Të hysh në mendjen e personazheve dhe të udhëtosh me ta

Janë shumë tema që më prekin, por një ndër më të rëndësishmet për mua është mosvetëdija për gjërat e bukura që kemi dhe nuk dimë t’i vlerësojmë. Jemi bërë një shoqëri pak mirënjohëse për dashurinë, për paqen, për shëndetin; nuk japim aq sa duhet për njëri-tjetrin. Kjo është një “epidemi” që na prek të gjithëve

Koha javore: Si lindi dëshira juaj për t’u bërë shkrimtare?
N. Nikaj:
Mund të them se që në bankat e shkollës kam pasur një dëshirë të madhe për të shkruar vjersha, duke nisur me dedikime për familjen dhe mësuesen e fillores, e cila ka qenë shumë e dashur dhe e mirë; vërtet e shihja si një nënë të dytë. Ajo e vuri re interesin tim për të lexuar libra, jo vetëm shkollorë, por edhe jashtëshkollorë, që i gjenim në bibliotekë.
Me krijimet e mia të para përfaqësova fillimisht klasën, më pas shkollën, duke u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme. Vit pas viti, librat hynin gjithnjë e më thellë në botën time, e veçanërisht poezia, e cila sot është pjesë e përditshmërisë sime.

Koha javore: Cili ka qenë momenti që ju ka shtyrë të shkruani për herë të parë?
N. Nikaj:
Nuk mendoj se ka pasur një moment të caktuar. Siç e thashë, gjithçka lindi si një ndjenjë e bukur që bashkon njerëzit me natyrën. Ky bashkim më shtyu të merrja stilolapsin dhe të hidhja mbi fletët e bardha vargjet e mia të para, duke u shndërruar më pas në një dashuri për të cilën ndieja nevojë çdoherë.

Koha javore: Cilat janë temat që ju prekin më shumë dhe pse?
N. Nikaj:
Janë shumë tema, por një ndër më të rëndësishmet për mua është mosvetëdija për gjërat e bukura që kemi dhe nuk dimë t’i vlerësojmë. Jemi bërë një shoqëri pak mirënjohëse për dashurinë, për paqen, për shëndetin; nuk japim aq sa duhet për njëri-tjetrin. Kjo është një “epidemi” që na prek të gjithëve.
Prandaj, në shumë prej poezive dhe romaneve të mia vërehet një pakënaqësi e njeriut me natyrën, me veten, me kohën, sikur bota është në kërkim të diçkaje që sjell magji dhe lumturi të përhershme.

Koha javore: Sa ndikim ka jeta personale në krijimtarinë tuaj?
N. Nikaj:
Jam natyrë e ndjeshme dhe kjo, sigurisht, ndikon në krijimtarinë time. Edhe kur ndikimi nuk është i drejtpërdrejtë, nuk mund ta përjashtoj faktin që në poezitë e mia ka çaste që ngjajnë me jetën time private. Shpesh, pikërisht nga këto ngjarje lindin vargjet më të bukura dhe një frymëzim që nuk të lejon të ndahesh nga rreshtat.

Koha javore: Si e ndërtoni një personazh, nga fillimi deri në fund?
N. Nikaj:
Për romanin tim të parë, i cili zgjati mbi tri vite deri në botim, personazhet i kisha në mendje disa muaj para se të nisja kapitullin e parë. E dija çfarë kërkoja: gjininë, profesionin, tiparet e tyre.
Gjatë zhvillimit të ngjarjes, duhet t’i ruash me të njëjtin karakter dhe me të njëjtat qëllime. Më e vështirë është ndonjëherë përshkrimi i fizionomisë, moshës dhe dhuntive të tyre.
Nuk jam autore që sjell një numër të madh personazhesh; mendoj se më mirë pak, por të qartë dhe të komunikueshëm me lexuesin.
Romani “Papafingoja” përfshin personazhe që kanë jetuar në kapërcyell të dy shekujve, dhe kjo e bëri më sfiduese punën time kërkimore. Personazhet vendosen në një kohë që unë nuk e kam jetuar, gjë që solli vështirësitë e veta. Megjithatë, ia vlejti, sepse romani lindi nga dëshira për të rrëfyer jetën e një të moshuare të braktisur në vetmi. Për këtë arsye, jam shumë e kënaqur me personazhet dhe me romanin në tërësi.

Koha javore: A ka ndonjë personazh që e ndieni më afër vetes?
N. Nikaj:
Po, zonja Sh. nga romani “Papafingoja”. Ajo më ka bërë shumë herë të qaj. Nuk e di nëse kjo u ndodh të gjithë autorëve, por mua po. Teksa shkruaja për vuajtjen dhe varfërinë e saj, ndieja një dhimbje të thellë shpirtërore, sikur po e jetoja vetë atë kohë të trazuar për shumë gra të viteve ’70. Për këtë arsye, zonja Sh. është personazhi që ndiej më pranë vetes.

Koha javore: Si e përjetoni procesin e shkrimit: është më shumë frymëzim apo disiplinë?
N. Nikaj:
Për poezinë është frymëzim; për romanin kërkohet disiplinë, vëmendje, përkushtim, hapësirë dhe heshtje. Duhet të hysh në mendjen e personazheve dhe të udhëtosh me ta në të gjitha kohët dhe trajtat e jetës.

Koha javore: Çfarë ju frymëzon zakonisht për të nisur një vepër të re?
N. Nikaj:
Së pari, koha. Një autor nuk duhet ta humbasë kohën, sepse çdo ditë e humbur është një hap larg veprës së tij. Pastaj vjen frymëzimi i brendshëm, ai sinjal që të thotë se është çasti i duhur për të filluar. Pa këtë ndjesi, nuk mund të jemi gati për një vepër të re.

Koha javore: Sa e vështirë është të jesh shkrimtare në realitetin shqiptar?
N. Nikaj:
Sfidat janë gjithmonë të pranishme dhe mendoj se në çdo vend shkrimtarët përballen me vështirësi, sidomos në kohët kur libri nuk është aq i pranishëm në jetën sociale. Por kjo nuk duhet ta trembë një autor. Unë do të vazhdoj të shkruaj, së pari nga dashuria e pafund për krijimtarinë dhe, së dyti, për t’i ofruar lexuesit diçka ndryshe, qoftë edhe nëse ata janë të paktë në numër.

Koha javore: Si e shihni rolin e gruas në letërsinë dhe shoqërinë shqiptare sot?
N. Nikaj:
Sot roli i gruas nuk është më aq i kufizuar dhe i paragjykuar sa dikur. Dalëngadalë, ajo po zë vendin që i takon në të gjitha sferat e jetës. Duhet vetëm më shumë punë, vetëbesim, përfshirje dhe, mbi të gjitha, dashuri.

Koha javore: Cila nga veprat tuaja ka një domethënie të veçantë për ju?
N. Nikaj:
Rikthehem sërish te “Papafingoja”. Ky roman është një dashuri për mua. Kam mësuar shumë nga krijimtaria ime në këtë vepër, mbi të gjitha për humanizmin.

Koha javore: Si reagoni ndaj kritikave, qofshin ato pozitive apo negative?
N. Nikaj:
Kritika negative ka një vlerë të madhe, edhe pse shpesh këtë e kuptojmë më vonë. Ajo më ka ndihmuar të përmirësoj mënyrën e të shkruarit. Reagoj gjithmonë me qetësi.

Koha javore: A keni pasur ndonjë moment kur keni dashur të hiqni dorë nga shkrimi?
N. Nikaj:
Jo, asnjëherë. Që nga bankat e ciklit të ulët e deri sot, nuk kam reshtur së shkruari. Edhe pse jo të gjitha shkrimet e mia janë botuar, për mua të heqësh dorë nga krijimtaria është njësoj si të heqësh dorë nga jeta.

Koha javore: Çfarë mesazhi dëshironi t’u përcillni lexuesve tuaj?
N. Nikaj:
Dua t’i falënderoj për çdo urim dhe për mbështetjen që më japin. Por njëkohësisht dua t’u kërkoj falje që me romanet “Papafingoja” dhe “Dashuria e fundit” i kam bërë të qajnë. Ndoshta u kam borxh një roman komik që t’i bëj të qeshin.

Koha javore: Cili është projekti juaj më i fundit apo ai që po përgatisni?
N. Nikaj:
Aktualisht jam duke shkruar një roman ku në fokus është ritmi rinor i jetës, i gërshetuar me humor dhe batuta. Një vepër më e lehtë dhe më e këndshme, që lexuesit të ndihen komodë, të qeshin dhe të binden se mund të shkruaj edhe komedi (hahah…).

Koha javore: Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që duan të bëhen shkrimtarë?
N. Nikaj:
Filloni aty ku jeni. Mos e shtyni. Çfarëdo që të hidhni në letër është puna dhe dëshira juaj. Askush nuk do t’ju gjykojë për këtë. Thjesht, guxoni!

Koha javore: Si do të dëshironi të kujtoheshit në letërsinë shqiptare?
N. Nikaj:
Nuk e mendoj shpesh këtë. Por besoj se me aq dashuri sa shkruhet një vepër, me aq dashuri edhe do të kujtohet. Ekziston një energji që për disa mund të duket e pabesueshme, por për mua është reale: artisti shpërblehet përmes artit të tij, në duartrokitje, buzëqeshje dhe praninë e njerëzve që besojnë tek ai. Le të kujtohemi për atë që kemi dhënë me shpirt dhe kjo mjafton!

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat