Lajmin e hidhur për kalimin në amshim të Pjetër Lekë Ivezajt e lexova në portalin e Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali në Roçester Hills të shtetit Miçigan: “Me dhimbje të madhe dhe zemër të thyer, familja Ivezaj njofton komunitetin shqiptar se më 27 janar 2026, paqësisht në shtëpi, i rrethuar nga të dashurit e tij, në moshën 69-vjeçare ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj”.
Në vitin 1986, Pjetër Ivezaj u arrestua në Mal të Zi – një akt ilegal që pasqyronte realitetin e zymtë të kohës për shqiptarët që guxonin të mendonin ndryshe dhe që kërkonin të drejtat e tyre legjitime, anembanë trojeve shqiptare. Tani e dimë se arrestimi i tij nuk ishte thjesht një çështje penale, por ishte një përpjekje për ta heshtur zërin e një njeriu që refuzoi nënshtrimin, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Përvoja e tij e hidhur në duar të autoriteteve komuniste jugollave, siç ishte për shumë bashkëvendës të tij, la plagë të thella, por edhe dëshmi të forta të karakterit të një malësori që nuk u dorëzua, ndërsa shpalosi, njëkohësisht, para botës së qytetëruar fytyrën e kalbur të regjimit terrorist sllavo-komunist të ish-Jugiosllavisë.
Por qëllimi i këtij shkrimi të shkurtër me këtë rast morti nuk është historia e arrestimit, burgosjes, as edhe e lirimit të Pjetër Ivezajt nga burgjet e ish-Jugosllavisë komuniste me ndihmën e autoriteteve më të larta amerikane të viteve ’80 të shekullit të kaluar, sepse do të kërkonte më shumë kohë e hapësirë. Por dihet se ai u arrestua nga autoritetet jugosllave si përfundim i aktiviteteve patriotike të Pjetrit, përfshirë pjesëmarrjen e tij në demonstratat antijugosllave të komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në Shtetet e Bashkuara, në mbrojtje të të drejtave të njeriut të shqiptarëve të Kosovës.
Për ata që janë të interesuar për rastin Ivezaj dhe për atë periudhë, kjo histori është e dokumentuar shumë mirë në librin “Klithma e një shqiponje”, shkruar nga vëllai i Pjetrit, Dr. Fran L. Ivezaj. Një libër jo vetëm letrar e autobiografik, por njëkohësisht edhe një dëshmi e dokumentuar, historike dhe morale e asaj periudhe. Një tregim i gjallë i vuajtjeve, qëndresës dhe dinjitetit të shqiptarit nën shtypjet shekullore të sllavëve të jugut.
Në thelb të këtij libri qëndron drama e një familjeje shqiptare – familja e madhe patriotike Ivezaj nga Malësia e Madhe, simbol i qëndresës. Veçanërisht, pasqyrohet me dokumente, përndjekja politike e malësorit shqiptaro-amerikan Pjetër Ivezaj nga autoritetet sllavo-komuniste jugosllave, përndjekje që më në fund u shndërrua në një simbol të fatit të keq kolektiv shtypës për mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet iliro-arbërore, nën ish-Jugollavinë komuniste, përfshirë Kosovën.
Por, dua të kujtoj me këtë rast të zi për familjen dhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan këtë simbol vuajtjesh e qëndrese në burgjet jugosllave, njërin prej atyre shqiptarëve të heshtur por edhe të palëkundur, siç ishte Pjetër Ivezaj, simbol i përndjekjeve politike dhe i sakrificës personale. Duke e kujtuar atë si shembull të një qëndrese morale dhe kombëtare, i cili e pagoi shtrenjtë besnikërinë e tij ndaj Malësisë dhe shqiptarisë, lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave themelore të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo ishin.
Dua ta kujtoj atë rast, që në atë kohë i referoheshim si “Çështja Ivezaj” – si një sfidë e madhe që paraqitej atëherë për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe për të gjithë shqiptarët, përballë barbarive serbe kundër shqiptarëve, në atdhe por edhe këtu në Amerikë. Si sfidë po, por e kujtojmë edhe si shpresë: si një “vetëtimë që paralajmëroi stuhinë”, siç e ka cilësuar rastin e Pjetër Ivezajt shkrimtari Ismail Kadare, duke shtuar se “Thyerja e tyre (autoriteteve jugosllave) përballë Pjetër Ivezajt ishte shenja e parë e sigurt se një epokë e re po afrohej në Ballkan. Për shqiptarët, në radhë të parë, por edhe për të gjithë të tjerët”.
Ndërsa shkrimtari Dritëro Agolli e ka komentuar rastin Ivezaj, duke u shprehur se “Shteti komunist, që s’kishte prapsur as tanket para studentëve të Prishtinës më ’81-ën, detyrohet të tërheqë dënimin e Pjetër Ivezajt”.
Dhe nëse “Çështja Ivezaj”, ose “Fati i Pjetër Ivezajt po e paralajmëronte fatin e ndryshuar të shqiptarëve dhe të Kosovës”, siç ka thënë Rexhep Qosja, përfundimisht, kjo gjë u takon historianëve të ardhshëm të thonë fjalën e vet, nëse fati i këtij malësori në duart e barbarëve sllavë në vitin 1986, ishte vërtet fillimi i triumfit përfundimtar të shqiptarëve mbi dehumanizimin serb në Ballkanin Perëndimor, që përfundoi me çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova.
Dua të kujtoj gjithashtu në këto ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, duke shtuar se kjo “thyerje” e regjimit terrorist serb, vështirë se do kishte ndodhur pa interesimin dhe pjesëmarrjen e shumë faktorëve vendimtarë të politikës amerikane që, më në fund, çuan në lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgu jugosllav. Nuk kam asnjë dyshim se kryesori në këtë mes ishte angazhimi aktiv institucional i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në “Çështjen Ivezaj”. Fillimisht ishin përfaqësuesit e shtetit Miçigan në Kongres, të nxitur dhe të mbështetur fuqishëm nga diaspora shqiptaro-amerikane, fillimisht nga shqiptarët e Detroitit me rrethe, kryesuar nga biznesmeni dhe aktivisti i dalluar i komunitetit tonë në Amerikë, z. Ekrem Bardha.
“Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Uashingtonit nga z. Bardha nëpërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqësuesve të shtetit Miçigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, z. Uilliam Brumfild (William Broomfield). Kongresisti Brumfild kishte organizuar me kolegët e tij seancë dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, në tetor 1986. Mos qofsha gabim, e para e këtij lloji, ekskluzivisht, për t’u informuar për fatin e një personi – një malësori të arrestuar e keqtrajtuar në burgjet jugosllave – por edhe për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e asaj kohe.
Ky presion nga komuniteti shqiptaro-amerikan dhe nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara u shoqërua në atë kohë edhe me raporte periodike të Departamentit të Shtetit dhe të institucioneve të tjera qeveritare dhe joqeveritare amerikane, ku flitej për shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut në Jugosllavi, duke e rritur për Beogradin koston politike dhe diplomatike të mbajtjes në burg të figurave si Pjetër Ivezaj. Prandaj, lirimi i tij nuk ishte thjesht rezultat i rrethanave të brendshme jugosllave, por produkt i ndërhyrjes ndërkombëtare, ku Kongresi Amerikan luajti rol kyç.
Duhet të kujtojmë se ky episod mbetet një dëshmi konkrete se si demokracitë perëndimore, kur vihen në lëvizje nga komunitetet e tyre dhe nga parimet e lirisë dhe të demokracisë, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e individëve të persekutuar dhe të kombeve të shtypura.
Dua të kujtoj në këto ditë të kalimit në amshim të Pjetër Ivezajt, për të gjithë shqiptarët, por sidomos për diasporën shqiptaro-amerikane, se figura e Pjetër Ivezajt ka një domethënie të veçantë për të gjithë ne edhe pas largimit të tij nga kjo jetë. Historia e Pjetër Ivezajt dhe e shumë shqiptarëve si ai, të fundshekullit të kaluar, është bërë tanimë pjesë e mozaikut të vuajtjeve dhe qëndresës kombëtare shqiptare – një histori që meriton të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi, këtu në mërgim dhe në atdhe. Përvoja e hidhur e Pjetër Ivezajt na kujton sot të gjithë neve se pse u detyruam të largoheshim, me mijëra shqiptarë, nga trojet tona stërgjyshore, sidomos gjatë viteve 1960-1970. Qe besa, duhet të na kujtojë të gjithëve këtu në Amerikë por edhe në Malësi, Shqipëri e Kosovë, por dhe anembanë trojeve shqiptare sot, se liria dhe demokracia sado e brishtë që është në trojet tona që gëzojnë sot shqiptarët, nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë, por për të cilat vlera duhet të luftohet çdo ditë, për t’i ruajtur e për t’i mbrojtur.
Me ndarjen nga jeta të Pjetër Ivezajt humbëm një dëshmitar të gjallë të një epoke padrejtësish, por fituam një obligim moral: që të mos harrojmë! Kujtimi i Pjetër Ivezajt na fton të flasim hapur për të kaluarën, por edhe të kujtojmë dhe të nderojmë viktimat e asaj historie të hidhur dhe të mbrojmë të vërtetën historike nga heshtja dhe relativizimi.
Ndarja e tij nga kjo jetë le të shërbejë gjithashtu si një kujtesë se liria dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve janë ruajtur edhe falë njerëzve të thjeshtë si Pjetër Ivezaj i Malësisë së Madhe, të cilët nuk u përkulën kurrë përballë padrejtësive të historisë.
Kur ndahet nga kjo jetë një burrë si Pjetër Ivezaj, jo vetëm familja e ngushtë e familja më e gjerë, farefisi në mërgim dhe në atdhe, por e gjithë mërgata jonë pëson një humbje të rëndë. Kujtimi, vepra dhe dinjiteti i tij prej burrë malësori mbeten trashëgimi të gjalla, jo vetëm në familjen e tij, por edhe te të gjithë ata që e njohën, sidomos pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit.
Pjetër Ivezaj pushoftë në paqe e Zoti i dhashtë forcë familjes dhe të afërmve për të përballuar këtë dhembje dhe humbje të rëndë. Familjarëve dhe farefisit kudo që janë nëpër botë, disa prej të cilëve i kam njohur gjatë viteve, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Pjetër Ivezajt.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Frank Shkreli
