Një projekt për brezat e rinj në Malësi, Plavë dhe Guci

“Kemi një rënie të interesimit, dhe për këtë arsye jemi përpjekur që përmes këtij fondacioni, pra unë si profesor i muzikës në bashkëpunim me ta, t’ua ofrojmë falas mësimin e lahutës, fyellit dhe çiftelisë dhe shpresoj se kjo nismë do të jetë historike për popullin shqiptar brenda Malit të Zi”, shprehet Agron Pllumaj

Pak ditë më parë u bë hapja e një konkursi për mësimin e lahutës, fyellit dhe çiftelisë për të rinjtë në Malësi, Plavë dhe Guci.
Në lidhje me këtë nismë, biseduam me Agron Pllumajn, profesor i muzikës dhe një nga ligjëruesit e këtij kursi, i cili për gazetën “Koha javore” tregon se sa seriozisht është sot e rrezikuar tradita e interpretimit me këto instrumente në trevat tona.
Ai shprehet se iniciues kryesor i këtij projekti ka qenë Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” si dhe disa shoqata dhe individë të tjerë me ndikim në shoqëri, të cilët kanë shprehur gatishmëri për mbështetje, ndërsa ideja për një nismë të tillë ka ardhur, siç tha ai, në momentin më kritik, duke parë se rinia nuk po merret me art dhe nuk po mëson instrumente.
“Kemi një rënie të interesimit, dhe për këtë arsye jemi përpjekur që përmes këtij fondacioni, pra unë si profesor i muzikës në bashkëpunim me ta, t’ua ofrojmë falas mësimin e lahutës, fyellit dhe çiftelisë dhe shpresoj se kjo nismë do të jetë historike për popullin shqiptar brenda Malit të Zi”, shprehet Pllumaj.
Se pse lahuta, fyelli dhe çiftelia janë vendosur në qendër të këtij projekti dhe çfarë peshe kanë këto instrumente në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar krahasuar me forma të tjera të trashëgimisë sonë muzikore, Pllumaj thotë se arsyeja e mësimit të këtyre tre instrumenteve është sepse lahuta dhe fyelli janë alfa dhe omega e kombit tonë.
“Dhe duke qenë se janë në një harresë po themi absolute, ne po përpiqemi që t’i ringjallim këto përmes gjeneratave të reja. Çiftelinë e kemi vendosur si numër tre, sepse është instrument kordofon dhe kemi dashur në një mënyrë që t’ia bashkëngjesim këtij projekti, pra që të mësojnë fyellin, lahutën por edhe çiftelinë si instrument folklorik”, thekson ai.
Pllumaj shpreh besimin se përveç Malësisë, Plavës dhe Gucisë, ky projekt do të zgjerohet më tej, edhe në Krajë dhe Anë të Malit, dhe se sponsorët do të ndihmojnë jo vetëm sot, por derisa të ketë rini në këtë vend.
Duke folur për dimensionin përtej atij muzikor, Pllumaj thekson ndikimin që projekti mund të ketë në vetëdijen kombëtare të të rinjve.
“Shpresoj se ky projekt kaq gjigant, në një të ardhme të afërt, të formojë një klasë artistësh në nivel, me zemër dhe vetëdije kombëtare që të mos i harrojnë instrumentet folklorike që i kemi trashëguar brez pas brezi”, shprehet ai.
Projekti parashikon edhe themelimin e një shoqate tradicionale pas përfundimit të fazave të trajnimit, konkretisht krijimin e një strukture të qëndrueshme që ta mbajë gjallë këtë trashëgimi.
Profesori Pllumaj shpreh dëshirën e tij që një ditë këta instrumentistë të japin kontributin duke formuar një ansambël i cili, pas disa vitesh kur të rriten këta të rinj, të kontribuojë për vendin.
“Shpresoj që një ditë, ai ansambël që do formohet të shkojë nëpër festivale të ndryshme, të tregojë kulturën, këngën, vallen, instrumentet, orkestrale të ndryshme e interpretime dhe i cili do të përfaqësojë frymën dhe kombin shqiptar në këto troje, që janë në rrezik nga harresa e kulturës, etnosit, këngës e valles që ka të bëjë me kombin tonë shqiptar”, thotë Pllumaj.
I pyetur nëse kanë kërkuar mbështetje institucionale për realizimin e këtij projekti, ai u shpreh se nuk kanë kërkuar asnjë ndihmë nga asnjë institucion, mirëpo thotë se janë të mirëseardhur nëse do të shprehin dëshirën që ta ndihmojnë këtë projekt, duke shpresuar që në të ardhmen të rritet numri i sponsorëve, për të bërë dhe realizuar projekte edhe më të mëdha.
“Duke qenë se ky është një akt historik momentalisht për Malësinë, Plavën, Gucinë dhe shpresoj dhe për Krajën dhe Anën e Malit, besoj se do shtohen mbështetësit, sepse nëse nuk do reagojmë tani, mendoj se nesër do të jetë vonë. Lahuta, fyelli etj. do të mbesin në muze dhe në fund të fundit, ne do të jemi fajtorë të shkatërrimit e të harresës së instrumenteve tona, të cilat baballarët tanë, stërgjyshërit tanë i kanë luajtur në këto treva dhe kanë kënduar përmes tyre”, thekson Pllumaj.
Ky projekt, sipas nismëtarëve, synon që të ruajë dhe ringjallë instrumentet tradicionale shqiptare në trevat shqiptare të Malësisë, Plavës dhe Gucisë, duke edukuar brezat e rinj me trashëgiminë muzikore tradicionale e cila sot rrezikon të zhduket.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat