Arti lind nga individualiteti

Një moment i rëndësishëm, ndoshta edhe shtysa kryesore për të mos e ndërprerë këtë rrugë, ishte kur poezitë e mia të para u vlerësuan dhe u përzgjodhën për botim. Botimi i librit tim të parë në vitin 2004 ishte si një vulë e parë besimi dhe motivimi për të vazhduar më tej me përkushtim. Sot e kuptoj se poezia nuk ishte një zgjedhje e imja, por një thirrje që më zgjodhi mua

Koha javore: Znj. Tmava – Veselaj, kur e kuptuat që poezia do të ishte rruga juaj? A pati ndonjë moment të veçantë ose ndikim që ju shtyu të filloni të shkruani?
B. Tmava – Veselaj:
Përshëndetje për lexuesit e ‘Kohës javore’ dhe juve për kohën dhe nderin që më keni bërë. Fillimet e mia me poezinë datojnë shumë herët. Në atë kohë nuk e mendoja se poezia do të bëhej një rrugëtim i gjatë dhe i pandarë nga jeta ime. Një mësues i letërsisë ishte ndër të parët që e vuri re prirjen time për të shkruar dhe më inkurajoi të mos e lë penën. Ai besim i hershëm më dha guximin të vazhdoj.
Një moment i rëndësishëm, ndoshta edhe shtysa kryesore për të mos e ndërprerë këtë rrugë, ishte kur poezitë e mia të para u vlerësuan dhe u përzgjodhën për botim. Botimi i librit tim të parë në vitin 2004 ishte si një vulë e parë besimi dhe motivimi për të vazhduar më tej me përkushtim. Sot e kuptoj se poezia nuk ishte një zgjedhje e imja, por një thirrje që më zgjodhi mua.

Koha javore: Cilat janë influencat kryesore në poezinë tuaj? Ka autorë, ngjarje ose eksperienca personale që kanë formësuar zërin tuaj letrar?
B. Tmava – Veselaj:
Influencat në poezinë time vijnë nga disa drejtime. Letërsia shqipe ka qenë gjithmonë një burim i rëndësishëm frymëzimi për mua, sidomos autorë që kanë ditur ta bashkojnë ndjeshmërinë me thellësinë psikologjike dhe filozofike. Po ashtu, kam ndier afërsi me poetë që shkruajnë me sinqeritet, pa zbukurime të tepërta.
Megjithatë, ndikimi më i madh në formësimin e zërit tim letrar ka ardhur nga përvojat personale. Jeta me të gjitha lëkundjet e saj, sfidat, humbjet, dashuria, heshtjet, kanë qenë shkolla ime më e madhe. Çdo përjetim ka lënë një gjurmë që më pas është shndërruar në varg. Ngjarjet që prekin shpirtin tim, por edhe realiteti shoqëror që më rrethon, janë pjesë e pandashme e poezisë sime. Besoj se zëri letrar formohet jo vetëm nga librat që lexojmë, por nga mënyra se si e përjetojmë jetën.

Koha javore: Si ka qenë për ju të merrni pjesë në mbrëmje poetike dhe antologji, dhe çfarë keni mësuar nga këto eksperienca?
B. Tmava – Veselaj:
Në fillim, kur merrja pjesë në organizime letrare, ndieja një lloj frike të dilja para njerëzve, sidomos para poetëve të cilët i konsideroja njerëz shumë të ditur në këtë fushë. Por me kalimin e kohës, kjo ndjesi u shndërrua në një përjetim të këndshëm dhe të dashur për mua. Në këto mbrëmje vërehet qartë se secili poet ka frymën e tij poetike; mënyrat e të shkruarit janë të ndryshme dhe kjo e bën letërsinë më të pasur.
Pjesëmarrja në antologji, për mua, është si një lloj pasaporte që i mundëson poetit të njihet në përmasa më të gjera. Është gjithashtu një kënaqësi e veçantë kur shumë poetë bashkohen në një libër të vetëm, duke sjellë zëra dhe ndjeshmëri të ndryshme.
Ajo që kam mësuar nga këto përvoja është se çdo poet ka muzën e vet, e cila e bën unik. Për këtë arsye, nuk bëj asnjëherë krahasime, sepse arti lind nga individualiteti.

Koha javore: Si e përjetuat pjesëmarrjen dhe çmimin e parë në Festivalin Kombëtar Letrar “Nën dritën e fjalës”, të mbajtur vitin e kaluar në Tiranë? Çfarë do të thotë kjo për rrugëtimin tuaj si poe¬te e re?
B. Tmava – Veselaj:
Pjesëmarrja ime në Festivalin Kombëtar Letrar “Nën dritën e fjalës” të mbajtur vitin e kaluar në Tiranë, ishte krejtësisht e rastësishme. Nuk kishte kaluar shumë kohë nga shpallja e konkursit kur e lexova njoftimin dhe vendosa ta dërgoj poezinë time, thjesht nga dëshira për të qenë pjesë e festivalit të parë të këtij lloji në Tiranë.
Pasi e dërgova poezinë sipas kritereve të kërkuara, nuk prisja as të isha në rrethin e finalistëve. Nuk njihja askënd nga organizatorët apo pjesëmarrësit dhe pritshmëritë e mia ishin pothuajse zero. Prandaj, kur pas disa javësh pashë titullin e poezisë sime mes emrave finalistë, ndieva se kjo do të ishte tashmë një përvojë e bukur dhe e rëndësishme për mua.
Në mbrëmjen finale shkova me dëshirën për të shijuar një mbrëmje që mund ta quaj, pa hezitim madhështore, si për nivelin e pjesëmarrësve ashtu edhe për organizimin dhe fjalët e bukura që u ndanë në atë skenë. Nuk prisja asgjë më shumë. Por kur u thirr emri im si fituese e Çmimit të Parë, përjetova një nga emocionet më të forta dhe më të papërshkrueshme të jetës sime. Mezi arrita të ngjitesha në skenë dhe, mes emocionesh të shumta, mezi shqiptoja një “faleminderit”.
Ky vlerësim ka qenë një shtysë e fuqishme për mua. Më ka dhënë besimin se zëri im poetik është në rrugën e duhur dhe se duhet të vazhdoj të punoj, të rritem dhe të ngjis shkallë drejt poezive gjithnjë e më të thella dhe më të mira.

Koha javore: Së fundmi keni botuar dy libra: “E kuqja s’është ngjyrë” dhe “Gjysma ime e panjohur”. Çfarë tregojnë këto vepra për lexuesin dhe çfarë do të rrëfejnë për ju si autore?
B. Tmava – Veselaj:
Të dy librat e rinj me poezi – “E kuqja s’është ngjyrë” dhe “Gjysma ime e panjohur”, për mua nuk janë thjesht dy botime, por dy rrugëtime të brendshme. I shoh si dëshmi të një rritjeje artistike krahasuar me veprat e mia të mëhershme, sepse besoj që çdo libër më ka ndihmuar të piqem më shumë në mendim, ndjeshmëri dhe në formësimin e vargut.
Këta libra i flasin lexuesit për ndjenjat e thella, për përballjen me veten, për dashurinë, dhimbjen, forcën dhe dritën që secili prej nesh e mban brenda. Besoj se çdo lexues që e do poezinë mund ta gjejë veten, qoftë edhe në një varg të vetëm, sepse kam shkruar me sinqeritet të plotë dhe me ndjenjën më të pastër.
Sa më përket mua si autore, këto vepra tregojnë se poezia për mua nuk është thjesht shkrim, por pjesë e shpirtit tim. Megjithatë, përtej frymëzimit, i kushtoj shumë kohë, punë dhe përgjegjësi procesit të botimit. Çdo libër kalon përmes një përkushtimi të madh, sepse gjithmonë synoj të jap më të mirën time dhe të rritem artistikisht nga një botim në tjetrin.

Koha javore: Cila është pjesa më e vështirë dhe pjesa më e kënaqshme kur krijoni poezi? Si e menaxhoni procesin krijues dhe frymëzimin?
B. Tmava – Veselaj:
Fillimisht, unë nuk i caktoj vetes detyrë për të shkruar një poezi. Nuk i them vetes “duhet ta shkruash këtë”, por pres gjithmonë frymëzimin, ndonjëherë për një poezi, ndonjëherë për disa njëherësh. Të shkruarit, më shumë sesa kënaqësi, më jep një qetësi të brendshme që më bën të ndihem mirë dhe e plotë.
Nuk e kam konsideruar kurrë të vështirë procesin e krijimit, sepse për mua nuk ka qenë detyrim, por nevojë shpirtërore. Sa i përket menaxhimit të kohës, nuk kam një orar të caktuar shkrimi. Mund të shkruaj në rrugë, në mes të natës, apo edhe në prani të njerëzve, mjafton ta kem të qartë atë që dua të them në atë moment.

Koha javore: Cilat janë planet tuaja të ardhshme për krijimtarinë? A po mendoni të merrni pjesë në festivale të tjera, antologji ose projekte letrare?
B. Tmava – Veselaj:
Nuk jam tip që bëj plane afatgjata; më pëlqen të veproj sipas kohës dhe mundësive që më jepen. Shkruaj vazhdimisht dhe besoj se herë pas here do të ketë edhe botime të reja.
Sa i përket festivaleve, do të doja të isha sa më prezente, por jo gjithmonë arrij t’i përfshij të gjitha për shkak të angazhimeve të ndryshme. Për antologjitë jam gjithmonë e hapur, mjafton të jem e njoftuar dhe nuk ngurroj të bëhem pjesë. Madje, këtë vit mora pjesë me shumë kënaqësi në një antologji në Indi, pas një ftese që më erdhi.
Ndërsa për projektet e ardhshme, kam dëshirë të provoj veten edhe në prozë, në tregime dhe në roman, por gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim.
Ju falënderoj për hapësirën dhe vëmendjen ndaj krijimtarisë sime. Është gjithmonë kënaqësi të ndaj mendimet dhe rrugëtimin tim me lexuesit. Shpresoj që fjala ime të vazhdojë të gjejë zemra që e ndiejnë dhe e kuptojnë.

Intervistoi: Toni Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat