ta ndërronte dëshminë, sepse i kërcënoheshin edhe vetë atij me burg.
Ditën e gjyqit, pasi që dëshmoi rrejshëm, pas pyetjes që i bëri gjykatësi, ai u alivanos dhe ra pa ndjenja për tokë. Atëherë Xheladini iu drejtua gjykatësit me këto fjalë: “A e shihni z. gjykatës që rren, edhe Zoti do ta vrasë!”
