Procesi i amalgamimit vazhdon sot e gjithë ditën

Nuk më është e njohur se ç’do të thotë emri Shestani. Joviçeviqi (o.c.f. 69) i beson gojëdhënës, se si në atë vend në kohë të lashta ngulën për të banuar gjashtë vëllezër, e në këtë mënyrë u krijua ky vendbanim. Kjo nuk mund të jetë kështu, aq më tepër se deri më tani askund nuk është vërtetuar se emërtimet e toponimeve bëhen në bazë të numërorëve. Një bindje tjetër është se toponimi Shestan është krijuar nga fjala shqipe shes – me shitë, me t epentetike dhe sufiksin an, që gjithashtu nuk do të thotë se ky pohim është i saktë

Idriz Ajeti

(vijon nga numri i kaluar)

Meqë dhamë disa vërejtje, me të cilat vërtetuam ekzistencën e vendeve Shestan dhe Brisk si truall i vjetër të arbëneshëve të Zarës, ku kumti i parë lidhet me shekullin XV, është e nevojshme të japim një pasqyrim të kushteve jetësore të shqiptarëve të sotëm të Shestanit dhe të Briskut.
Në të vërtetë, ne në fillim të këtij kapitulli mblodhëm disa të dhëna me të cilat, ndoshta, kemi vërtetuar ekzistimin e Shestanit me ndihmën e emrave vetjakë. Të dhënat janë shtruar, duhet pranuar, pa ndonjë vazhdimësi, të palidhura, mirëpo sidoqoftë dëshmojnë se vendbanimi Shestan është mjaft i vjetër.
Kur është fjala për përcaktimin e vjetërsisë së vendeve të përmendura, atëherë nuk duhet ta largojmë prej mendësh se Shestani i përket krahinës ku popullsia shqiptare dhe serbe kishin kontakte ndërmjet tyre shumë herët, gjithsesi në mesjetën e hershme. Një vend i vogël – sot fshat me 60 shtëpi, i quajtur Bes – përmendet në A. Alb. I. 172 – (1231 – 1 septembris – 1242), shumë herët, qysh në shekullin XIII. Ai sigurisht, përmendet si katund shqiptar nomad (Vir dhe Bes), prej nga del se: ni Arbanasin da ne ima zu zimovišt – Albanenses ne habeant hiberna”. Emri i Virit të sotëm, sipas të gjitha gjasave, rrjedh nga fjala shqipe vε i – “kullosë dimri”, Shufllaj, Povijest sjevernih Arbanasa, f. 36 (cituar sipas ekstraktit).
Gjurmët e emrave shqiptarë i ndeshim edhe më tutje në perëndim, në thellësi të Malit të Zi, ku sot askush nuk flet shqip. Procesi i amalgamimit në këtë trevë vazhdon sot e gjithë ditën. Popullsia shqiptare e Shestanit edhe sot është bilinguale: vetëm fëmijët nuk dinë “nashke”, që do të thotë serbisht. Të gjithë të moshuarit dinë serbisht, ndërsa gjuha familjare është vetëm shqipja. E kjo është e natyrshme, sepse kjo botë njerëzish, qofshin burra, qofshin gra, janë në kontakt me popullatën serbe të Tivarit, Virpazarit, ku shqiptarët e Shestanit shkojnë të blejnë artikuj të nevojshëm jetësorë, nga njëra anë, por edhe vendbanimet malaziase nuk janë aq larg prej tyre, nga ana tjetër, shqiptarët e Shestanit shpesh edhe lidhin miqësi me malazezët fqinjë: rëndom malazezët martohen me shqiptarët e Shestanit, Briskut dhe të fshatrave të tjera, të afërta të banuara me shqiptarë.
Meqë dihet se shqiptarët dhe malazezët në trevën e përmendur të Zetës së vjetër me shekuj jetuan në simbiozë, atëherë aspak nuk duhet të na habisë fakti përse shqiptarët i huazuan thesar leksikor fqinjit të tyre të drejtpërdrejtë, edhe pse jo në atë masë aq sa ata morën nga bashkëfistarët e tyre. Të përmendim disa sosh. Fjalë shqipe më tepër ndeshim në të folmen e fisit Kuç, e kjo për shkak, siç dëshmon historia, dikur kuçët kanë folur shqip, e më vonë pësuan ndikimin sllav deri në atë shkallë saqë ky fis sot – pjesa më e madhe, është malazez; vetëm një pjesë e vogël e tij flasin shqip. Është pra e natyrshme se toponomastika në trevën e Kuçit është kryesisht shqiptare. Po marrim shembull Djutedza Pusat (16, 22 – Stev. Duçiq, Život i običaji plemena Kuča 1931). Edhe njëri emërtim edhe tjetri janë me origjinë latine, i pari nga lat. Civitatem> ќütet+sufiksi deminεεutiv – zε, ќütedzε; nga e njëjta fjalë latine u krijua Cavtati ynë; Pus boronīc, Libovnik > Libonik. Kjo mund të shpjegohet me tendencën e përgjithshme të gjuhës shqipe që të eliminojë bashkëtingëlloret e zëshme intervokalike (Leskovac, përkatësisht Leskovc>Leskoc në shqipe: Bujanovac > Bujanovc> Bujanoc; Trnovac > Tεrnavc > Tεrnoc, sclavinica > škinikε; ograda > ograiε, ku j është epentetike;* uda>ujε – j përsëri është rezultat i epentezës.
Toponomastika e Krajës është plot e përplot me fjalë të origjinës shqipe. Ne kësaj here nuk do të ndalemi në to, por do të ndalemi vetëm në ata emra vendesh që konsiderohen truall i lashtë i arbëneshëve të Zarës. Brisku rrjedh nga fjala shqipe brisku; Livare, trajta shqipe Ljare – nga fjala shqipe livare, livaria me kuptim katarakt, ujvare; fjala është kompozitë, nga prefiksi l+var (= le, la, li), la+vje a, la+treδ, lεbarδε=lε+barδε, l’efüt = lε+füt l (e, vurε=l (e) +vurε; prandaj, toponimi Livare (pas rënies së v-së së zëshme labiale intervokalike: L’are) është me prejardhje shqipe.
Shestanët asnjëherë nuk kanë përfaqësuar fshat të veçantë, por kanë përfaqësuar trevën ku bënin pjesë disa paralagje, siç janë: Dedanj (serbisht Dedići), Bardanj shqip Barδań (serb. Bardići), Gurza, Lukiqi; këto bëjnë pjesë në Shestanin e Epërm; kurse Shestanit të Poshtëm i përkasin këto fshatra: Karanikiqi (dikur Bulgri, Bujgri që shqip do të thotë bulger = një lloj lisi, bung), lagjja e të cilit quhej Pešter, që tekstualisht ka kuptimin (lagjja) “e poshtme”, Marstjepanj (Marstjepovići); Gjuraç (Đuravci), Dračevica; shqiptarët shestanas e quajnë Pecanj, sipas emërtimit fisnor.
Brisku dhe Ljarja nuk kanë qenë pjesë përbërëse e Shestanit. Këtu bën pjesë edhe paralagjja Dobreci, toponim me prejardhje sllave – doběr+sufiks – ěc; fjala doběr këtu ka kuptimin e rrëzës, rrafshit, që saktësisht i përgjigjet konfiguracionit të trevës nën shpatet e Rumisë. Pinçi (Pinčići) me paralagjen Rjeps, ka 29 shtëpi me 160 banorë. Sipas të gjitha gjasave, ky emërtim nuk është i vjetër, ai mund të jetë emërtim vëllazërie nga e mori emrin i tërë fshati. Emri i paralagjes Reps, Rjeps – nuk di se ç’kuptim ka, vetëm nëse ka lidhje me r epεs, r eps, nga folja riepε – me rripë lëkurën, në kuptimin figurativ bartës edhe njeri i varfër, i gjorë.
Nuk më është e njohur se ç’do të thotë emri Shestani. Joviçeviqi (o.c.f. 69) i beson gojëdhënës, se si në atë vend në kohë të lashta ngulën për të banuar gjashtë vëllezër, e në këtë mënyrë u krijua ky vendbanim. Kjo nuk mund të jetë kështu, aq më tepër se deri më tani askund nuk është vërtetuar se emërtimet e toponimeve bëhen në bazë të numërorëve. Një bindje tjetër është se toponimi Shestan është krijuar nga fjala shqipe shes – me shitë, me t epentetike dhe sufiksin an, që gjithashtu nuk do të thotë se ky pohim është i saktë.
Emri i paralagjes Gurza është nga fjala shqipe gūr dhe sufiksin – zε. Bardići që dëgjohet te popullata malazeze (shqip Barδań) nga fjala shqipe barδe dhe sufiksi – ań, origjina e së cilës duhet kërkuar në sufiksin latin – aneus, -anius. Bardanj (Barδań), sot emër fshati në Shestan, dikur ishte emër kryesisht për farefis, familje. Ky te shqiptarët më së shpeshti është emër familjeje, si te gegët po ashtu edhe te toskët në jug. Sot ky më tepër është ruajtur te malësorët; Zenel’aj, Bicaj, Kol’gecaj, Gegaj, Gjokmarkanj, L’ukanj, Gjulperanj, Vuçanj, Gjonaj, Perkol’anj, Pecanj. Meqë sot shumë fshatra u krijuan nga anëtarët e një vëllazërie, ky mbiemër familjar u shtri në tërë fshatin. Se këso emërtimesh në të kaluarën ishin të shpeshta te shqiptarët, më së miri dëshmon mbiemri i familjes së njohur të Bogdanëve (Cuneus proph. Bd. II, plechienia e sctepisse Bogdagnet).
I njëjti rast është edhe me emrin e fshatit Dedaj, që në ballë të kohës ishte me siguri emër familjeje.
Nga emri i familjes lindi edhe emri i fshatit Lukiq që gjendet në Shestanin e Epërm.

(Fund)

(Marrë nga libri: Idriz Ajeti, “Studime për gjuhën shqipe (Vepra të zgjedhura)”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2017)

Të fundit

më të lexuarat