
Gjuha shqipe është mjet komunikimi, shtyllë e identitetit kombëtar dhe vlerë unike e kombit shqiptar. Shqipja është “gjuha e mëmëdheut” (N. Frashëri), e Shqipërisë natyrale. Historia 6000-mijëvjeçare e saj (nga protoshqipja deri te shqipja standarde) është e veçantë dhe shumë e ndërlikuar. Kohë më parë, A. Xhuvani shkruante: “Naltësimi dhe lavrimi i saj shkon baras me zhvillimin e kulturën e kombit; pakujdesija për të, zvetënimi dhe prishja e saj asht nji shenjë e tatpjetës edhe të jetës kulturore të kombit”. Studimi, mbrojtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe, në radhë të parë, janë detyrim i institucioneve përkatëse shtetërore dhe shkencore kombëtare. Shqipja është amanet i shqiptarëve.
Kur shqipja ishte “e huaj” në troje të veta
Historia e gjuhës shqipe ndërlidhet ngushtë me historinë e popullit iliro-arbëror-shqiptar. Qysh në lashtësi, ajo ishte në kontakt e nën ndikim të vazhdueshëm të gjuhëve të popujve fqinjë dhe të pushtuesve të ndryshëm, si dhe e rrezikuar nga ato, sidomos nga latinishtja dhe greqishtja, qysh në periudhën helenistike. Megjithatë, shqipja (arbërishtja) mbijetoi, pësoi ndryshime dhe u zhvillua gradualisht. Qysh në shek. XVI, ajo ishte një gjuhë funksionale teologjike (“Meshari” i Gj. Buzukut), por me shtrirje shumë të kufizuar. Në institucionet fetare (katolike e ortodokse) dhe në shkollat e tyre në trevat arbërore përdorej, kryesisht, gjuha e librave të shenjtë: gjuha latine, në trevat nën juridiksionin fetar të Kishës Katolike; gjuha greke, në trevat ku shtrihej pushteti i Patrikanës Ortodokse të Stambollit, kurse gjuha sllave, në trevat arbërore që administroheshin nga Patrikana e Pejës. Kur trevat arbërore u pushtuan nga osmanët, në administratën, institucionet fetare dhe shkollat e tyre u përdor gjuha turko-osmane. Kështu, gjatë shumë shekujve shqipja (arbërishtja) ishte “e huaj” në institucionet fetare, arsimore dhe administrative në troje të veta. Megjithatë, ajo (arbërishtja) mbijetoi dhe qëndroi ZONJË në familjen shqiptare, në folklor, punë, oda e kuvende burrash, si gjuhë e komunikimit të përditshëm dhe edukimit popullor. Kontribut të veçantë për mbijetesën e saj ka dhënë nëna shqiptare.
Gjuha shqipe ishte “një gjuhë e urryer dhe e përndjekur”, sidomos në epokën e Rilindjes Kombëtare, kur Naimi me shokë punuan aq shumë për këtë gjuhë “hyjnore”, “të bekuar nga Perëndia”, për këtë “Zonjë” ndaj gjuhëve të tjera, të cilën e konsideronin taban dhe faktor themelor të zgjimit, identitetit, integrimit dhe përparimit të Kombit Shqiptar dhe Nënës Shqipëri. Kundër gjuhës, shkrimit dhe shkollës shqipe u mobilizuan, sidomos Patrikana e Stambollit dhe andarkët grekë, autoritetet turke-osmane, serbe etj. Të shumta ishin mallkimet, përndjekjet, burgosjet, helmimet dhe vrasjet e veprimtarëve shqiptarë, jo vetëm gjatë epokës së Rilindjes Kombëtare, por edhe më vonë. Duke e politizuar edhe shkencën kundër identitetit kombëtar të shqiptarëve, në funksion të projekteve për shfarosjen e tyre, poeti dhe akademiku serb J. Duçiq, popullin shqiptar e cilësoi “të mallkuar”, ndërsa gjuhën shqipe si “gjuhë të shëmtuar, të cilën tërë linguistika e botës bashkëkohore nuk mund t’ia gjejë burimin as vendin në klasifikim.” Ndaj, I. Kadare gjykon se shqipja është një gjuhë “martire”, pra gjuhë e shenjtdëshmorëve të SHQIPTARIZMËS.
Edhe në këto rrethana historike shumë të ndërlikuara, atdhetarët shqiptarë vazhduan veprimtarinë e tyre kombëtare, sidomos në fushën e gjuhës amtare shqipe. Në historinë e zhvillimit dhe unifikimit të saj veçohen dy ngjarje të mëdha: Kongresi i Alfabetit (Manastir, 1908), në të cilin filloi unifikimi dhe standardizimi i saj, dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972), ku u vendosën normat e gjuhës standarde shqipe të njësur.
Gjuha standarde shqipe e shkruar dhe e folur (letrare, bisedore, administrative, publicistike e shkencore), përgjithësisht është autonome, normative, funksionale, stabile dhe relativisht e qëndrueshme në kohë (e hapur për ndryshime të nevojshme). Natyrisht, varianti i folur i saj standardizohet shumë më ngadalë se varianti i shkruar.
Gjuha standarde shqipe në rrezik
Të shumta janë sfidat me të cilat ballafaqohet shqipja standarde aktualisht, në epokën e globalizmit, konsumerizmit dhe teknologjisë digjitale. Në radhë të parë, mungon një politikë dhe strategji shtetërore proaktive ndaj kësaj gjuhe, shoqëruar edhe nga një qasje serioze e institucioneve përkatëse shkencore ndaj problemeve të saj. Shpesh fitohet përshtypja se shqipja standarde tashmë është një gjuhë e braktisur, e pambrojtur, madje edhe e dhunuar nga vetë shqiptarët, sidomos nga të rinjtë.
Gjuha shqipe, si shumë gjuhë të tjera, në mbarë botën, gjendet nën presion të fuqishëm të gjuhëve të tjera, në radhë të parë të gjuhës angleze (amerikane), e cila sot është “lingua franca” globale. Kjo shprehet përmes vërshimit të pakontrolluar dhe pa asnjë kriter të fjalëve e shprehjeve angleze, sidomos në gjuhën e folur, proces ky që rrezikon edhe integritetin linguistik të saj. Kështu, shqipja standarde po shkërmoqet gjithnjë e më shumë nga vetë ata (shqiptarët), të cilët do të duhej që atë ta respektonin dhe mbronin. Gjendjen në fjalë e përkeqëson edhe më shumë gjuha shqipe e shkruar në rrjetet sociale, me pasoja të mëdha në shpërfytyrimin e saj dhe të komunikimit në këtë gjuhë. Të papërfillshme janë edhe përpjekjet që nga gjuha shqipe të mënjanohen fjalët e shprehjet e huaja të panevojshme dhe të zëvendësohen ato me fjalë e shprehje burimore apo me neologjizma shqipe. Nënçmimi i gjuhës shqipe dhe përdorimi i zellshëm i fjalëve e shprehjeve angleze në këtë gjuhë, për shumë shqipfolës është në modë! – Anglishtja është “in”, thonë ata, në të folmen e tyre bastarde shqip-anglisht (shqanglishte). Kjo është më e theksuar tek ata që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, të cilët konsiderojnë se duke nënçmuar gjuhën e vet dhe absolutizuar gjuhën globale (anglishten) do të futen në botën e qytetëruar dhe t’i përkasin asaj. Gjuha angleze, përkatësisht shumëgjuhësia, është pasuri dhe domosdoshmëri e kohës, por gjuha amtare duhet ruajtur dhe kultivuar me përkushtim.
Futurologët alarmojnë se, deri në fund të shekullit XXI, kryesisht nga hegjemonia e gjuhës angleze, mund të zhduken 1500 gjuhë në botë. Këtë proces e përshpejton edhe shpartallimi digjital (digital extinction), sidomos i gjuhëve të vogla, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe. Aktuale dhe me probleme është edhe shqipja elektronike dhe varësia nga tekste të gatshme të inteligjencës artificiale, përmes së cilës shqipja e merr idiomën (mënyrën e të shprehurit) nga anglishtja, gjuha e programimit të softuerit.
Gjuha shqipe rrezikohet edhe nga kriza demografike në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera të gjeografisë etnike shqiptare. Emigrimi në masë, kryesisht i të rinjve, rënia e lindjeve dhe plakja e popullsisë, ndikoi dhe ndikon në tkurrjen e frikshme të numrit të folësve të shqipes në trojet e veta shekullore. Kjo “hemorragji” kombëtare bëhet edhe më shqetësuese kur kujtojmë mendimin e profesorit gjerman A. Adli, se “Gjuha mund të vdes atëherë, kur numri i folësve të saj është shumë i vogël.”
Gjuha standarde shqipe ballafaqohet edhe me disa probleme të tjera brendashqiptare. Midis tyre janë debatet dhe shkrimet mbi statusin e gegërishtes në gjuhën standarde, përkatësisht mbi gjoja padrejtësinë që i qenka bërë asaj dhe për “riparimin” e kësaj padrejtësie, me synim dezintegrimin e brendshëm të shqipes standarde.
Shqipja standarde rrezikohet edhe nga disa medie, të cilat, gjoja në emër të fjalës së lirë, synojnë dhe punojnë për një variant hibrid e më liberal të shqipes standarde, sidomos për “standardizim dinamik të shqipes së folur”. Kjo tendencë favorizohet edhe nga mungesa e një analize shkencore e gjithëpërfshirëse e evoluimit 50-vjeçar të shqipes standarde, të trajtimit të çështjeve e dilemave gjuhësore të diskutueshme dhe zgjidhjes së tyre.
Shqetësues është edhe fakti i rënies së interesimit të nxënësve shqiptarë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë; rënia e interesimit për studimin e kësaj gjuhe në studimet universitare; rënia e nivelit të kulturës gjuhësore dhe e interesimit për të lexuar, sidomos te të rinjtë; mungesa e një ligji të veçantë për mbrojtjen e gjuhës standarde shqipe; numri i papërfillshëm i redaktorëve gjuhësorë dhe i përkthyesve të specializuar në institucione përkatëse botuese, administrative, kulturore etj.
Për mbrojtjen dhe zhvillimin e shqipes standarde
Gjuhëtarja akademike K. Jorgaqi gjykon se “është koha të veprojmë seriozisht për të mbrojtur dhe përforcuar gjuhën tonë”. Kjo ide e K. Jorgaqit duhet mbështetur nga të gjithë: institucionet shtetërore e shkencore, gjuhëtarët dhe dashamirësit e gjuhës shqipe, sepse siç thotë A. Xhuvani, “e kemi për detyrë të gjithë ne…të interesohemi e të kujdesemi për pastrimin e lulëzimin e saj”. Për këtë qëllim do të duhej të ndërmerren disa veprime konkrete, ndër të cilët janë:
Politika gjuhësore. Politika gjuhësore duhet të jetë një nga shtyllat kryesore të politikës kombëtare. Gjuha standarde shqipe duhet të jetë përparësi kombëtare, sidomos në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, ku ajo është gjuhë zyrtare, përkatësisht bashkëzyrtare. Shqipja standarde duhet të mbrohet me ligj të veçantë, përkatësisht me Ligjin për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjuhës Shqipe. Gjithashtu, duhet hartuar një Plan Gjithëkombëtar për Gjuhën Shqipe dhe duhet formuar një Këshill Gjithëkombëtar për Gjuhën Shqipe, me anëtarë nga akademi, institute, universitete e institucione të tjera relevante gjuhësore, veprimtaria e të cilit do të ishte puna profesionale për mbrojtjen, kultivimin dhe zhvillimin e kësaj gjuhe. Në kuadër të politikës gjuhësore, duhet punuar edhe më shumë për afirmimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në arenën ndërkombëtare.
Përditësimi i kodit drejtshkrimor. K. Jorgaqi gjykon se është “Koha për kod drejtshkrimor të përditësuar” për variantin e rishikuar të manualit drejtshkrimor nga ekspertë të gjuhës, e jo nga diletantë të saj. Kjo është domosdoshmëri pas zhvillimeve dhe evoluimit 50-vjeçar të gjuhës standarde. Në vende e gjuhë të tjera kjo realizohet nga specialistët e gjuhës dhe në afate më të shkurtra kohore. “Zgjidhja e të gjitha problemeve të veçanta të drejtshkrimit të bëhet në sistem,..”, thuhet në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit (1972).
Institucionet dhe profesionet gjuhësore. Institucionet shkencore të gjuhës (institutet, akademitë e shkencave, fakultetet filologjike etj.) duhet të luajnë një rol më proaktiv, në funksion të gjuhës stadarde dhe zhvillimit të saj. Për këtë qëllim është shumë e nevojshme edhe rritja e numrit të lektorëve, shërbimeve lektorale dhe vlerësimi i tyre. Përkundër epërsive të teknologjisë digjitale, shumë të nevojshëm janë edhe përkthyesit profesionistë dhe të specializuar.
Shqipja standarde dhe dialektet. Dialektet dhe të folmet lokale janë pasuri e pashtershme dhe e përhershme, që duhet evidentuar. Evidentimi i fjalëve e shprehjeve shqipe në fjalorë të ndryshëm, është shumë i rëndësishëm, por i rëndësishëm është gjithashtu edhe aktivizimi dhe futja e tyre në fjalorin aktiv dhe përdorim të përditshëm. Raporti midis gjuhës standarde dhe asaj jostandarde duhet zgjidhur në mënyrë të drejtë, gjithnjë në funksion të përsosjes së standardit. Shumë fjalë e idioma dialektore mund të “përkthehen” në gjuhën standarde, natyrisht nga specialistë dhe institucione të autorizuara të fushës përkatëse.
Shqipja digjitale. Shfrytëzimi i infrastrukturës digjitale është domosdoshmëri e kohës në çdo fushë, pra edhe në atë të gjuhës. Në këtë kuadër është e nevojshme që edhe gjuha shqipe të përgatitet për epokën e teknologjisë digjitale, për shfrytëzimin me efikasitet të epërsive të kësaj teknologjie dhe për shmangien e efekteve negative të saj, për ruajten e mëvetësisë së shqipes dhe bukurisë së saj, të cilat pasqyrojnë identitetin dhe kulturën shqiptare.
Edukimi gjuhësor. Edukimi gjuhësor fillon në familje, por mësimi i gjuhës standarde në mënyrë të organizuar fillon në shkollë, si gjuhë mësimi dhe lëndë mësimore kryesore. Në funksion të kulturës gjuhësore, sidomos në kohën tonë, duhet përqendruar shumë më shumë në mëkimin e dashurisë ndaj gjuhës amtare dhe në mësimin e saj në shkollë, duhet nxitur interesimin e maturantëve cilësorë për studimin e saj. Një kurs studimi të gjuhës standarde shqipe duhet futur në të gjitha profilet e studimeve universitare.
Shumë aktuale është porosia fatidike e Sh. Gjeçovit (para rreth një shekulli): “Si ruen dritën e synit, ashtu rueje gjuhën tande, o vlla Shqiptar, deli zot e shkriju mbas saj, tue qenë se, sa ta kesh gjuhën ke me qenë edhe ti vetë…” Kështu mendon, ligjëron dhe vepron çdo shqiptar / shqiptare, që e ndien veten të tillë.
