
Në traditën e qytetërimit dhe kulturës islame, biblioteka zë një vend shumë të rëndësishëm. Që në fillimet e islamit, interesimi për shkrim-lexim dhe ruajtjen e shkrimeve ka qenë shumë i madh. Dihet se Profeti Muhammed s.a.s. i ka dhënë rëndësi të madhe shkrimit dhe leximit, duke zbatuar edhe ajetin e parë të zbritur të Kur’anit: “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijon”. Ky mesazh ka shërbyer gjatë historisë si katalizator i zhvillimit të kulturës së librit në qytetërimin islam, duke ndikuar në themelimin e bibliotekave më të mëdha në periudha të ndryshme të këtij qytetërimi.
Në përgjithësi, bibliotekat mund të ndahen në ato institucionale dhe personale. Shumë dijetarë kanë pasur bibliotekat e tyre personale për nevojat e veta, por ka ndodhur që librat e këtyre bibliotekave t’ua ofrojnë edhe të tjerëve për përdorim. Njëri prej tyre ka qenë edhe kadi Hafiz Hysein Mujali nga Ulqini, i cili ka ushtruar detyrën e kadiut dhe më pas të myftiut në Ulqin.
Në kohën e kadi Mujalit bibliotekë personale kanë pasur edhe individë të tjerë, mirëpo ne e pamë të arsyeshme studimin e bibliotekës së tij duke marrë parasysh dhe profesionin e tij si kadi dhe myfti. Gjithashtu, fakti që kjo bibliotekë nuk është marrë në shqyrtim më herët na ka shtyrë edhe më shumë të bëjmë një studim të saj, duke u munduar ta rikthejmë në jetë edhe një herë këtë thesar të çmuar. Kuptohet qëllimi ynë kryesor është që të japim një pasqyrë rreth saj, duke ndihmuar që përmes bibliotekës në fjalë të formojmë një ide të përgjithshme edhe për bibliotekat e kohës kur ka jetuar ai dhe për literaturën që kanë pasur ato, në varësi edhe të profesionit të individëve.
Biblioteka e kadi Hafiz Hysein Mujalit ka libra dhe shkrime të ndryshme, nga të cilat ne kemi identifikuar 54. Këta libra janë ruajtur në kuti kartoni dhe në rafte në shtëpinë e stërnipave të kadiut – Samirit dhe Shuajbit (tashmë i ndjerë). Sipas fjalëve të stërnipave të kadiut, disa libra kanë mbetur te të afërmit e tyre, prandaj numri i librave që ka poseduar mund të ketë qenë shumë më i madh sesa mendohet.
Duke u nisur nga veprat që kemi identifikuar, shihet që biblioteka e kadiut, përveç librave ka edhe dorëshkrime. Këto gjenden në pesë fletore, në të cilat ka mbajtur shënime në lidhje me tema të ndryshme personale, ligjërata fetare, huazime, borxhe dhe pagesa. Për shembull, në njërën prej fletoreve kadiu shënon emrat e drejtuesve apo kapedanëve të anijeve. Në bazë të verifikimeve që kemi bërë, shënimet i ka bërë në gjuhët shqipe, arabe dhe osmane.
Për sa u përket librave, ata mund t’i ndajmë në botime të shkruara/kopjuara me dorë të periudhës më të hershme, si dhe të shtypura në shtyp (shtypshkronjë), të cilat i takojnë periudhës më të vonshme, pra shekullit XIX. Njëri prej librave të hershëm i përket shekullit XVI.
Tematikat që trajtojnë veprat e bibliotekës së kadiut u përkasin fushave të ndryshme, qofshin ato fetare apo laike, si asaj të drejtësisë islame, tefsirit ose komentimit të Kur’anit, hadithit/traditës islame, gjuhë-letërsisë arabe, apologjetikës, logjikës, matematikës, historisë, gjeografisë si dhe botime të ndryshme fetare – ilmihale, dua, salavate dhe dhikër. Pjesa më e madhe e librave – dhjetë sish (kuptohet, flasim për librat që kemi identifikuar), i përkasin drejtësisë islame ose me terminologjinë islame – fikhut. Pesë tituj janë komentime të Kur’anit, tre tituj komentime të hadithit, nëntë libra e fletushka me tema të ndryshme fetare – lloj doracakësh, tetë tituj të gjuhës dhe letërsisë arabe, nga të cilët shumica janë në lidhje me gramatikën arabe, një titull nga apologjetika, një nga logjika, dy nga matematika, tre nga gjeografia dhe një nga fusha e drejtësisë/ligjeve shtetërore osmane, një fjalor turqisht-frëngjisht si dhe një kalendar/takvim i vitit 1358-1359/1939-1940 për Shkodrën me rrethina, i shtypur në Shkodër.
Për ilustrim më të detajuar kam përzgjedhur vetëm gjashtë tituj që janë të lidhur ngushtë me profesionin e kadiut. Vepra “Multeka’l-Ebhur” e dijetarit të shekullit XVI Ibrahim el-Halebiut, një vepër e përdorur në shkollën e Oborrit mbretëror dhe në shkollat/medresetë e zonave të tjera të Perandorisë Osmane, e cila gjithashtu ka pasur një përdorim të gjerë në gjithë Perandorinë dhe ka qenë si frymëzim për përpilimin e ilmihaleve të sotshëm. Ky libër përmbledh dhe paraqet një gamë të gjerë çështjesh të fikhut (së drejtës islame) në lidhje me adhurimin, muamalatet (borxhet, tregtia, e drejta familjare, trashëgimia) me një gjuhë të thjeshtë, duke shërbyer si një burim referimi për gjyqtarët (kaditë) dhe myftinjtë e kohës.
Përveç kësaj vepre, dua të përmendi edhe veprën e dijetarit të njohur të shkollës juridike hanefite të shekullit XI – Muhammed b. Ahmed el-Kuduriut, që po ashtu i përket fushës së fikhut ose drejtësisë islame, e titulluar “Muhtasaru’l-Kuduri”, ose e njohur me emrin “el Kitab”, e cila përbën një ndër tekstet më të sakta, më të besueshme të medhhebit hanefi, përkatësisht të shkollës juridike hanefite. Kjo është një vepër për të cilën janë shkruar shumë komente. Sipas leximeve na del se kjo vepër është rishkruar (rikopjuar) në fund të shekullit XVI.
Nga disiplina e komentimit të Kur’anit kam ndarë tefsirin e dijetarit të njohur të shekullit XIII – Bejdaviut “Envaru’t-Tenzil ve Esraru’t-Tevil”, një vepër disavëllimëshe, mirëpo në bibliotekën e kadiut kemi gjetur vetëm vëllimin e parë. Kjo vepër është komentimi, ose me fjalë të tjera tefsir i Kur’anit dhe ka pasur një përdorim të gjerë në medresetë e kohës, duke e ruajtur edhe sot rëndësinë e saj.
Kurse nga librat e fushës së traditës islame, përkatësisht hadithit, do të veçoja veprën “Xhamiu’s-Sagir Fi Ehadithi’l-Beshir En-Nedhir” të autorit të njohur të shekullit XV Xhelaluddin es-Sujutiut. Kjo vepër është përmbledhje e haditheve në lidhje me tema si besimi, etika, mjekësia, nxitja për punë të mira dhe largimi nga të këqijat, lutjet dhe duatë për pendim dhe falje, shemail (përshkrimi i Profetit Muhammed s.a.s.) etj.
Një vepër tjetër që ndodhet në bibliotekën e tij është edhe “Arazi Kanunname-i Hymajunu Sherhi”, e botuar në vitin 1901 dhe e shkruar nga kadiu Atëf Bej, i cili bën shpjegime në lidhje me ligjet e tokës në legjislacionin e Perandorisë Osmane.
Nga librat e fushës së logjikës është vepra “Hashie-i Tasavvurat” e autorit Myfti Zade Mehmet Sadik (v. 1808), e botuar në vitin 1859. Kjo vepër bën fjalë për qëllimin e logjikës, rrugën e cila të çon në realizimin e këtij qëllimi, klasifikimin e informacionit, nxjerrjen e konkluzioneve etj.
Gjatë analizës së bibliotekës së kadiut vërehet një numër i konsiderueshëm i librave të fushës së drejtësisë, bile këta libra përbëjnë përqindjen më të madhe të bibliotekës së tij, gjë që mund të shpjegohet me faktin e natyrës së profesionit të Hysein Mujalit.
Pas Kongresit të Berlinit, Ulqini bëhet pjesë e Malit të Zi, duke krijuar për shqiptarët e këtij qyteti një realitet të ri. Megjithëkëtë, organizimi i jetës shoqërore-fetare brenda komunitetit fetar, në këtë rast të myslimanëve, u la në duart e autoriteteve fetare islame, por gjithnjë duke respektuar kornizat kryesore të pushtetit të ri.
Në këto kushte dhe rrethana të reja, në vitin 1897 hafiz Hysein Mujali emërohet kadi, detyrë të cilën e ushtron deri në vitin 1919, kur dhe formohet Ministria e Feve në Qeverinë e Mbretërisë së re Serbe-Kroate-Sllovene, me qendër në Beograd, nën kompetencat e së cilës hyn dhe Drejtoria e Sheriatit për Malin e Zi. Pikërisht këtë vit Ministria e Feve nxjerr një rregullore të re, sipas së cilës kadilerët e Malit të Zi morën titullin myfti. Pra, hiqet titulli kadi dhe në vend të tij hyn në përdorim titulli myfti. Kështu që hafiz Mujali nga kadi që ishte, me rregulloren e re fitoi titullin myfti.
Në këtë periudhë, njëherë si kadi e më vonë si myfti, ai duhej të merrej intensivisht me çështjet që i takonin komunitetit mysliman. Çështje të tilla si trashëgimia, kurorëzimi dhe detyrimet ligjore të këtij akti, mosmarrëveshjet e ndryshme brenda individëve të komunitetit mysliman i zgjidhte kadiu, duke pasur parasysh edhe legjislacionin e shtetit në rastet e kërkuara. Prandaj është shumë e kuptueshme që kadiu t’i ketë poseduar në bibliotekën e tij veprat themelore që ofrojnë zgjidhje për çështje të ndryshme të komunitetit në bazë të rregullave të drejtësisë islame dhe se nuk duhet të na çudisë fakti që librat më me peshë në bibliotekën e tij janë ato të fushës së legjislacionit islam. Gjithashtu duhet të theksoj se kjo literaturë është në gjuhën arabe, duke marrë parasysh faktin se në atë kohë, jo vetëm në Ballkan por edhe në vendet tjera ku jetonin myslimanët joarabë, dijetarët shërbeheshin me literaturë në gjuhën arabe, sidomos kur bëhej fjalë për literaturën profesionale, si në rastin e kadiut. Megjithëse sot, në tërësi apo pjesërisht, është bërë përkthimi i këtyre veprave themelore të drejtësisë islame në gjuhë të ndryshme, përfshirë edhe gjuhën shqipe, specialistët e jurisprudencës islame shërbehen me literaturën origjinale, që do të thotë me literaturën në gjuhën arabe.
Si përfundim, mund të themi se kadiu i fundit i Ulqinit, hafiz Hysein Mujali ka qenë një prej dijetarëve elitarë të kohës, me bibliotekën e tij shumë të pasur në rrethanat në të cilat ka jetuar. Ai është pjesë e plejadës së dijetarëve të kohës, të cilët janë përballuar me sfida shumë të vështira gjatë gjithë jetës, duke përjetuar ndryshime kufijsh, shtetesh e pushtetesh, ndryshime politike, ekonomike dhe sociale. Prandaj duke i marrë parasysh të gjitha këto, puna e angazhimi i tij, biblioteka e tij si një trashëgimi shpirtërore e materiale duhet të vlerësohet dhe ruhet me kujdesin më të madh. Në lidhje më këtë, me lejen edhe të nipit të tij Samirit, propozoj që biblioteka e kadi Mujalit t’i nënshtrohet një konservimi adekuat me të gjitha rregullat e konservimit, duke e ruajtur dhe përçuar brezave të ardhshëm të Ulqinit dhe më gjerë.
Ekspozimi i bibliotekës së Hafiz Mujalit, i shoqëruar me kumtesa të autoriteteve fetare dhe civile, është mbajtur më 11 mars 2017 në Ulqin, nën organizimin e Bashkësisë Islame në Malin e Zi, Mexhlisit të BI Ulqin dhe Institutit Yunus Emre.
