Ëndrrat e Brahushit

Brahushi në ëndrrat e tij e donte shumë detin dhe peshkimin. Në imagjinatën e tij lundronte me velanijen e gjyshit të tij. Kur notonte ose zhytej në det, gjithnjë jetonte me ëndrrat e tij...

Gani Karamanaga

Plaka e Kalasë (halla Esja)
Ese Ibrahimi ose Halla Esja, siç e kanë quajtur në Kalanë e vjetër, ka qenë bija e Idrizagëve (motra e Reshit dhe Jakup Idrizagës). Ka pasur vetëm një djalë – Brahushin, i cili ka vuajtur nga problemet psikike.
Ajo ishte një grua e vogël dhe ka jetuar në pjesën jugore të Kalasë. Ishte rrobaqepëse e mirë. Ka qenë e mirëpritur dhe e respektuar prej të gjithëve. Më kujtohet kur shkonim te halla Esja, për të qepur teshat – petkat tona për Bajram. Masat i ka marrë me pëllëmbën e shuplakës së dorës.
Pas largimit nga Shqipëria, tek Esja vjen të jetojë nipi i saj Vehbi Zejnelaga.
Sipas Shefki Nimanbegut, halla Esja ka ditur edhe për mjekësinë popullore dhe u ka ndihmuar të gjithë banorëve të Kalasë. Gëzonte një respekt të madh prej të gjithëve.
Halla Esja ka vdekur në vitin 1956, dy vjet pasi që i vdiq djali Brahushi.
“Halla Esja ka vdekur në shtëpinë e babait tim, në vitin 1956“, tregon Budije Idrizaga – Karamanaga (1949).

Martesa në Shkodër dhe kthimi në Ulqin
Omer Ibrahimi ishte tregtar i njohur në Shkodër. Ishte në moshë dhe i pamartuar. I propozuan që të martohet për motrën e Jakup dhe Reshit Idrizagës nga Ulqini. Esja kishte edhe motrën e madhe të martuar në Shkodër.
Kaluan disa vjet, por fëmijë nuk kishin. Dikush iu tha: – Ndërroni vendin, shkoni në Ulqin.
Dhe kështu Omer Ibrahimi e shiti shtëpinë dhe dyqanin në Shkodër, bleu një shtëpi në Kalanë e Poshtme dhe aty filluan një jetë të re.
Me të vërtetë, pas një viti, u lindi një djalë. Ia dhanë emrin Ibrahim, ndërsa nga dashuria e shkurtuan në Brahush.
Brahushi u rrit me fëmijët e Kalasë. Shkonte për t’u larë në det në Njalli dhe nganjëherë shkonte edhe në peshkim me djalin e dajës, Jakupin, Xhemalin, i cili ishte moshatar i tij.
Omer Ibrahimi ndërroi jetë pas një sëmundjeje të shkurtër.

Peshkimi i Brahushit me Xhemalin
Një ditë vjeshte, Brahushi me Xhemalin shkuan me sandall me rrema deri te Lama e Kaurrit për t’i hedhur parangallat. Dita ishte në përfundim dhe u errësua para kohe. Filloi të frynte erë dhe të biente shi. Për t’u kthyer deri në Ulqin iu desh më tepër se një orë. Xhemali ishte më i fuqishëm dhe rremonte me vrull. U lagën deri në palcë. Deti çoi valë të mëdha, shirok… Me vështirësi e gjetën dhe hynë nën mendreq, nën Gadishullin Suka. Pasi e lidhën sandallin, morën peshkun që e kishin zënë me parangalla dhe u nisën për në shtëpi në Kala.

Sëmundja e Brahushit
Atë natë, Brahushi fitoi ethe. Nëna Ese e mbuloi me dy jorgana, por nuk ngrohej assesi. Ditën tjetër fitoi dhimbje koke, vjellje dhe shpejt e humbi vetëdijen. Thirrën mjekun nga Ulqini, i cili konstatoi se është sëmundje e rëndë dhe që duhet ta vizitojë ndonjë mjek më me shumë përvojë, si dr. Shiroka nga Shkodra.
Vëllezërit e halla Esës – Jakupi dhe Reshiti shkuan në Shkodër dhe u kthyen me dr. Shirokën.
Pas vizitës, dr. Shiroka tha: – Kjo është sëmundje shumë e rëndë. Në mjekësi ne e quajmë meningitis dhe shanset për të jetuar janë shumë të vogla. Edhe nëse e përballon, mund të lë pasoja të rënda.
Pas tri ditëve, temperatura u ul dhe gjendja u përmirësua deri diku. Mirëpo Brahushi nuk mund të fliste dhe të çohej në këmbë.
Pas dy javësh, Brahushi u çua në këmbë, por nuk mund të fliste. Lëshonte vetëm disa zanore të paartikuluara…

Dashuria për detin
dhe peshkimin
Në pyetjen time se a i kujtohet Brahushi, Shefki Nimanbegu (1936) thotë:

  • Brahushin e kam njoftë. Më kujtohet i ulun në pragun e derës, në qemerin e shpisë së halla Eses… Fliste diçka që s‘mundej të kuptohej… Askuj nuk i bante gja…
    Brahushi ditën rrinte ashtu siç e përshkroi Shefkiu, por natën nuk rrinte as aty, as në shtëpi. Halla Ese i tha Xhemalit: – Përcille sonte se ku shkon Brahushi!
    Xhemali fshehtasi e përcolli. Brahushi ecte, doli prej Portës së Kalasë mbi Njalli, u ul deri në Molin e Madh, u zhvesh dhe u zhyt në det duke notuar. Notonte prej Molit të Madh deri te Kepi nën Sukë, përgjatë gjirit. Mandej, prej Molit të Vogël zhytej nën ujë disa herë deri te Moli i Madh. Pastaj dilte nga deti, vishej dhe shkonte në shtëpi.
    Çka mendonte Brahushi?
    Ai në ëndrrat e tij e donte shumë detin dhe peshkimin. Në imagjinatën e tij lundronte me velanijen e gjyshit të tij. Kur notonte ose zhytej në det, gjithnjë jetonte me ëndrrat e tij…

(P.s. Në popull ka mbetur thënia me kuptim negativ “Je ba si Brahush”! Kjo thënie shpreh një padrejtësi të pakufishme, sepse Brahushi ka lindur i shëndetshëm dhe si i ri ishte si të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e tjerë. Fatkeqësisht, sëmundja dhe fati janë gjithmonë jashtë dëshirave të njeriut…)

Të fundit

më të lexuarat