
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Jeruzalem, më 26 janar 2026, ku u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Ai vizitoi Murin e Vajtimeve, një nga vendet më të shenjta në judaizëm, dhe më pas mbajti një fjalim në Parlamentin e Izraelit (Knesset). Ndër të tjera, ai foli për lidhjet historike të Shqipërisë me popullin hebre dhe për mbështetjen e përbashkët për arritjen e paqes në konfliktin aktual në Gaza.
Reagimet negative
Anëtarët arabë të Knessetit e bojkotuan fjalimin e Ramës në shenjë proteste, sepse e konsideruan si mbështetje për Izraelin. Është shumë më e rëndësishme që kjo vizitë u shërbeu interesave të shtetit shqiptar – forcimit të lidhjeve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, si dhe ruajtjes së mbështetjes ndërkombëtare nga faktorët e fuqishëm në një kohë të polarizimit global.
Në Shqipëri, një pjesë e kritikave ishte nga shkaku se Rama, gjoja e poshtëroi vendin, sepse u takua me kryeministrin izraelit i cili akuzohet për krime lufte para Gjykatës Ndërkombëtare. Kritikët madje thanë se ai “shkoi dhe e puthi vrasësin”, duke iu referuar Netanyahut – gjë që ilustron se sa emocional dhe i polarizuar është reagimi ndaj kësaj vizite. Të kujtojmë një lider të madh arab, Anwar el Sadath, i cili vendosi në vitin 1977 që të shkojë në Jeruzalem dhe të mbajë fjalimin historik në Knesset. Kjo shkaktoi tronditje politike në botën arabe të asaj kohe, por, në fund rezultoi me Marrëveshjen e paqes mes Egjiptit dhe Izraelit në vitin 1979.
Disa komente nga mediat e huaja (p.sh. ato të Turqisë) e interpretuan vizitën e Ramës si një mesazh të qartë mbështetjeje për Izraelin, në kohën kur konflikti është duke vazhduar ende.
Konteksti më i gjerë
Kjo polemikë ndodh mes tensioneve të forta ndërkombëtare mbi luftën në Gaza dhe debatit se si duhet të pozicionohen shtetet – midis mbështetjes së Izraelit, solidaritetit me palestinezët apo përpjekjes për një rol paqeruajtës.
Pikat kryesore të fjalimit të Ramës në Knesset
- Nder dhe miqësi
Rama theksoi në fillim të fjalës së tij se është një mirënjohje e veçantë për të dhe për Shqipërinë që ai flet në Knesset, dhe se shqiptarët meritojnë respekt për mbështetjen e tyre historike ndaj popullit hebre, veçanërisht gjatë Holokaustit, kur shqiptarët i mbrojtën hebrenjtë. - Solidariteti dhe
vlerat historike
Rama nënvizoi lidhjet historike midis Shqipërisë dhe komunitetit hebraik, duke theksuar kundërshtimin e shqiptarëve ndaj antisemitizmit dhe vlerën e tolerancës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. - Hamasi dhe
konflikti aktual në Gaza
Lidhur me luftën në Gaza, Rama fajësoi qartë grupacionin militant palestinez Hamas si përgjegjës për katastrofën në Gaza dhe tha se, pa largimin e Hamasit, nuk ka paqe të qëndrueshme, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga disa shtete. Megjithatë, duhet theksuar se Shqipëria nuk ka për detyrë t’i kënaqë të gjithë, por të mbrojë interesat e veta dhe të ndjekë një politikë pragmatike që i siguron asaj siguri, aleanca të forta dhe peshë ndërkombëtare. - Roli dhe ndihma
ndërkombëtare
Rama tha se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë përmes një misioni ndërkombëtar stabilizues në Gaza, së bashku me partnerë të tjerë dhe të mbështesë përpjekjet për paqe, përfshirë edhe planin amerikan për paqen në Gaza. - Mesazh paqeje
Në fund të fjalimit, ai bëri thirrje për paqe dhe bashkëjetesë, duke e cituar John Lennonit nga viti 1969 se “paqes duhet t’i jepet një shans”. Rama shprehu shpresë për një jetë dinjitoze për palestinezët në të ardhmen.
Rëndësia e interesit kombëtar
Vizita e kryeministrit Rama në Izrael është me rëndësi të madhe për Shqipërinë, por edhe për gjithë hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është logjika e realpolitikës së shteteve të vogla: ruajtja e mbështetjes ndërkombëtare të faktorëve të fortë, garancitë e sigurisë dhe stabiliteti politik. Në këtë kuptim, Rama u udhëhoq nga interesat pragmatike gjeopolitike të vendit të tij e jo nga reagimet emocionale që shpesh u kushtojnë shtrenjtë shteteve të vogla.
