Muze letrarë që i shërbejnë kujtesës sonë kombëtare

Shtëpia Studio Kadare është e vetmja hapësirë sot në botë, ku lexuesit e tij mund të frymojnë aty ku ka frymuar dhe krijuar Kadareja, në shtëpinë ku jetoi mes viteve 1973-1990. Dhe aty koha vërtet ka ngrirë e mund të përjetohet vërtet një magji në raport me shkrimtarin. Ndërsa Dritëro Agolli jetoi në apartamentin e tij një kat më lart në të njëjtën ndërtesë, mes viteve 1974-2017, vit në të cilin u nda nga jeta. Edhe aty përjetohet magjia dhe shpirti i shkrimtarit mund të perceptohet thellësisht

Koha javore: Znj. Ymeri, cili është roli i Shtëpive Studio Agolli – Kadare për trashëgiminë letrare dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, sidomos tani kur të dy shkrimtarët nuk jetojnë më?
A. Ymeri:
Kjo është një hapësirë kulturore themelore për kulturën tonë kombëtare dhe një pikë takimi shumë e rëndësishme e çdo qytetari të botës, me një pjesë të trashëgimisë sonë, së pari letrare, dhe pas saj, historike dhe arkitektonike. Ka disa arsye se përse është kështu.
Së pari, vetë ndërtesa e cila në gjuhën urbane njihet si “Pallati me Kuba”, është projektuar nga Maks Velo në një moment kyç të jetës së tij si arkitekt, dhe ku ai derdhi në gjithë kuptimin e fjalës, shumë prej ideve të tij në arkitekturë. Ky fakt dhe avangardizmi i tij në projektimin e pallatit, është me rëndësi nga pikëpamja e trashëgimisë materiale, sidomos kur është fakt i dëshmuar edhe prej dosjes së tij të përndjekjes që, për këtë vepër, M. Velo e ka pësuar, sa për të gjithën, aq edhe për disenjimin e brendshëm të apartamentit të Kadaresë, element për të cilin etiketohet gjithashtu në dosjen e tij hetimore. Bëhet fjalë për një derë të lëvizshme në sallonin e Shtëpisë Studio Kadare, dhe oxhakun në studion e shkrimtarit.
Së dyti, në këtë ndërtesë ndodhen apartamentet e Kadaresë dhe Agollit, gjithaq edhe i kompozitorit Feim Ibrahimi, familja e të cilit ende jeton aty. Janë apartamente të cilave ju është ruajtur thuajse gjithçka me vlerë që mbartnin brenda tyre. Bibliotekat dhe librat me të cilët ata kanë punuar, objekte personale, mobilje, studiot në të tërën e tyre, përfshirë skrivanitë dhe çfarë e bën edhe më të rëndësishme këtë trashëgimi materiale, janë dorëshkrimet e disa veprave e letërkëmbime. Në rastin e Kadaresë, i cili është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm botërorë të periudhës së tij, kjo është një vlerë e skajshme, sepse Shtëpia Studio Kadare është e vetmja hapësirë sot në botë, ku lexuesit e tij mund të frymojnë aty ku ka frymuar dhe krijuar Kadareja, në shtëpinë ku jetoi mes viteve 1973-1990. Dhe aty koha vërtet ka ngrirë e mund të përjetohet vërtet një magji në raport me shkrimtarin. Ndërsa Dritëro Agolli jetoi në apartamentin e tij një kat më lart në të njëjtën ndërtesë, mes viteve 1974-2017, vit në të cilin u nda nga jeta. Edhe aty përjetohet magjia dhe shpirti i shkrimtarit mund të perceptohet thellësisht.
Së treti, janë hapësira të cilat i shërbejnë dhe do të duhet t’i shërbejnë kujtesës sonë kombëtare, përmes jetës dhe veprës së shkrimtarëve, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Këto janë arsye të mjaftueshme që këto – Shtëpia Studio Kadare dhe Shtëpia Studio Agolli, të jenë muze letrarë dhe jo vetëm, që duhet të kenë vëmendjen e cilitdo për të qenë një nga institucionet themelore të kulturës sonë kombëtare.

Koha javore: Çfarë ka ndryshuar në mënyrën e menaxhimit dhe komunikimin me publikun me ardhjen tuaj në krye të tyre?
A. Ymeri:
Për shkak të profilit tim në lëmin e gazetarisë kulturore dhe të komunikimit kulturor, ishte e qëllimtë që të ndryshonte thuajse tërësisht qasja menaxheriale dhe komunikimi me publikun. Gjykoj se qasja e shumë muzeve dhe galerive në botë, që i shohin si qenie të cilat do të duhet të jenë domosdoshmërisht në lëvizje, është qasja e duhur. Dhe kur them në lëvizje, kam parasysh jetën jo apatike që duhet të ketë një institucion. Në qendër të tij do të duhet të jetë doemos vizitori, por me një ndryshim themelor, një vizitor i cili të ketë arsye për t’u rikthyer. Prandaj prej më se një viti ne kemi një kalendar vjetor ekspozitash përmes të cilave, herë pas here, sjellim për “konsumatorin kulturor”, atë që në linjën ekspozicionale, nuk e sheh. E gjitha kjo, e shoqëruar me leksione të hapura për nxënës, studentë, profesionistë të rinj të fushave të ndryshme apo edhe të pasionuar pas temave të caktuara.
Por për të sjellë vizitorin në muze, nuk mjafton vetëm ajo çfarë bëhet brenda, por ishte e domosdoshme një strategji e mirëfilltë e komunikimit e cila, pak nga pak, ka nisur të japë efektet e saj. Muzetë mund të ruajnë, sikurse edhe arkivat, pasuritë më të çmuara për një vend a kulturë, por nëse nuk arrihet publiku, konsumatori i kulturës në këtë rast, ato mbeten pasuri të cilat nuk do të kryejnë misionin për të cilin ekzistojnë, për të ndikuar në kultivimin e cilitdo prej nesh. Ndaj edhe kjo qasje e re e komunikimit në këtë institucion, besoj se është rruga e duhur për t’u njohur vlerat që ruhen aty dhe për të ndikuar ata që njihen me to, në këtë rast, vizitorë vendas dhe të huaj.

Koha javore: Sa ju ka ndihmuar në këtë drejtim përvoja juaj si gazetare e kulturës dhe pasionante e letërsisë dhe kulturës?
A. Ymeri:
Shumë! Është thelbi i gjithçkaje!
Pa këtë rrugëtim profesional të deritanishëm, asnjë nga këto programe dhe lëvizje që kanë nisur në muzetë letrarë, nuk do të kishin ndodhur. Madje kaq ndikim ka ky profil imi profesional, sa në çdo nismë që ndërmarr bashkë me stafin, vihem përballë vetes për ta gjykuar punën time dhe të stafit, siç do të bëja nëse do të raportoja për një çështje apo një ngjarje kulturore.
Kjo është disi sfiduese, por është një nga çelësat e disa momenteve me rëndësi që kanë ndodhur në jetën e dy muzeve. Unë punoj në sektorin e kulturës prej 21 vjetësh tanimë. Pa këtë përvojë pararendëse, s’do të mundja të kuptoja vërtet nevojat reale që ka një institucion i tillë dhe as të hartoja një program për ecurinë e tij.
Pa këtë përvojë, fjala vjen, s’do të kisha kuptuar dot se sa të rëndësishme janë programet e edukimit në një institucion kulturor dhe se përse të rinjtë duhet të jenë domosdoshmërisht përqindja më e madhe e vizitorëve në këto shtëpi muze të shkrimtarëve.

Koha javore: Sa janë të pasura me eksponate ?
A. Ymeri:
Janë shumë më të pasur nga sa e mendojnë shumë. Shpesh, ndeshemi me vizitorë që vijnë gjithë skepticizëm, sepse nuk e mendojnë që Shtëpia e Kadaresë ka mbetur njësoj siç ka qenë ditën kur familja u largua dhe kërkoi azil politik në Francë. E kur hyjnë dhe shohin bibliotekat e tij, librat, disqet me muzikën që kanë dëgjuar, perdet që kanë qenë edhe atëherë, objekte shumë personale dhe doemos, deri edhe parketin origjinal që ka pasur apartamenti, mbeten të befasuar. Doemos, një nga pasuritë më të mëdha që ruhen aty janë dorëshkrimet e shkrimtarit Ismail Kadare.
Është një narrativë vërtet magjike në jetën e shkrimtarit, sepse bëhet fjalë për hapësirën ku ai jetoi në vite gjatë të cilave ka shkruar disa prej veprave më të rëndësishme. Dhe çfarë e bën një mjedis kulturor dhe historik krejt të veçantë është fakti që 100 për qind e artefakteve janë autentike. Nuk është si në shumë muze në botë, ku në shtëpitë e personazheve të ndryshëm me peshë hisorike, shumë prej objekteve nuk janë autentike. Këtu nuk ndodh kështu dhe ky është një fat i madh. Thënë këtë, doemos hapësira është muzealizuar dhe për efekt muzealizimi, grupi i punës ka bërë ndërhyrje, por ato janë aq të kujdesshme sa vetëm e kanë pasuruar Shtëpinë e Kadaresë, duke mos e cenuar aspak atë.
Ndërsa në rastin e aparamentit të Dritëro Agollit, një gjë ju them me siguri: Cilido që e viziton shtëpinë dhe që ka qenë më herët bujtës në të, e ndien veten sërish në shtëpinë e tij. E nëse një koncept muzealizimi e arrin këtë, është më shumë sesa sukses. Së bashku me trashëgimtaren e shkrimtarit, vajzën e tij Elona Agolli, ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe në pak më shumë se një vit kemi arritur të sjellim disa ekspozita që kanë qenë vërtet mbresëlënëse.

Koha javore: Si mund të pasurohen me artefakte të reja?
A. Ymeri:
Kjo është një sfidë e vazhdueshme dhe jemi duke bërë jo pak përpjekje në këtë drejtim. Nuk është e lehtë, por doemos nuk është e pamundur. Familjet e shkrimtarëve dhe bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë janë thelbësorë në këtë proces dhe jam vërtet zemër plot, që në kaq pak kohë, ia kemi dalë që të dyja shtëpitë muze t’i pasurojmë me artefakte domethënëse. Rasti më i fundit është një stilolaps me të cilin Kadareja ka nënshkruar kontratën e parë 30 vjet shkuar me botuesin Bujar Hudhri. E këtu, gjej rastin të çmoj fort misionin e z. Hudhri dhe ndjeshmërinë aq të lartë për të bërë jo pak donacione për muzeun, ndër to objekte me shumë vlerë, dy portrete të Kadaresë, deri edhe dorëshkrime. Kjo është e rrallë dhe unë e çmoj veçmas.
Uroj fort që të kemi edhe bashkëpunimin e trashëgimtarëve të Kadaresë për të pasur një qasje të tillë, pasi në muze, objektet marrin tjetër vlerë dhe tjetër peshë nga mbajtja e tyre në një arkiv privat i cili ka vlerë të çmuar emocionale, por mbetet larg ndikimit publik.
Në rastin e Agollit, ne kemi si një marrëveshje të pashkruar me znj. Elona Agolli e cila pas çdo ekspozite me dorëshkrime dhe objekte nga arkiva private, familjare e atit të saj, diçka e lë në muze duke krijuar një traditë të bukur dhe me shumë vlerë, të pasurimit të Shtëpisë Studio Agolli.
Përndryshe, gjej rastin të bëj një thirrje publike që çdo individ i cili ruan në arkiva personale objekte me vlerë muzeale, të ketë ndriçimin dhe t’i sjellë për t’i bërë pjesë të një trashëgimie kulturore e cila ka ndikim jo të vogël në ndërtimin e muzeve edhe më të pasur nga sa i kemi.
Koha javore: Çfarë do t’i sugjeroni një vizitori (turisti) që do t’i vizitojë shtëpitë studio të dy shkrimtarëve?
A. Ymeri: Vizita në një institucion të tillë, që ndonëse janë dy shkrimtarë krejt të ndryshëm, kanë një itinerar kulturor të përbashkët pasi jetonin në të njëjtin pallat, është domosdoshmëri.
Së pari, për nxënësit e shkollave, të të gjitha cikleve të studimit dhe ne enkas i kemi përshtatur guidat për vizitat në muze, për çdo grupmoshë. Aty ata do të mësojnë, përmes objekteve, një pjesë të historisë së Shqipërisë dhe do të shohin se ku kanë jetuar dhe ku kanë krijuar, dy prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të kombit. Për këtë arsye, sikurse e ceka pak më lart, ne kemi themeluar programin e edukimit i cili pak nga pak po përmirësohet, për ta përmbushur sa më mirë këtë qëllim. E mbështesim këtë mision edhe në një vendim shumë të mirë që ka marrë Këshilli Bashkiak i Tiranës, që për fëmijë dhe të rinj nën moshën 18 vjeç, hyrja në muze është pa pagesë.
Së dyti, studentët të cilët gjithashtu kanë një tarifë hyrjeje shumë preferenciale. Janë të rëndësishëm sepse pa konsumuar kulturë, ata do të jenë profesionistët e së nesërmes me disa mangësi në formimin dhe informimin e tyre.
Së treti, guxoj të ftoj familjet shqiptare ta shndërrojnë në zakon vizitën në muze, sepse është një nga dhuratat më të mira që mund t’u bëjnë fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, ne aplikojmë një biletë familjare e cila është shumë më pak sesa do të ishte konsumimi i një kafeje në kafenenë ngjitur me muzeun.
Së katërti, çdo vizitor i huaj do të përfitonte një përvojë unike në një hapësirë kulturore të tillë, sepse do të shohin një mjedis krejtësisht autentik dhe me vlera të mëdha kulturore, që nuk ka asgjë më pak se shtëpi të tjera shkrimtarësh të mëdhenj në botë. Dhe çdo vizitor vendas dhe i huaj ka një shans të madh, specialistët e muzeut të cilët bëjnë një punë të shkëlqyer, ofrojnë guidë për çdo vizitor që shkel në muze, veç shqipes edhe në: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe turqisht. Ndërsa guida zyrtare e muzeve është e përkthyer në të gjitha këto gjuhë, përfshirë edhe gjuhën gjermane dhe atë serbokroate. Pra, çdo vizitor, mundet të përjetojë një eksperiencë vërtet me shumë vlerë nëse zgjedh që ta ndalë hapin edhe në Shtëpinë Studio Kadare dhe Shtëpinë Studio Agolli.

Koha javore: Ky vit përkon me 90-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar. Shënimin e këtij përvjetori e keni filluar me një aktivitet në Teatrin e Operas dhe Baletit. A planifikoni aktivitete të tjera përgjatë vitit?
A. Ymeri:
Po, ne e shënuam 90-vjetorin e Kadaresë me një aktivitet me peshë në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit, fare pranë Shtëpisë Kadare. Por para kësaj mbrëmjeje, në ditën e tij të lindjes, më 28 janar, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në mjediset e saj, ne mbajtëm një tjetër aktivitet me peshë, këtë herë për të përcjellë dimensionin ndërkombëtar të Kadaresë, përmes letërkëmbimeve me personalitete të botës, si edhe çmimeve e medaljeve me të cilat ai është nderuar.
Por ky ishte vetëm fillimi!
Ky do të jetë Viti Kadare, sepse 90-vjetori i lindjes së shkrimtarit më të rëndësishëm shqiptar, që në fakt është një shkrimtar i botës, do të duhet të jetë një vit i mbushur me aktivitete dhe me lëvizje me rëndësi për trashëgiminë që ai na ka lënë pas.
Pak ditë më pas, më 20 shkurt 2026, Shtëpia Studio Kadare do të jetë bashkëpunëtore në një aktivitet që mban Ambasada e Shqipërisë në Athinë. Edhe ky është vetëm fillimi, sepse ne jemi duke planifikuar disa aktivitete me rëndësi jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Sepse tani që Kadareja nuk jeton më, misioni i secilit prej nesh duhet të jetë që vepra dhe trashëgimia që ai ka lënë pas, të vijojnë të ndikojnë historinë e kulturës dhe të mendimit shqiptar. E në rastin e Kadaresë, kjo është plotësisht e mundur. Tani që Kadareja nuk është më fizikisht, ne kemi madhështinë e veprës, fjalës dhe mendimit të tij dhe kemi detyrimin për ta lartësuar atë.

Intervistoi: I. Kallaba

Të fundit

më të lexuarat