Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi ka njoftuar të mërkurën, më 28 janar 2026 për shfuqizimin si jokushtetues të nenit 35a të Ligjit për tregtinë e brendshme, përkatësisht të ditës së diel jo pune në tregti.
Gjykata vlerësoi se me këtë dispozitë shkelet liria e sipërmarrjes, e garantuar me Kushtetutë, si dhe parimi kushtetues i barazisë së të gjithëve para ligjit “pasi një grupi sipërmarrësish/tregtarësh i ishte mundësuar të ushtrojë veprimtari të dielave dhe në ditët e festave shtetërore dhe të tjera, derisa një grupi tjetër kjo i ishte ndaluar”.
Gjykata thekson, mes tjerash, se me Kushtetutë janë përcaktuar qartë arsyet për të cilat mund të kufizohet liria e sipërmarrjes (për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, mjedisit, pasurive natyrore, trashëgimisë kulturore ose sigurisë dhe mbrojtjes së Malit të Zi) dhe se ligjvënësi nuk mund të vendosë vetë kufizime të reja jashtë këtyre bazave kushtetuese, as pa një qëllim legjitim të përcaktuar qartë në interes publik.
Lidhur me këtë çështje, “Koha javore” ka komunikuar me Shoqatën e Punëdhënësve të Malit të Zi. Nga Zyra e marrëdhënieve me publikun e këtij institucioni theksojnë se, për shkak se Shoqata e Punëdhënësve që në vitin 2019 ka paraqitur iniciativën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së nenit 35a dhe se gjatë gjashtë viteve të fundit kanë marrë pjesë aktive në negociatat mbi këtë temë, vendimi për heqjen e së dielës si ditë jo pune ishte epilogu i vetëm legjitim i kësaj historie.
“Qëllimi ishte që të gjithë përfaqësuesit e sistemit ekonomik të kenë të drejtë të njëjtë për të bërë biznes, gjë që deri tani nuk ishte rasti, dhe se tani shpresojmë në arritjen e barazisë në këtë drejtim”, thonë nga ky institucion.
Sa u përket pasojave më të mëdha që Shoqata e Punëdhënësve parashikon për tregtarët dhe të punësuarit nëse vendimi fillon të zbatohet, nga ky institucion shprehen se forma e vetme e “pasojave” mund të jetë më pak të diela të lira për të punësuarin.
“Ligji i punës garanton pushim javor për çdo të punësuar, kështu që ndonjëherë kjo mund të jetë e diela, ndonjëherë një ditë tjetër pune, në varësi të marrëveshjes në nivel ndërmarrjeje. Përveç kësaj, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive që e nënshkruam në vitin 2023 garanton rritje të pagës për punë të dielave në masën prej 80 për qind, gjë që është një lehtësim shtesë në këto rrethana”, thonë ata.
Duke iu përgjigjur pyetjes sonë nëse ka praktika ose politika të rekomanduara që ky institucion këshillon dhe që mund t’i harmonizojnë interesat e të punësuarve dhe tregtarëve pas zbatimit të këtij vendimi, ata thonë se mënyra se si punëdhënësit dhe të punësuarit do të harmonizojnë funksionimin brenda kompanisë është në dorën e tyre, por sipas tyre është e rëndësishme të theksohet se nga ana tjetër, përgjegjësi të madhe ka mbikëqyrja e inspektoratit, e cila do të duhet t’i ndjekë të gjitha detajet që lidhen me kontrollin e punës dhe të drejtave, si të të punësuarve, ashtu edhe të punëdhënësve.
“Gjithashtu, dëshirojmë të theksojmë se vendimi i marrë nga ana e Gjykatës Kushtetuese nuk është i detyrueshëm, prandaj asnjë sipërmarrës nuk është i detyruar të punojë të dielave nëse nuk dëshiron ose nuk ka nevojë për këtë”, theksojnë nga Shoqata e Punëdhënësve.
Patjetër që ky vendim, thonë ata, do të çojë në harmonizim dhe ndryshime në lidhje me organizimin e punës, orarin dhe turnet, “por besojmë se, duke respektuar të drejtat reciproke, çdo kompani do të funksionojë pa pengesa dhe do të pësojë pasoja minimale, si për punëdhënësit, ashtu edhe për të punësuarit”.
Ndërkaq për juristin Robert Camaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e lirisë ekonomike dhe të konkurrencës, duke vlerësuar se ndalimi i përgjithshëm i punës së dyqaneve të dielën përbënte ndërhyrje disproporcionale në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.
“Gjykata nuk e mohon të drejtën e pushimit javor, por vlerëson se ajo duhet të rregullohet përmes Ligjit të Punës, jo përmes ndalimeve absolute sektoriale. Mendoj se Kushtetuesja ka qenë korrekte dhe situata bën thirrje në ndërgjegjësim, në drejtim të shikimit të situatës lidhur me pozitën e të punësuarve, por edhe i fton ligjvënësit në seriozitet kur marrin vendime qartësisht antikushtetuese. Antikushtetuese nuk nënkupton antisociale, thjesht vija e Kushtetutës është shkelur me ligj të kontestuar dhe këtu vihet në pyetje kujdesi i munguar i ligjvënësit”, shprehet ai.
Camaj shton se gjithashtu vihet në lëkundje pakti, jo qëllimi i ligjit në frymë dhe normim, por, siç thotë ai, thënë më thjesht, nëse Ligji ka për qëllim të mbrojë të punësuarin, të amendohet Kushtetuta, ose nëse nuk arrihet kjo, të sillen ligje që nuk goditen lehtësisht.
“Dhe kjo nuk është hera e parë që kontestohet ligji, sepse nuk i shkon vijës së Kushtetutës, ndërsa ata që pësojnë janë qytetarët, të cilët i bie se kanë zgjedhur ligjvënës të paaftë”, thekson Camaj.
Ai më tej sqaron se vendimi në fjalë nuk e heq detyrimin ligjor për pushim javor dhe as për kompensim të punës jashtë orarit.
“Punëdhënësit mbeten të detyruar të sigurojnë të paktën një ditë pushimi javor, të respektojnë orarin maksimal të punës, të paguajnë kompensim shtesë ose ditë pushimi zëvendësuese për punën në ditë pushimi, sipas Ligjit të Punës. Por këtu ka pak të bëjë me ligjin, pa ndryshuar qasja dhe fryma demokratike e cila mungon, jo sot, por pa ndërprerje dhe me dekada, ku punëdhënësi është sinonim i shfrytëzuesit të pamëshirshëm, i cili ka për qëllim përfitimin, kurse i punësuari në pozitën e të pambrojturit”, thotë Camaj.
Ai më tej shton se shteti social ka dështuar që prej kur është paraparë si i tillë, “dhe kjo humbje, frikësohem se nuk kthehet me apele, sepse për ndërtimin e klimës sociale tanimë nuk ka as vullnet, as ambient”.
I pyetur se cilat janë sfidat kryesore juridike që mund të shfaqen gjatë zbatimit të këtij vendimi, veçanërisht në lidhje me orarin e punës dhe të drejtat e punonjësve, juristi Camaj thotë se sfidat përfshijnë, rrezikun e shkeljes së pushimit javor për punonjësit, keqinterpretimin se puna të dielën është e lirë nga kompensimi, nevojën për rregullim të qartë kontraktual dhe planifikim korrekt të orarit të punës, forcimin e mbikëqyrjes inspektuese për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.
“Por kjo nuk jep shpresë, sepse procedura te ne nuk i mbron të drejtat dhe liritë, dhe si pasojë, këto akrobaci që i përmbysin normat nuk garantojnë siguri dhe stabilitet juridik. E drejta dhe drejtësia edhe në këtë rast nuk do të gjejnë përputhje me njëra-tjetrën, sepse kjo arrihet vështirë edhe kur ka intencë dashamirëse, e jo më kur paradoksi dhe banalizimi i institucioneve është përditshmëri, kurse minimalizimi dhe relativizimi janë arsyetimi kryesor”, thotë ai.
Juristi Robert Camaj shton se, sipas informacioneve nga shtypi i ditës, ka vërejtur se janë paraqitur disa opsione se si të mbrohen të punësuarit, me shpresë se do të arrihet deri te zgjidhja më e mirë.
“Sepse arsyet e nxjerrjes së ligjit tanimë të shfuqizuar, ishin ushqyer pikërisht për arsye që ata të mbroheshin. Kemi dështuar si shoqëri, ne si ‘esnaf’ i juristëve, por edhe ju si gazetarë, që duhet të formatoni opinionin publik, sepse nuk kemi arritur që mjetet e ankimimit t’i paraqesim si gjë e natyrshme, por shihen si sulm personal ndaj punëdhënësit”, përfundon Camaj.
Nga Gjykata Kushtetuese kanë bërë të ditur se deri në publikimin e vendimit në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi, ndalimi i punës së dyqaneve të dielave dhe në ditët e festave shtetërore mbetet në fuqi, dhe se publiku do të informohet me kohë.
T. Ujkaj
