Debati publik për Draft-ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, i mbajtur të hënën (9 shkurt 2026) në Ulqin, hapi një nga proceset më të rëndësishme ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pakicave në Mal të Zi gjatë viteve të fundit. Bëhet fjalë për një ligj që, pas Kushtetutës, përbën bazën themelore për garantimin dhe avancimin e të drejtave të popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare, dhe që nuk është ndryshuar që nga viti 2017.
Fakti që ligji ka mbetur i pandryshuar për gati një dekadë, e bën këtë nismë veçanërisht të rëndësishme, sidomos në kontekstin e integrimit evropian të Malit të Zi.
Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave ka theksuar se ndryshimet ligjore janë pjesë e programit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe synojnë harmonizimin e kuadrit ligjor me standardet dhe praktikat evropiane në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave.
Përgatitja e Draft-ligjit është realizuar përmes një grupi pune, të përbërë nga përfaqësues të institucioneve shtetërore, gjashtë këshillave kombëtare, dy ekspertë të pavarur, si dhe Mbrojtësi i të Drejtave të Njeriut dhe Lirive në rolin e vëzhguesit. Kjo përbërje sugjeron një përpjekje për gjithëpërfshirje institucionale, megjithëse mbetet të shihet se sa propozimet e dala nga debati publik do të reflektohen realisht në tekstin përfundimtar të ligjit.
Debati publik, i cili zgjat 20 ditë nga publikimi i thirrjes në faqen zyrtare të Ministrisë dhe në portalin e e-qeverisjes, parashikon organizimin e katër tryezave të rrumbullakëta – në Ulqin, Tivat, Rozhajë dhe Podgoricë. Qëllimi i tyre është të sigurojnë pjesëmarrjen e komuniteteve lokale, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe aktorëve politikë në diskutimin e ndryshimeve të propozuara.
Në tryezën e rrumbullakët në Ulqin, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave dhe Komuniteteve të tjera Kombëtare, Arben Xhurreta, vuri theksin në peshën kushtetuese dhe politike të këtij ligji, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të sistemit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave në Mal të Zi.
“Pas Kushtetutës së Malit të Zi, Ligji për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave është dokumenti kyç për mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së të gjithë popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera kombëtare në Mal të Zi. Ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e zgjidhjeve ekzistuese dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, theksoi ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, në deklaratën për Kohën javore foli në cilësinë e anëtarit të grupit punues për rishikimin e këtij ligji.
Nika bëri të ditur se grupi punues përbëhet nga përfaqësues të të gjitha këshillave kombëtare që funksionojnë në Mal të Zi dhe se procesi i konsultimeve është ende në vazhdim.
“Nga KKSH jam unë anëtar i grupit të punës, ndërsa pjesë e tij janë edhe përfaqësues të këshillave të tjera kombëtare. Deri tani kemi mbajtur një punëtori dhe do të ketë edhe të tjera pas këtyre diskutimeve publike”, deklaroi ai.
Sipas Nikës, qëllimi kryesor i ndryshimeve ligjore është avancimi real i të drejtave të pakicave kombëtare e jo vetëm përmirësimi formal i dispozitave ekzistuese.
“Ne synojmë që përmes disa ndryshimeve dhe plotësimeve të ligjit aktual të avancohen realisht të drejtat e pakicave kombëtare, në disa aspekte konkrete”, theksoi ai.
Një nga çështjet kryesore është përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Nika sqaroi se ligji aktual parasheh përdorimin e gjuhëve të pakicave, por e lidh këtë të drejtë me rezultatet e regjistrimit të popullsisë.
“Ligji aktual parashikon që disa të drejta, përfshirë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, varen nga censusi dhe nga numri i pjesëtarëve të pakicave në komuna të caktuara”, tha ai.
Ai shprehu shqetësimin se në regjistrimet e ardhshme të popullsisë mund të mos ketë më pyetje për përkatësinë kombëtare, gjë që do të rrezikonte bazën ligjore për këto të drejta.
“Ne synojmë që dy regjistrimet e fundit të popullsisë të jenë baza ligjore që qytetarët shqiptarë në Mal të Zi të kenë të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në institucione, pa u lënë hapësirë ndryshimeve të pafavorshme në të ardhmen”, theksoi Nika.
Një tjetër problem serioz i evidentuar nga kryetari i KKSH-së ka të bëjë me funksionimin e Fondit për Pakica, përkatësisht me përbërjen e komisionit që i vlerëson projektet.
“Një nga kërkesat kryesore të të gjitha këshillave kombëtare është që përbërja e komisionit për vlerësimin e projekteve të definohet ndryshe, sepse aktualisht ai është jashtë çdo kontrolli të këshillave kombëtare dhe vetë Fondit për Pakica. Sot kemi anëtarë vetëm nga një pakicë etnike, në këtë rast boshnjake, ndërsa nuk ka asnjë shqiptar, asnjë kroat dhe asnjë përfaqësues të komunitetit rom apo pakicave të tjera. Ne synojmë që secili këshill kombëtar, në bazë të konkursit publik që shpall Kuvendi i Malit të Zi, të propozojë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet, ndërsa Kuvendi të zgjedhë nga një kandidat për secilën pakicë”, u shpreh Nika.
Sipas tij, mungesa e përfaqësuesve shqiptarë në këtë komision krijon barriera serioze, sidomos kur projektet janë në gjuhën shqipe.
“Shqiptarët kanë të drejtë të aplikojnë me projekte dhe të plotësojnë formularët në gjuhën shqipe, por anëtarët e komisionit nuk e njohin këtë gjuhë. Kjo është paradoksale”, theksoi ai, duke shtuar se përkthimet shpesh nuk janë adekuate dhe mund të çojnë në keqinterpretim të projekteve.
Sipas Ministrisë, gjatë hartimit të Draft-ligjit është treguar kujdes i veçantë që të respektohen detyrimet ndërkombëtare të Malit të Zi dhe të merren parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, çka i jep procesit një dimension shtesë të besueshmërisë juridike. Megjithatë, për organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e pakicave, sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i ligjit dhe jo vetëm përmirësimi formal i tekstit.
Në këtë kontekst, debati publik shihet si një test i vullnetit institucional për dialog real dhe përfshirje substanciale të komuniteteve pakicë në vendimmarrje. Rezultatet e këtij procesi do të tregojnë nëse ndryshimet ligjore do të përkthehen në përmirësim konkret të pozitës së pakicave apo do të mbeten kryesisht një obligim formal në kuadër të procesit të integrimit evropian.
D. Teliqi
