Listat e hapura në favor të reformës zgjedhore

Duke marrë parasysh se pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin zgjedhor (27 korrik 2025) punët kanë ngecur për t’i miratuar ndryshimet që kanë të bëjnë kryesisht me listat e hapura zgjedhore dhe rregullimin e regjistrit zgjedhor, anëtarët e Këshillit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore duhen të përshpejtojnë punën në këtë drejtim, sepse afati i fundit është muaji qershor për ta përfunduar këtë proces të kornizës zgjedhore, ndërsa mossuksesi eventual në këtë drejtim do të ishte goditje për demokracinë pluraliste në Mal të Zi

Nail Draga

Nga ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi, më 30 gusht 2020, në lidhje me reformën zgjedhore nuk është punuar pothuaj asgjë, ndërsa ne mbledhjen e Kuvendit të Malit të Zi, më 27 korrik 2025, deputetët miratuan ndryshimet në Ligjin për ndryshime e plotësime për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve, ku risi paraqesin listat e hapura, pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhje, barazimi i gjinisë femërore në parlament (40%), duke qenë një hap demokratik në zgjedhjen e qytetarëve në procesin zgjedhor. Po ashtu parashihet profesionalizimi dhe depolitizimi i organit përgjegjës për realizimin e zgjedhjeve – Komisionit Qendror Zgjedhor, që është një hap përpara, ndërsa është vendosur që zgjedhjet lokale të mbahen në një ditë (13 qershor 2027).
Ndonëse çështja e reformës zgjedhore është rekomanduar vite me radhë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, jemi dëshmitarë se ishin partitë politike që këtë çështje e kanë margjinalizuar, për qëllimet e tyre politike.

Listat e hapura kundër partitokracisë
Vetëm listat e hapura janë modeli transparent për të eliminuar shtetin partiak dhe partitokracinë, e cila është e pranishme në çdo veprimtari shoqërore. Ndonëse nga data 30 gusht 2020 u bë ndryshimi i pushtetit, Mali i Zi vazhdon si më parë të jetë shtet partiak.
Listat e hapura mundësojnë nivelin më të lartë të demokracisë së drejtpërdrejtë, si dhe mundësojnë përgjegjësinë e vetë deputetëve, sepse qytetarët sovranitetin e tyre iu bartin deputetëve në kuadër të listës përkatëse zgjedhore. Kemi të bëjmë me mundësinë që qytetarët do t’i votonin ata të cilët mendojnë se do t’i përfaqësojnë në mënyrë më të mirë në pushtetin lokal e atë qendror. Në këtë aspekt, Këshilli për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore duhet të vendosë për modelin përkatës zgjedhor, që duhet të jetë në favor të qytetarëve e jo si deri më tash që ishte për partitë politike.
Në muajt në vazhdim do të dihet se kush është në të vërtetë për ndryshime – për reformën zgjedhore, apo deklarohen vetëm për hir të opinionit.

Modeli i Kosovës, më i pranueshëm
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me modelin zgjedhor i cili deri më tash nuk ka qenë praktikë në Mal të Zi, modeli më i pranueshëm i listave të hapura është ai i Kosovës. Nëse deri para zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit 2025, qytetari në listën zgjedhore partiake ka pasur mundësi të rrumbullakojë 5 kandidatë për deputet, nga këto zgjedhje, në saje të ndryshimeve të Ligjit zgjedhor qytetarët tash kanë të drejtë të votojnë për 10 kandidatë. Në parlament do të hyjnë ata kandidatë të cilët do të marrin më së shumti vota preferenciale drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa renditja e deputetëve në listën zgjedhore partiake nuk luan rol, sepse ajo definitive varet nga votat e qytetarëve në zgjedhje.

Shqiptarët me kërkesa të veçanta
Në mungesë të një platforme politike për shqiptarët në Malin e Zi, çështja e përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Malit të Zi mbetet çështje e hapur. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse shqiptarët janë e vetmja popullsi josllave në Mal të Zi, e cila ka veçantitë dalluese nga pjesëtarët e popujve të tjerë. Ndërsa këtij konstatimi i duhet shtuar edhe numrin e vogël të popullsisë (5%), andaj pjesëmarrja në zgjedhje kërkon një qasje të veçantë, analoge me vendet demokratike, sipas standardeve ndërkombëtare.
Në lidhje me këtë çështje duhet koordinim i partive politike të shqiptarëve, duke marrë parasysh se nuk kemi të bëjmë me çështje partiake, por të të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi. Andaj, në këtë aspekt përgjegjësia bie mbi partitë parlamentare për të qenë në nivelin e detyrës, duke lënë anash animozitetet e interesat partiake. Lidhur me këtë çështje duhet të organizohet takim i veçantë, duke ftuar profesionistë të kësaj fushe dhe duke u bazuar në legjislacionin vendor e standardet ndërkombëtare kur janë në pyetje popujt e ndarë, përkatësisht popujt pakicë.

Forumi Shqiptar me propozime
Në lidhje me këtë çështje, deri më tash Forumi Shqiptar është paraqitur me një kumtesë (5.11.2025) ku e trajton çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në nivelin shtetëror, duke dalë me propozim konkret që: shqiptarët duhen të kenë katër mandate të garantuara parlamentare në Kuvendin e Malit të Zi; dhe e dyta: e drejta e vetos nga shumica e deputetëve shqiptarë për ligjet dhe aktet që rregullojnë drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e pakicave.
Për këto çështje do të diskutohet në kuadër të Këshillit Gjithëpërfshirës të Reformës Zgjedhore, por mbetet të shohim reagimin e anëtarëve të tjerë të këtij Këshilli dhe rekomandimet nga subjektet e tyre politike. Ndërsa mbetet të shohim se si do të veprojnë në këtë drejtim anëtarët shqiptarë në këtë Këshill, pavarësisht se propozimi që shqiptarët të kenë mandate të garantuara, në saje të numrit të banorëve, nuk është kundër realitetit demografik dhe skenës politike në Mal të Zi, sipas standardeve ndërkombëtare, kur janë në pyetje pakicat kombëtare.

Përfundim
Realizimi i një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse si kërkesë demokratike do të mundësonte demokratizim të plotë të procesit zgjedhor, në përputhje me praktikat më të mira, standardet demokratike dhe respektimin e rendit kushtetues.
Është koha e fundit që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes listave të hapura, të zgjedhin drejtpërdrejt kryetarin e komunës, duke respektuar vullnetin e tyre në favor të demokracisë pluraliste. Ndërsa çështje e veçantë mbetet përfaqësimi autentik i popujve pakicë përmes konsensusit e jo mbivotimit, siç ka ndodhur në vitin 2011 me shqiptarët, kur humbën numrin e deputetëve që jepte njësia e “veçantë” zgjedhore, nga pesë në tre, siç është edhe tash në Ligjin zgjedhor.

Të fundit

më të lexuarat