Kur pasuria mbyt demokracinë!

Realiteti që po jetojmë sot nuk është aspak inkurajues. Përkundrazi, ai është alarmant. Në shumë aspekte, ne vazhdojmë ende të jetojmë në një primitivizëm të thellë, që e kemi maskuar me teknologji dhe luks. Por vërejmë shpesh që del në pah “njeriu i shpellës”, ai që dikur mbronte ushqimin dhe territorin e vet për të mbijetuar. Dallimi është se njeriu modern nuk grumbullon më për mbijetesë, por për pangopësi. Ai nuk njeh kufij, ai nuk di kur është boll. Dhe kjo pangopësi është kthyer në sëmundje shoqërore

Haxhi Zeneli

Demokracia nuk shkatërrohet gjithmonë me tanke dhe armë. Shpesh ajo fillon e zhduket ngadalë, në heshtje, nga grumbullimi i pasurisë në duart e pakicës dhe nga varfërimi i shumicës.
Thuhet se historia përsërit vetveten. Dhe ajo përsëritet pikërisht atëherë kur shoqëritë injorojnë apo refuzojnë të mësojnë nga e kaluara.
Si shumë luftëra, edhe Lufta Civile Amerikane është një shembull i qartë i kësaj: një konflikt i përgjakshëm mes jugorëve dhe veriorëve, i nxitur nga mosmarrëveshjet ekonomike, dallimet kulturore dhe mbi të gjitha nga skllavëria. Padrejtësia sociale, kur injorohet për një kohë të gjatë, përfundon gjithmonë në përplasje. Historia nuk është thjesht një kujtim, ajo është paralajmërim. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes sot është e thjeshtë: Sa kemi ndryshuar ne si qenie njerëzore? Sa kemi evoluar realisht? Biologjikisht, ndoshta jo shumë. Por pritshmëria minimale do të ishte së paku një evolucion mendor. Megjithatë, realiteti që po jetojmë sot nuk është aspak inkurajues. Përkundrazi, ai është alarmant. Në shumë aspekte, ne vazhdojmë ende të jetojmë në një primitivizëm të thellë, që e kemi maskuar me teknologji dhe luks. Por vërejmë shpesh që del në pah “njeriu i shpellës”, ai që dikur mbronte ushqimin dhe territorin e vet për të mbijetuar. Dallimi është se njeriu modern nuk grumbullon më për mbijetesë, por për pangopësi. Ai nuk njeh kufij, ai nuk di kur është boll. Dhe kjo pangopësi është kthyer në sëmundje shoqërore.
Sot, një pakicë e vogël ka akumuluar pasuri aq të mëdha saqë nuk do të mund t’i shpenzojë edhe nëse do të jetonte dyqind vjet. Tragjedia e vërtetë është se këta njerëz ose nuk e kuptojnë, ose refuzojnë ta pranojnë se asgjë nga ajo që kanë arritur nuk është rezultat vetëm i punës së tyre. Askush nuk ndërton pasuri, pushtet apo inovacion pa shoqërinë.
Megjithatë, ajo që po ndodh sot është përpjekja për të kontrolluar gjithçka: punëtorin, konsumatorin, tregun dhe politikën. Qëllimi është i qartë – krijimi i një shoqërie të varur nga një klasë oligarke, ekstremisht e pasur. Ashtu si në shekujt më parë, të pasurit kërkojnë të kontrollojnë dhe shfrytëzojnë shtresën e varfër. Emrat kanë ndryshuar, por thelbi jo. Sot kemi “skllevëri moderne”, ndërsa klasa e mesme po zhduket. Shoqëria po ndahet në dy ekstreme: kemi të pasur, por shumë të varfër. Ky model është veçanërisht i dukshëm në Shtetet e Bashkuara, por për fat të keq po tentohet të kopjohet edhe në vende të tjera të botës. Pasojat janë të rënda, sepse një popull i varfëruar nuk përfaqësohet kurrë realisht. Një i pasur nuk mund të mbrojë interesat e një të varfri! Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, por që shpesh injorohet.
Më e keqja është kur të varfrit i ngrejnë lart apo i mbështesin të pasurit, duke menduar se janë duke punuar për interesat e tyre. Shumë njerëz ende nuk e kuptojnë këtë realitet. Disa madje janë të “dashuruar” me liderët e oligarkisë, duke harruar se këta individë nuk hyjnë në politikë për t’i shërbyer popullit, por për të shërbyer veten. Pangopësia e tyre nuk ka fund. Ata refuzojnë të paguajnë tatime, kërkojnë privilegje dhe kontroll absolut.
Historia na ka mësuar qartë se, sado të zgjasë në kohë, kjo rrugë nuk e shpëton askënd. Fuqia e klasës punëtore është e pamohueshme: kur pakënaqësia sociale arrin pikën e vlimit, njerëzit dalin në rrugë për të kërkuar dinjitet dhe një jetë më të mirë për familjet e tyre. Ky proces krijon një efekt zinxhir, një rrugë pa kthim. Këtë e kemi parë vazhdimisht gjatë historisë. Sistemet që humbën besimin e popullit, u shembën, pavarësisht përpjekjeve për t’u mbajtur me forcë, ashtu siç ndodhi edhe në shtetet ish-komuniste. Prandaj, në momentin kur kapitalizmi fillon të shkatërrojë demokracinë, ai shndërrohet në një formë diktature ekonomike. Dhe historia na ka treguar gjithmonë se si përfundojnë diktaturat.
Sot po përballemi me një sfidë edhe më komplekse: teknologjia po avancon drejt zëvendësimit të njeriut, duke robotizuar ekonominë, ndërsa shumë pak po mendohet seriozisht për pasojat sociale dhe humane të këtij procesi. Kjo e bën edhe më të vështirë epokën e tranzicionit teknologjiko-shkencor, duke thelluar pabarazitë dhe pasigurinë shoqërore. Nëse kjo disbalancë vazhdon të injorohet, historia nuk do të na falë. Sepse kur pasuria mbyt demokracinë, zgjimi i shoqërisë vjen gjithmonë me dhimbje.

Të fundit

më të lexuarat