Ndryshimet ligjore të miratuara nga Kuvendi i Malit të Zi në verën e vitit 2025, po shndërrohen nga një reformë e paralajmëruar si “harmonizim me standardet evropiane” në një mekanizëm përjashtues që prodhon pasiguri juridike, kosto të larta dhe trajtim të pabarabartë për mësimdhënësit shqiptarë. Në vend që të lehtësojë lëvizshmërinë akademike dhe integrimin profesional, ligji i ri për njohjen e diplomave dhe ekuivalentimin e kualifikimeve po krijon barriera të reja administrative për ata që prej vitesh mbajnë gjallë sistemin arsimor publik në zonat me shumicë shqiptare.
Prekja më e drejtpërdrejtë është te mësimdhënësit që i kanë përfunduar studimet në Shqipëri ose Kosovë dhe që, pavarësisht përvojës shumëvjeçare të punës në shkollat e Malit të Zi, sot përballen me pengesa serioze në procesin e rinovimit të licencave profesionale. Detyrimi për rinovim çdo pesë vjet, i kombinuar me kërkesa të reja burokratike dhe financiare, e ka kthyer një procedurë administrative në një proces të pasigurt dhe diskriminues.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, konfirmon se institucionet janë plotësisht të vetëdijshme për këtë problem, por deri tani nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje reale.
“Jemi të informuar dhe kemi pasur kontakte të para me drejtues të shkollave, për shkak se ky problem është paraqitur fillimisht më herët dhe vazhdon të jetë aktual edhe sot”, deklaroi ai.
Sipas Nikës, vështirësitë më të mëdha shfaqen gjatë procesit të rinovimit të licencave profesionale, të cilat mësimdhënësit janë të detyruar t’i rinovojnë çdo pesë vjet. Ndryshimet ligjore kanë sjellë kërkesa të reja administrative, duke i vendosur këta punonjës përballë procedurave që shpesh janë të paqarta dhe të zvarritura.
“Bëhet fjalë për mësimdhënës që kanë punuar për vite me radhë në shkolla dhe që janë të detyruar ta rinovojnë licencën çdo pesë vjet. Pas ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore, ata janë përballur me probleme serioze”, theksoi ai.
Një nga aspektet më problematike, sipas KKSH-së, është mungesa e reciprocitetit institucional. Derisa diplomat e fituara në Mal të Zi njihen pa pengesa në Shqipëri dhe Kosovë, e kundërta nuk vlen për diplomat e këtyre dy shteteve në Mal të Zi.
“Nëse shkojmë në Shqipëri apo në Kosovë, diplomat e Malit të Zi njihen, ndërsa këtu nuk kemi të njëjtën qasje për diplomat e fituara në këto dy shtete”, u shpreh Nika.
Kjo situatë, sipas tij, krijon ndjenjë diskriminimi dhe pasigurie juridike për komunitetin shqiptar, veçanërisht për ata që kanë investuar vite në arsimim dhe karrierë profesionale brenda sistemit arsimor malazez.
“Kjo situatë krijon pasiguri për njerëzit që kanë investuar në arsimimin e tyre dhe që kontribuojnë prej vitesh në sistemin arsimor të Malit të Zi”, tha kryetari i KKSH-së.
Edhe pse çështja është ngritur në komunikimet me institucionet përkatëse, deri tani nuk ka pasur zgjidhje konkrete. Sipas Nikës, përgjigjet institucionale kanë munguar, pavarësisht se problemi është i njohur dhe i dokumentuar.
“Në deklaratat e drejtuesve të institucioneve arsimore kemi parë se nuk ka pasur përgjigje pozitive për këtë problem”, theksoi ai.
Përtej pasojave individuale, Nika paralajmëron se mosnjohja ose vonesat në njohjen e diplomave ndikojnë drejtpërdrejt edhe në cilësinë e arsimit dhe stabilitetin e institucioneve publike.
“Kur mësimdhënësit përballen me pasiguri ligjore dhe administrative, kjo ndikon edhe në stabilitetin e sistemit arsimor”, vuri në dukje ai.
Në përfundim, kryetari i KKSH-së theksoi se kjo çështje do të mbetet në fokus të vazhdueshëm institucional.
“Unë vazhdoj ta ndjek këtë proces me vëmendje dhe besoj se do të gjendet një zgjidhje, sepse kjo është një çështje që kërkon trajtim serioz dhe të drejtë”, përfundoi Nika.
Ndërkohë, mbetet të shihet nëse institucionet shtetërore do të reagojnë me masa konkrete për të shmangur thellimin e pabarazive dhe për të garantuar një trajtim të drejtë dhe funksional për të gjithë mësimdhënësit, pa dallim të vendit ku i kanë përfunduar studimet e tyre.
D. Teliqi
