
Në ditët e para të janarit Mali i Zi është përfshirë nga protestat e një grupi të qytetarëve, të cilët kanë bllokuar rrugët kryesore që lidhin kryeqytetin Podgoricë me qytetet tjera. Në fakt, protestat kanë filluar në ditët e fundit të dhjetorit kundër ndërtimit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Botun të Zetës, por ato tashmë janë zhvendosur në rrugët kryesore duke penguar qarkullimin rrugor dhe paralizuar jetën normale të qytetarëve.
Protestat janë forma të njohura të shprehjes së pakënaqësisë qytetare brenda suazave ligjore. Megjithatë, bllokimi i rrugëve pa paralajmërim dhe mosreagimi i organeve kompetente, përfshirë organet e rendit që vetëm bëjnë sehir, është shenjë e dobësisë së pushtetit shtetëror dhe e policisë, e cila përdor standarde të dyfishta ndaj protestuesve, në varësi të asaj se kush i organizon protestat. Mosreagimi i organeve përgjegjëse sikur u ka dhënë krahë protestuesve se mund të bëjnë çdo gjë, pa u hyrë ferrë në këmbë, nënkupto pa u dënuar për kundërvajtjet e tyre.
Fakti se pas këtyre protestave qëndrojnë hapur partitë proserbe, sidomos Partia Demokratike Popullore, e njohur si parti satelit e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ndërsa udhëheqësi i saj Millan Knezheviq si njëri ndër eksponentët kryesorë të kësaj politike në Malin e Zi, ngre dyshime për qëllimet e errëta dhe organizatorët e vërtetë të këtyre protestave. Zhvendosja e protestave nga Botuni në udhëkryqet kryesore, mënyra e organizimit të tyre, dhuna ndaj qytetarëve të pafajshëm të bllokuar në rrugë padrejtësisht, tregon se ato nuk janë protesta mirëfilli qytetare, humane jo se jo, por të inskenuara dhe të sinkronizuara që për qëllim përfundimtar kanë, sipas disa njohësve të politikës, krijimin e kaosit dhe destabilizimin e Malit të Zi.
Rastësisht apo jo, momenti kur po zhvillohen protestat bien ndesh me objektivat e politikës së jashtme të Malit të Zi, ku ky vit (2026) është proklamuar nga Qeveria e Malit të Zi si vendimtar në proceset eurointegruese.
Krizat e shumta politike apo të natyrave të tjera, që e kanë shoqëruar koalicionin qeverisës, kryeministri Millojko Spajiq është përpjekur t’i tejkalojë duke nënvizuar si prioritet synimet eurointegruese të partisë së tij – Lëvizjes Evropa Tani dhe të Qeverisë që drejton. Ai është sjellë deri tani sikur çështjet identitare janë të parëndësishme, të dorës së dytë dhe se në plan të parë të Qeverisë është rritja e standardit jetësor të qytetarëve. Por mënjanimi i çështjeve të tilla nga rendi i ditës, duke u shtirur sikur nuk jeton në Malin e Zi dhe sikur nuk e njeh mendësinë e qytetarëve të tij, kryeministri Spajiq jo vetëm që nuk i ka zgjidhur por i ka grumbulluar problemet. Prandaj si duket, këto protesta kanë treguar se Qeveria e Malit të Zi dhe kryeministri Spajiq duhet të bëjnë më në fund zgjedhjen e tyre – nëse janë për anëtarësimin në BE apo të vazhdojnë të qëndrojnë në koalicion me forcat politike proserbe, që janë deklaruar hapur më se një herë se janë kundër vlerave evropiane.
Nuk ka dyshim se këto protesta, përpos pasojave në planin e brendshëm – para së gjithash në jetën e qytetarëve, të cilët pa kurrfarë faji janë të detyruar të durojnë, do të kenë pasoja edhe në planin e jashtëm – në imazhin ndërkombëtar të Malit të Zi si vend kandidat për anëtarësim në BE dhe ngadalësimin e proceseve integruese.
Së fundmi, protestat e këtij fillim janari janë paralajmërim se Malin e Zi e pret një vit i vështirë, me zhvillime politike dhe kriza të kohëpaskohshme që do të ndikojnë në të ardhmen e tij.
